E hënë, 5 dhjetor 2022 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Galatianëve 5:22-6:2.

Por fryti i Frymës është dashuri, gëzim, paqe, zemërgjerësi, ëmbëlsi, mirësi, besnikëri, butësi, vetëpërmbajtje; kundër të tillave nuk ka ligj. Edhe ata që janë të Krishtit, e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pësimet e me dëshirimet. Në rrojmë sipas Frymës, sipas Frymës edhe të ecim. Le të mos kërkojmë lavdi të kotë, duke ngarë njëri-tjetrin, duke pasur smirë njëri-tjetrin.Vëllezër, edhe sikur të bjerë njeri në ndonjë faj, ju që jeni të frymës ngrijeni të tillin me frymë butësie; duke u kujdesur për veten tënde se mos ngitesh edhe ti. Mbajani barrët njëri-tjetrit, edhe kështu përmbushni ligjin e Krishtit.

UNGJILLI - Mattheu 11:27-30.

Të gjitha m’u dhanë në dorë nga im Atë; edhe asnjë nuk e njeh Birin, veç Ati; edhe as Atin s’e njeh njeri, veç Biri edhe ai, të cilit do të dojë Biri t’ia zbulojë. Ejani tek unë gjithë sa jeni të lodhur e të ngarkuar, edhe unë do t’ju preh ju. Ngrini zgjedhën time mbi veten tuaj, edhe mësoni prej meje, se jam i butë dhe i përulur në zemër. Edhe do të gjeni prehje në shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e butë, edhe barra ime është e lehtë.