E diel, 27 nëntor 2022 – Leximet biblike

APOSTULLI - Efesianëve 2:14-22.

Sepse ai është paqja jonë, ai që i bëri të dyja një, edhe rrëzoi murin ndërmjetës të ndarjes, duke shfuqizuar në trupin e tij armiqësinë, domethenë ligjin e porosive urdhëruese, që të ndërtojë në veten e tij nga të dy një njeri të ri, duke bërë paqe, dhe të dy në një trup t’i pajtojë me Perëndinë me anë të kryqit, pasi vrau nëpërmjet tij armiqësinë. Edhe si erdhi ju predikoi ungjillin e paqes tek juve që ishit larg, edhe tek ata që ishin afër, sepse me anë të tij që të dy afrohemi në një Frymë tek Ati. Prandaj nuk jeni më të huaj e të jashtëm, por bashkëqytetarë të shenjtëve dhe pjesëtarë të shtëpisë së Perëndisë; sepse u ndërtuat mbi themelin e apostujve e të profetëve, ku gur qosheje është vetë Jisu Krishti, në të cilin e gjithë ndërtesa e lidhur bashkë rritet në një tempull të shenjtë në Zotin, në të cilin edhe ju jeni ndërtuar së bashku për të qenë banesë e Perëndisë me anë të Frymës.

UNGJILLI - Llukai 18:18-27.

Edhe një i parë e pyeti, duke thënë: Mësues i mirë, ç’të bëj që të trashëgoj jetë të përjetshme? Edhe Jisui i tha: Ç’më thua i mirë? Asnjë nuk është i mirë, përveçse një, Perëndia. Ti i di urdhërimet: “Mos shkel kurorën. Mos vrit. Mos vidh. Mos jep dëshmi të rreme. Ndero atin tënd dhe nënën tënde”. Edhe ai tha: Të gjitha këto i kam ruajtur që në rininë time. Edhe Jisui, kur dëgjoi këto, i tha: Një gjë të mungon ende, shit gjithë ç’ke dhe ndajua të varfërve, edhe do të kesh thesar në qiell; edhe eja, e ndiqmë pas. Por ai, kur dëgjoi këto, u hidhërua; sepse ishte fort i pasur. Edhe Jisui, kur pa se u hidhërua, tha: Sa me vështirësi do të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që kanë para! Sepse më lehtë është të hyjë gamilja nëpër vrimën e gjilpërës, se një i pasur të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Edhe ata që dëgjuan thanë: E kush mund të shpëtojë? Edhe ai tha: Të pamundurat për njerëzit janë të mundura për Perëndinë.