Të mendojmë për shenjtërinë e familjes – Krishtlindje 2006

Të mendojmë për shenjtërinë e familjes – Krishtlindje 2006

Klerit dhe besimtarëve shpresëtarë orthodhoksë,
Bij të shtrenjtë më Zotin,

“Virgjëresha lindi sot të Përmbiqenëshmen Fjalë.”
(Shkurtorja e Krishtlindjeve)
A
Ne festojmë në Krishtlindje ardhjen e Shpëtimtarit në botë, mishërimin e Fjalës Hyjnore, bashkimin e natyrës njerëzore me atë hyjnore. Njeriut iu dha nga vetë Krijuesi i tij qysh në pikënisjen e historisë së njerëzimit, dëshira e zjarrtë për t’iu përafruar Perëndisë dhe për t’u bashkuar me Të. Dhe siç tregohet në faqet e para të Shkrimit të Shenjtë, djalli shfrytëzoi pikërisht këtë dëshirë për të mashtruar të parëkrijuarit. “Mos iu bindni Perëndisë, kërkoni pavarësinë tuaj dhe atëherë sytë tuaj kanë për t’u hapur dhe do të jeni si Perëndi”. (Zanafilla 3:4). Por, të parëkrijuarit duke ndjekur këtë këshillë djallëzore nuk u bënë “si Perëndi”, por të dyve iu hapën sytë dhe “ata panë se ishin lakuriq”. (Vargu 7). E kuptuan se ishin të zhveshur, të dobët dhe të pambrojtur. Edhe pasardhësit e tyre jetuan një aventurë të mbushur me dhimbje, konflikte dhe dështime.
Por dashuria e Perëndisë ndërhyn në këtë rrugëtim paranojak të njerëzimit. I Përmbiqenëshmi trupëzohet me vullnetin e Tij duke marrë natyrën njerëzore, për ta çuar gjininë njerëzore drejt Hyjnizimit të dëshiruar. E bën këtë nëpërmjet përulësisë, mohimit të vetes dhe dashurisë, rrugë kjo që në përfundim do të ndriçohet me Kryqin dhe dritën e tërëndritshme të Ngjalljes së Perëndinjeriut. Kjo e vërtetë tronditëse përshkruhet nga himnshkruesi në një mënyrë përmbledhëse, duke iu drejtuar Hyjlindëses së Përmbishenjtë, e cila bashkëpunoi në Trupëzimin e Fjalës Hyjnore: “Dëshirë më nxiti gjarpri dinak, për t’u bërë i barabartë me Krijuesin e me këtë rob më zuri. Por, o e Tërëshenjtë, me bashkëpunimin tënd u thirra përsëri (në lavdinë e parë) e me të vërtetë u hyjnizova. Dhe ti, Nënë e Perëndisë, linde Atë që më hyjnizoi mua). (Kanoni i Shën Nikollës, ode e parë).
Mashtrimi i parë i kryer në fillesën e historisë së njerëzimit, u vazhdua më tej në forma të ndryshme. Nxitje të tjera të ngjashme djallëzore e çuan njerëzimin drejt katastrofës. Udhëheqës fodullë të çdo lloji propozuan në kohë të ndryshme idetë dhe teoritë e tyre, që njerëzit të bëhen “si perëndi”. Ata vetë dëshiruan shpeshherë pushtete hyjnore dhe kërkuan të drejtojnë njerëzimin në begati me të njëjtën predispozitë bazë: Larg Perëndisë. Pa Perëndinë. Kjo parullë e lashtë dëgjohet shumë shpesh edhe sot, në variante të ndryshme, duke pasur si rezultat robërinë ndaj vetëshkatërrimit, poshtërimin e personit njerëzor, hyjnizimin e pasioneve dhe skllavërimin ndaj interesave të paligjshëm.
Kisha, – “Trupi i Krishtit”- duhet të veprojë në këtë aventurë të rrezikshme me urtësinë, fuqinë dhe parimet e Krishtit Perëndinjeri, i Cili është Kryeja e saj e përjetshme. Kisha duhet të theksojë vlerën e personit njerëzor – pavarësisht gjinisë, moshës, prejardhjes dhe arsimimit. Duhet të interesohet në mënyrë të veçantë për ata të cilëve iu është bërë padrejtësi, për të varfrit dhe të hidhëruarit. Kisha duhet të kultivojë respektin e sinqertë për dinjitetin e çdo njeriu si “ikonë e Perëndisë”, që është thirrur të ecë drejt “shëmbëllimit”, duke e përdorur siç duhet lirinë e tij dhe dashurinë, për lartësimin e mbarë gjinisë njerëzore.
B
“Virgjëresha lindi sot të Përmbiqenëshmen Fjalë.”
