“Ja tek po ju jap juve lajmin e mirë për një gëzim të madh.”
(Luk. 2:10)
Pas surprizës së parë nga pasuria e përvojës fetare që jetuam në Shqipëri pas persekutimit, gjendemi tani përpara një rreziku të padukshëm: T’i vëmë të vërtetat tronditëse të jetës që zbulon Ungjilli i krishterë në korniza festive; të shndërrojmë piramidën për shpëtimin e gjinisë njerëzore, Lindjen e Shpëtimtarit, në një festë piktoreske të një shoqërie konsumi, ku shkëmbejmë në mënyrë mekanike urime të papërcaktuara.
Sigurisht, këto ditë duhet të kemi gëzim të ve-çantë; të thellë dhe të vërtetë. Veçse, jo duke u larguar për pak nga bezdia e rutinës së përditshme, por duke marrë fuqi dhe hir, që t’i bëjmë ballë jetës me urtësinë dhe perspektivën e besimit që na fali Biri i Perëndisë, që u bë njeri.
I
“Mos u frikësoni, sepse ja tek po ju jap juve lajmin e mirë, për një gëzim të madh…”. Barinjtë u frikësuan nga drita e paparë që i rrethoi. Frika e tyre nuk kishte të bënte me frikë të shpirtit, por me nderim përpara pranisë verbuese të engjëjve. Zakonisht, frika u detyrohet preteksteve dhe arsyesve të tjera. Sidoqoftë, shprehja ungjillore “Mos u frikësoni” mbetet aktuale për çdo gjendje dhe formë frike. Shpeshherë, madje edhe mbas ngjarjesh të tmerrshme në dukje, mund të gjendet një mesazh i shumërëndësishëm i Providencës së Perëndisë. Por edhe atëherë kur frikën e krijon ndërgjegjja fajtore ose vrazhdësia dhe urrejtja e njerëzve apo edhe ana tragjike e kushteve të jetës, megjithatë, përsëri, qëndron shprehja “Mos u frikësoni”. Sepse “me ne është Perëndia”, i Tërëurti dhe i Gjithëpushtetshmi; i Cili nuk pushoi së vepruari në mënyra të panjohura dhe të çuditshme duke u dhënë zgjidhje problemeve më të komplikuara dhe më të errëta.
“Ja tek po ju jap juve lajmin e mirë për një gëzim të madh”. Shpëtimtari i porsalindur vjen të shpëtojë njeriun nga robëria e mëkatit: nga egoizmi, gënjeshtra, shfrytëzimi, padrejtësia, ankthi. Vjen t’i zbulojë dashurinë e pakuptueshme të Perëndisë dhe t’i japë hirin dhe mundësinë që të ketë dashuri pa interes.
Trupëzimi hyjnor solli në botë gëzim të pallogaritshëm, sepse i zbuloi njeriut Perëndinë. Dhe më tej, i zbuloi njeriut veten e vet – fisnikërinë e prejardhjes së tij dhe madhështinë e destinacionit të tij. Biri i Perëndisë “pa u ndarë nga natyra hyjjnore mori pjesë prej brumit tonë. Krishti lindi i dynatyrshëm, duke dashur të përplotësojë botën e sipërme”. Duke marrë natyrën njerëzore u bashkua përherë me të, e ndryshoi dhe e ngriti deri në fronin e Perëndisë.
Gëzimi i Krishtlindjes është “i madh”, sepse iu referohet problemeve thelbësore të qenies njerëzore dhe të shoqërisë, duke përqafuar gjithë spektrin e jetës së njerëzimit deri në mbarimin e skajshëm të saj. Dhe mesazhi arrin kulmin në lajmin e pakuptueshëm se tanimë pas trupëzimit të Birit të përjetshëm të Perëndisë, njeriu mundet të bëhet pjesëtar i natyrës dhe lavdisë hyjnore.
Ky gëzim i pamohueshëm “është i gjithë popullit”. Nuk destinohet vetëm për disa të zgjedhur, por për çdo njeri, të varfër apo të pasur, të sëmurë apo të shëndoshë, të ditur apo të paditur, të drejtë apo mëkatar. Krishti i fton në Mbretërinë e Tij të gjithë pa përjashtim – duke treguar dashuri të veçantë për të “vegjlit”, të vuajturit, të huajt dhe të përndjekurit. Dhe ky “gëzim i madh” duhet të transmetohet dhe të gjallërojë çdo popull, pa dallim race, gjuhe apo prejardhjeje, përderisa Krishti merr gjithë njerëzoren, thellësinë e qenies së naty- rës njerëzore dhe jo diçka nga lëvozhga e jashtme e saj. Prandaj “të gjitha sot mbushen me gëzim”.
II
Një pranim i tillë i gëzueshëm i mesazhit të Krishtlindjes nuk çon në ndonjë largim metafizik nga realiteti i ashpër imediat i jetës sonë. Leximet ungjillore të së kremtes nuk përshkruajnë vetëm pjesëmarrjen lavdëruese të engjëjve, faljen adhuruese të barinjve dhe të magëve. Paralelisht, me një thjeshtësi prekëse, regjistrojnë indiferencën e akullt të mjedisit, padyshueshmërinë e shoqërisë në të cilën lind Krishti, e vetmja shpresë e botës. Zbulojnë një bashkekzistencë paradoksale gëzimi, shprese dhe dhimbjeje. Nuk flasin vetëm për paqe, por edhe për përndjekjen e pamëshirshme që fillon kundër Paqebërësit që në vitet e foshnjërisë së Tij.
Tipi i lëkundshëm i Herodit, me fobitë e tij paranoike dhe ashpërsinë e tij të padruajtur, mbetet simbolizmi shekullor i pushtetit të të fuqishmëve të herëpashershëm, që synon të zhdukë të pafajshmit e pambrojtur. Kështu shprehja e Ungjillit “Mos u frikësoni” fiton gjithë intensitetin tragjik, por edhe fuqinë e Tij shpëtimtare, ngaqë është e mbështetur në çifte antitezash: fëmija i pafajshëm, në emrin e të cilit “do të përgjunjet çdo gjë nga qielloret, të dheshmet dhe të nëndheshmet” – përballë indiferencës anonime dhe tiranisë emërore.
Princi i paqes ballë për ballë me egoizmin egocentrik, çnjerëzor.
Dhe të gjitha këto antiteza theksojnë më tepër mesazhin: “Ja tek po ju jap juve lajmin e mirë për një gëzim të madh…” Ka shpresë edhe atëherë kur gjendemi në vuajtje të ashpra dhe kushte të zymta shtypjesh dhe dekadence. Fjalën e fundit në Historinë vetjake, kolektive dhe botërore, nuk e kanë planet djallëzore të urrejtjes, egoizmit, dhunës dhe padrejtësisë, por dashuria e Perëndisë Triadik “që kapërcen çdo dituri”, e cila zbulohet me Trupëzimin e Fjalës Hyjnore. Prandaj kemi të drejtë të shijojmë gëzimin në shpresë.
Këtë gëzim të qenësishëm Krishtlindjesh, që asgjëson çdo lloj kërcënimi dhe frike, ju uroj vëllezër të mi. Një ngazëllim të brendshëm, të qëndrueshëm; që nuk injoron realitetin e ashpër të jetës sonë, por që ka fuqinë ta shikojë në sy, ta mposhtë me qetësi dhe ta transformojë me durim.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
