Pavli dhe Siluani e Timotheu, kishës së Selanikasve, që është në Perëndinë, Atin tonë, edhe në Zotin Jisu Krisht; hir në ju edhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, edhe nga Zoti Jisu Krisht.
Kemi detyrë të falënderojmë përherë Perëndinë për ju, o vëllezër, siç i ka hie, sepse po shtohet fort besimi juaj, edhe dashuria e kujtdo prej jush për njëri-tjetrin po tepron; aq sa ne vetë mburremi për ju në kishat e Perëndisë, për durimin tuaj dhe për besimin në gjithë përndjekjet tuaja e në shtrëngimet që hiqni; tregues ky i gjyqit të drejtë të Perëndisë, që të bëheni të denjë për mbretërinë e Perëndisë, për të cilën edhe vuani. Sepse është e drejtë përpara Perëndisë t’u shpaguaj shtrëngim atyre që ju shtrëngojnë.
Por ju që shtrëngoheni, do të keni prehje bashkë me ne, kur të zbulohet Zoti Jisu Krisht prej qielli bashkë me engjëjt e fuqisë së tij, në flakë zjarri, duke u dhënë shpagim atyre që nuk njohën Perëndi, edhe atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jisu Krisht; të cilët do të mundohen me shkatërrim të përjetshëm nga faqja e Zotit, edhe nga lavdia e fuqisë së tij, në atë ditë, kur të vijë të lavdërohet ndër shenjtorët e tij, edhe të jetë i mrekullueshëm ndër të gjithë ata që besojnë, sepse ju i besuat dëshmisë sonë.
Edhe kur u afrua ai tashmë në të zbritur të Malit të Ullinjve, gjithë grumbulli i nxënësve zunë të gëzoheshin e të lavdëronin Perëndinë me zë të madh për gjithë çuditë që panë, duke thënë: I bekuar mbreti që vjen në emrin e Zotit; paqe në qiell, edhe lavdi në më të lartat.
Edhe disa Farisenj prej turmës i thanë: Mësues, qorto nxënësit e tu. Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Po ju them juve, se në pushofshin këta, gurët do të thërresin.
Edhe kur u afrua dhe pa qytetin, qau për atë, duke thënë se: Sikur të dije edhe ti, qoftë edhe në këtë ditë tënden, ato që janë për paqen tënde! Po tani u fsheh prej syve të tu, sepse kanë për të ardhur ditë për ty, edhe armiqtë e tu kanë për të bërë hendek rreth teje, edhe kanë për të të rrethuar, edhe kanë për të të shtrënguar nga të gjitha anët. Edhe kanë për të të përplasur përtokë ty dhe fëmijët e tu brenda teje, dhe nuk kanë për të lënë tek ti gur mbi gur; sepse nuk njohe kohën e ardhjes së Perëndisë tek ti.