Tregimi i Ungjillit në lidhje me ngjarjen e Lindjes së Zotit, na fton të përqendrojmë vëmendjen tonë edhe në një pikë tjetër: I Përmbiqenëshmi, Biri i i Perëndisë, duke ardhur në botë, mohoi komoditetet, banesën, mohoi pasuritë dhe shumë nga ato që njerëzit i konsiderojnë të domosdoshme. Ai zgjodhi dhembshurinë e Nënës së Tij të Tërëshenjtë, si të nevojshme dhe të mjaftueshme. Ai, I Cili si Perëndi është vetë dashuria që ekziston, pranon dashurinë e nënës si përshëndetjen më të vërtetë njerëzore. E Tërëshenjta, me dhembshuri, “e mbështolli me shpërgënj dhe e vendosi në grazhd”. (Luka 2:7). Në ikonat bizantine, foshnja Jisu nuk duket thjesht se po pranon përkujdesjet e dhembshura të Nënës së Tij, por edhe i përgjigjet asaj me Dashurinë e Tij Hyjnore. Ekziston reciprocitet.
Josifi i drejtë, nga ana e tij, mbështet dhe e përforcon ngrohtësinë e Nënës, heshturazi, me urtësi dhe mirësi, duke i ofruar Krishtit të sapolindur dhe Nënës së Tij të Tërëqashtër mbrojtjen njerëzore. Merr përsipër të mbrojë Foshnjën Hyjnore, meqenëse mjedisi rreth e rrotull kthehet nga një ambient indiferent dhe jomikpritës, në agresiv dhe i rrezikshëm. Ata që e sigurojnë Foshnjën e pambrojtur Hyjnore, ndaj kërcënimeve dhe përndjekjeve, janë dy përfaqësues të gjinisë njerëzore.
E Tërëshenjta dhe Josifi E shpëtojnë, duke emigruar në Egjipt, dhe janë po ata që E sjellin përsëri në tokën e shenjtë dhe E çojnë për t’u falur në Jerusalem kur ishte dymbëdhjetë vjeç. Krishti si fëmijë “iu bindej atyre”. (Luka 2:51). Pra, bërthama e parë njerëzore, në të cilën zhvillohet Perëndinjeriu gjatë fazës së parë të jetës së Tij, është mjedisi familjar. Krishti e bekon familjen edhe në vazhdim, në fillim të aktivitetit të Tij, kur bën mrekullinë e parë në Kanë të Galilesë. Familja bëhet në këtë mënyrë qeliza bazë e shoqërisë, qelizë që frymëzohet nga besimi i krishterë.
Megjithëkëtë, pështjellimi i përgjithshëm ideologjik dhe shpirtëror në ditët tona, i cili përbuz vlerat njerëzore të dhëna nga Perëndia, e ka çuar familjen në një krizë të shumanshme. Si mund të ekzistojë harmoni familjare pa një besnikëri të ndërsjellë, pa pasur mirëkuptim, frymë faljeje, përkushtim dhe vetësakrifikim? Marrëdhëniet familjare janë helmuar nga ide dhe prirje të tjera; madje kjo ndodh edhe në marrëdhëniet më të natyrshme dhe të shenjta, siç janë ato midis fëmijëve dhe prindërve. Gjithnjë e më shpesh dëgjojmë për konflikte brenda në familje, madje edhe për dhunë brenda saj; dukuri që i vënë fitilin qëndrueshmërisë e paqes së familjes dhe traumatizojnë psiqikisht të mëdhenj dhe të vegjël. Por kur kjo bërthamë bazë e shoqërisë tronditet, pra vatra familjare, që e mbron njeriun dhe siguron progresin e tij,- atëherë plagoset rëndë vetë njeriu si personalitet; dhe çon në shkallë të gjerë në dekadencë shpirtërore.
* * *
“Virgjëresha lindi sot të Përmbiqenëshmen Fjalë.”
Vëllezërit e mi, le të mbushet zemra jonë me lavdërim dhe mirënjohje për ardhjen e Fjalës Hyjnore në historinë e njerëzimit. Edhe mendja jonë le të mos reshtë kurrë së menduari për pasojat shpëtimtare të kësaj ngjarjeje.
Në të njëjtën kohë le të mendojmë me më seriozitet për shenjtërinë e familjes. Forcimi i solidaritetit dhe i dhembshurisë brenda familjes përbën një shprehje thelbësore të besimit dhe të mirënjohjes sonë ndaj Zotit tonë.
Le të kërkojmë nga Krishti dhe Nëna e Tij e Tërëshenjtë të na falin diçka prej dashurisë së tyre të vërtetë; dhe le t’i përgjigjemi kësaj dashurie duke e ofruar atë, gjatë Vitit të Ri, si në mjedisin tonë familjar, ashtu dhe më gjerë në shoqërinë ku jetojmë.
Krishtlindje të bekuara!
Me lutje të zjarrta tek Perëndia
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.