Me përulësi sipas Krishtit – Krishtlindje 1999

Me përulësi sipas Krishtit – Krishtlindje 1999

“Zbrazi veten e tij duke marrë formë shërbëtori, duke u bërë i ngjashëm me njerëzit.”
(Filip. 2:7)
I
Kremtimi i Krishtlindjeve ka marrë sivjet një theks më solemn, sepse po mbushen dy mijë- vjeçarë nga Lindja e Zotit tonë Jisu Krisht. Me shumë aspirata hyjmë në shekullin e ri, në mijëvjeçarin e ri, ku na presin, sigurisht, shumë evolucione teknologjike dhe mundësi të reja zhvillimi. Por, ajo që me sa duket nuk do të pushojë së tiranizuari jetën tonë dhe së munduari shoqërinë është egoizmi i çdo forme dhe mendjemadhësia shkatërruese. Në këtë kërcënim helmues, të vetmin antidot për shpëtim e ofron Krishti Shpërblyes, i Cili që nga Grazhdi deri në Kryq, “zbrazi veten” dhe na zbuloi fuqinë mistike të përuljes, për t’u çliruar nga mburrja tiranizuese.
Kisha jonë kremton ngjarjen e Lindjes lavdërues dhe meditim: “Fjala, edhe pse është e njëqenshme me Atin… u lind në shpellë; kjo është surprizë!” (Lavd. 21.12). Me ngrohtësi poetike, Shën Grigor Theologu e përmbledh kuptimin e së kremtes: Perëndia “varfërohet me trupin tim, që unë të pasurohem me hyjnësinë e tij … zbrazet për pak nga lavdia e tij që unë të marr përmbushjen… merr trupin tim, që edhe ikonën ta shpëtojë, edhe trupin ta bëjë të pavdekshëm”.
Kjo “surprizë” nuk ka të bëjë vetëm me faktin se “çfarë” ndodh në thelb, por edhe se “si” realizohet kjo. Ngjarja tronditëse e Trupëzimit të Fjalës hyjnore, nuk shoqërohet me madhështi të jashtme që të verbon, por me një thjeshtësi dhe përulje që të mahnit; me “zbrazjen”, mohimin dhe përuljen absolute. Krishti, shpjegon Apostull Pavli, “duke qenë në formë Perëndie, nuk e quajti rrëmbim të qenët i barabartë me Perëndinë, por zbrazi veten e tij duke marrë formë shërbëtori, duke u bërë i ngjashëm me njerëzit” (Filip. 2:6-7).
Shkaku i rënies së qenieve shpirtërore, engjëjve, me e protagonist Eosforin, ishte mburrja. Ata kërkuan që të ngriheshin mbi Perëndinë. Adami ndoqi po atë rrugë; lakmoi që të bëhej Perëndi, duke iu kundërvënë Krijuesit të tij. Rruga e re, të cilën përcakton Fjala hyjnore e trupëzuar për rikrijimin e njeriut, fillon nga ana e kundërt: me përuljen, “zbrazjen”. Aty, djalli është i paaftë për të rezistuar, sepse është një hapësirë që nuk e njeh fare dhe nuk mund të lëvizë. E tërë jeta dhe predikimi i Shpëtimtarit Krisht zbuluan forcën mistike të kësaj përuljeje dhe “zbrazjeje”. “Dhe duke u gjendur me pamje si njeri, – vazhdon Apostulli, – e përuli veten e tij, duke u bërë i bindur deri në vdekje, dhe vdekje kryqi” (Filip. 2:8).
II
Ndërsa sjellim ndër mend mijëvjeçarët që kaluan, peripecitë dhe sprovat e popujve, vëmë re me lehtësi se konfliktet e tmerrshme, luftërat e përgjakshme, shtypjet tragjike të personave, grupeve, popujve, janë pasojë e mendjemadhësisë njerëzore. Ajo të verbon trurin dhe të shtyn drejt manisë shkatërrimtare; popuj të tërë i tërheq drejt nënvleftësimit të çdo forme të të tjerëve, më të dobtëve. Gjithashtu, të gjithë i njohim të këqijat që sjell të mburrurit në rrethin e ngushtë apo më të gjerë, tensionin, kontradiktat, ftohtësinë që krijojnë egoizmat e të tjerëve, por edhe prirjet egocentriste të vetes sonë, sepse mendjemadhësia nuk ka të bëjë vetëm me pozita të larta ose me persona me aftësi të jashtëzakonshme. Shpesh e shohim atë edhe tek individë të zakonshëm ose edhe të mangët. Ashtu, si në të kundërt, përulësia mund të stolisë jo vetëm njerëzit e thjeshtë, por edhe ata me talente të veçanta. Eshtë fryt i pjekurisë, por edhe hir i dhënë nga Perëndia.
Natyrisht, ritmet moderne të shoqërisë sonë janë krejt në kundërshtim me mesazhin e përulë- sisë dhe të thjeshtësisë që transmeton e kremtja e Krishtlindjeve. Ai zhduket brenda zhurmave shurdhuese të demonstrimeve dhe të luksit. Vëmendjen e njerëzve normalisht e tërheq çka është impresionuese, çka lidhet me shkëlqim, me pará,me fantazmagori. Përulja dhe thjeshtësia në shoqërinë tonë të prosperitetit dhe të hapur duken si nocione jashtë hapësirës dhe kohës. Edhe brenda mjediseve kishtare, megjithëse shpesh bëhet fjalë për përuljen dhe për çdo gjë që lidhet me të, mënyra e mendimit dhe e sjelljes shkakton shpesh mburrje të fshehur, autarki, madje edhe mendjemadhësi.
Megjithatë, përulja sipas Krishtit përcakton qëndrueshëm sekretin e fuqisë shpirtërore dhe të rrezatimit të Kishës sonë. Në shekuj dëshmia e Ungjillit nëpër botë është dhënë me dashurinë flijuese dhe thjeshtësinë e atyre që iu përkushtuan Atij që u lind përpërulësisht
**
Vëllezër, këto ditë ofrohen për lutje dhe autokritikë. Le t’i afrohemi me shpresëtari Foshnjës Hyjnore dhe le t’i kërkojmë të na falë diçka nga thjeshtësia dhe përulësia e Tij. Të na bëjë të denjë për t’iu afruar, me ndjenjë dhe dërrmim shpirtëror, Potirit të shenjtë të Eukaristisë Hyjnore, që e bën të pranishme “zbrazjen” e Tij.
Le të lutemi që “Krishti, Perëndia ynë i vërtetë… i lindur në shpellë” të çlirojë nga krekosja, që të errëson mendjen dhe zemrën, të gjithë ata që ndodhen në pozita drejtuese, të mëdha apo ta vogla, t’i ndriçojë që të marrin vendime të drejta dhe paqësore.

Gjithashtu, le t’i urojmë njëri-tjetrit që të bëhemi më të përulur dhe të thjeshtë në jetën tonë private, në marrëdhëniet tona brenda rrethit të familjes dhe të punës, brenda shoqërisë sonë. Një qëndrim i tillë tërheq Hirin e Perëndisë dhe krijon klimën që të lulëzojnë të gjitha të tjerat, që vazhdimisht urojmë: para së gjithash, dashuria, gëzimi dhe paqja.
Krishtlindje të gëzuara, të ndriçuara nga drita e së vërtetës, që u Lind në Grazhd!
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.