Sepse më duket se Perëndia në apostujt na tregoi për më të fundit e njerëzve, si të dënuar me vdekje; sepse u bëmë lojë në botë, në engjëjt e në njerëzit. Ne jemi të marrë për Krishtin, e ju të mençur në Krishtin; ne të dobët, e ju të fortë; ju të lavdëruar, e ne të përçmuar.
Deri në këtë orë edhe uri kemi, edhe etje kemi, edhe të zhveshur jemi, edhe me shuplaka rrihemi, edhe endemi andej e këtej, edhe mundohemi duke punuar me duart tona; kur përqeshemi, bekojmë; kur ndiqemi, durojmë; kur shahemi, lutemi; u bëmë si të fshirat e botës, si mbeturinat e të gjithëve deri tani.
Nuk i shkruaj këto për t’ju turpëruar ju, por ju këshilloj si bij të mi të dashur. Sepse edhe sikur të keni dhjetë mijë mësues në Krishtin, po nuk keni shumë etër; sepse unë ju linda në Krishtin Jisu me anë të Ungjillit. Ju lutem juve pra të bëni siç bëj unë.
Të nesërmen përsëri Joani ishte duke ndenjur, si edhe dy prej nxënësve të tij. Edhe kur hodhi sytë dhe pa Jisuin duke ecur, thotë: Ja qengji i Perëndisë. Edhe të dy nxënësit e dëgjuan atë duke folur, edhe shkuan pas Jisuit.
Edhe Jisui si u kthye dhe pa ata duke shkuar pas tij, u thotë atyre: Ç’kërkoni? Edhe ata i thanë: Rabbi, që e përkthyer do me thënë, Mësues, ku banon? U thotë atyre: Ejani dhe shihni. Erdhën pra dhe panë ku banonte; edhe qëndruan pranë tij atë ditë; edhe ora ishte rreth së dhjetës.
Njëri prej atyre të dyve që dëgjuan nga Joani dhe shkuan pas tij, ishte Andrea, i vëllai i Simon Pjetrit. Ky gjen i pari të vëllanë e tij, Simonin, edhe i thotë: Gjetëm Mesinë, që e përkthyer do të thotë Krishtin.
Edhe e pruri tek Jisui. Edhe Jisui hodhi sytë mbi të, edhe tha: Ti je Simoni, i biri i Jonait. Ti do të quhesh Qefa, që përkthehet Pjetër (gur).
Të nesërmen Jisui deshi të dalë në Galile; edhe gjen Filipin e i thotë: Eja pas meje. Edhe Filipi ishte nga Betsaida, nga qyteti i Andreas dhe i Pjetrit.
Filipi gjen Nathanailin, edhe i thotë: Kemi gjetur atë për të cilin shkroi Moisiu në ligj, edhe profetët, Jisuin, të birin e Josifit nga Nazareti. Edhe Nathanaili i tha: A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti? Filipi thotë: Eja dhe shih.
Jisui pa Nathanailin duke ardhur drejt tij, edhe thotë për të: Ja një Izraelit i vërtetë, tek i cili nuk ka gënjeshtër. Nathanaili i thotë: Nga më njeh? Jisui u përgjigj e i tha: Para se të të thërrasë Filipi, të pashë kur ishe nën fik.
Nathanaili u përgjigj e i thotë: Rabbi, ti je Biri i Perëndisë, ti je mbreti i Izraelit. Jisui u përgjigj e i tha: Sepse të thashë që të pashë nën fik beson? Do të shohësh më të mëdha se këto. Pastaj i thotë: Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, që tani e tutje do të shihni qiellin të hapur, edhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut.