Klerit dhe Besimtarëve shpresëtarë Orthodhoksë,
Bij të shtrenjtë më Zotin,
“Fjala, i bashkëqenshëm me Atin, ngjizet prej
gjakrash virgjërorë,…, lind në shpellë, çudi!”
Të gjitha sa lidhen me festën e Krishtlindjes habisin. “Fjala”, i paafrueshmi dhe i pakonceptueshmi, “që ka të qenët një me Atin”, “bir njeriu” bëhet, që ta çojë përfundimisht njeriun në lartësi të jashtëzakonshme: në hyjnizim. Biri i Perëndisë, duke marrë natyrën njerëzore, “që me anë të kungimit të Hyjnisë të bashkëhyjnizohet njerëzorja” (Shën Grigori i Nisës), i dha vlerë të habitshme çdo personi njerëzor në mbarë dhenë. E lartësoi njeriun në mënyrë të pakrahasueshme më tepër, nga sa është përpjekur çfarëdolloj teorie humaniste dhe teze ateiste.
Kjo ngjarje kozmohistorike zhvillohet në një mënyrë të çuditshme: Nëna Virgjëreshë, pas Lindjes, “e mbështolli atë me shpërgënj dhe e vendosi në grazhd, sepse nuk kishte vend për ata atje ku kishin rënë” (Luk. 2:7). Ai që vjen për të udhëhequr gjininë njerëzore drejt shpëtimit “lindet në shpellë”, mohon çdo lloj forme të botës së jashtme, përbuz luksin, jeton nga çasti më i parë jetën e njerëzve të thjeshtë, të të përulurve dhe të varfërve, pra të shumicës dërrmuese të popullsisë së tokës.
Por në të njëjtën kohë, Ungjillorët zbulojnë një tjetër prani të habitshme: Rreshta engjëjsh që këndojnë “Lavdi Perëndisë në më të lartat dhe mbi dhenë paqe, e mbi njerëzit mirëdashje”. Më tej habit adhurimi i të urtëve nga Lindja dhe mania paranojake e Herodit, që kërkon të shfarosë Foshnjën Hyjnore, si kundërshtarin e tij të ardhshëm. Himnologjia e Kishës sonë na e tregon këtë ngjarje mahnitëse: “Fjala, që ka të qenët një me Atin, pasi u zu prej gjakrash të dëlirë virgjërorë (pasi u ngjiz në mitrën e Virgjëreshës),… lind përsëri në shpellë: çudi!” Fjala e përjetshme e Perëndisë, vjen në kohën e kësaj bote në një mënyrë të panjohur më parë, në heshtje dhe thjesht.
Ngjarja tronditëse që ndryshoi rrjedhën e historisë së botës zhvillohet pa zhurmë, larg nga qendrat e vendimeve politike dhe ushtarake të Perandorisë Romake, që besonin se rregullonin fatin e planetit; larg rretheve ekonomike dhe tregtare, larg nga qarqet filozofike dhe fetare të botës së atëhershme, që mendonin se njihnin ligjet e natyrës apo ligjet e Perëndisë. “Se këshillat e mia nuk janë si këshillat tuaja, as rrugët tuaja nuk janë si rrugët e mia, thotë Zoti” (Isaia 55:8), ka theksuar profeti Isaia.
Të gjitha sa kanë lidhje me Jisu Krishtin, në pamje të parë përbëjnë një sfidë për logjikën e zakonshme. Shpesh e përmbysin, por përfundimisht e zgjerojnë horizontin e saj. Kanë një dinamikë të pashtershme, një energji krijuese. Sa njohën Krishtin, sa e besuan dhe u lidhën me anë të dashurisë me Atë, konstatojnë dhe përjetojnë se Perëndia Triadik, të Cilin e zbuloi Jisui, nuk është një fuqi e epërme jopersonale, statike, moskokëçarëse, por është Perëndia i gjallë i dashurisë, Perëndia i të papriturave. Pa zhurmë, Ai çel horizonte të reja, aty ku të gjitha duken të mbyllura dhe pa shpresë. Ndërhyn me mënyra të pashpresuara në rrugëtimin e njerëzimit, të komunitetit në të cilin bëjmë pjesë, si edhe në jetën tonë personale. I jep jetës sonë zgjidhje të papritura për probleme të pazgjidhshme. Shpresa që ofron kjo e vërtetë në sprova na fuqizon dhe na ripërtërin. Dashuria që ajo shpërndan, pra dalja nga egoja jonë për të takuar tjetrin, shoqërohet nga hareja dhe paqja e brendshme. Jeta “më Krishtin” është e mbushur me eksperienca të mrekullueshme. Bëhet fjalë për një transformim shpirtëror të vazhdueshëm.
* *
Përkundrazi, mënyrat si e festojmë Krishtlindjen, në kohën tonë përbëjnë një çudi të hidhur. Në vend të thjeshtësisë dhe të përulësisë, mbizotëron luksi, të dukurit, lakmia, dëshirimi dhe nxjerrja në pah e pasurisë materiale, prirja marramendëse për kënaqësi, nënvlerësimi dhe përbuzja e të mirave shpirtërore.
Madje në këtë epokë, po e shqetëson planetin një tjetër e papritur e pakëndshme: kolapsi i ekonomisë. Aktiviteti ekonomik i shtrembër, që adhuron fitimin dhe injoron e përbuz njeriun dhe zhvat krijesën, çoi në krizën e njohur ekonomike botërore, që si një uragan i tmerrshëm kërcënon pjesën më të madhe të vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim. Por kryesisht përfundon në një mundim të ri të miliona njerëzve të thjeshtë dhe të varfër.
Propozimet për daljen imediate nga kriza, janë të shumta dhe të lavdërueshme. Por në një periudhë afatgjatë, më në përgjithësi sprova që kalon njerëzimi kërkon ndryshime më rrënjësore. Fjala e përjetshme e Perëndisë, Mishërimin e të Cilit ne festojmë, tregon në mënyrë diakronike drejtimin: Thjeshtësi dhe vetëpërmbajtje në jetën personale. Më shumë reciprocitet, më tepër dashuri autentike dhe respekt të vërtetë ndaj dinjitetit të çdo personi njerëzor, kudo dhe në çfarëdolloj kushtesh që ka lindur. Sepse merr pjesë në natyrën njerëzore, të cilën e mori dhe e lartësoi Biri i Perëndisë. Kjo formë jetese e rinovon jetën dhe e pasuron nga ana shpirtërore, duke i falur asaj bukuri unike. Dhe si përfundim, përforcon drejtësinë shoqërore dhe krijon qytetërimin e vërtetë.
* *
Le ta festojmë ardhjen e Çlirimtarit dhe le të tregojmë përkushtimin dhe besnikërinë tonë ndaj Atij, duke rezistuar cilësisht ndaj mentalitetit sundues të lakmisë, zemërngurtësisë dhe abuzimit me mjedisin. Këto e kanë çuar njerëzimin në idhujtarinë e re të parasë, të pasurimit të paligjshëm. Njeriu bashkëkohor, duke mos e vënë në qendër Fjalën e Perëndisë dhe duke përbuzur Perëndinjeriun, përfundoi në nënnjeri. Sa vuajmë për lartësimin esencial të shoqërisë, ftohemi t’i rezistojmë këtij mentaliteti, ngado që të vijë, ndaj kujtdo që edhe e ushqen.
Fjala e bërë njeri e Perëndisë së urtësisë dhe dashurisë, le të drejtojë përditë jetën tonë, duke e mbushur atë me optimizëm dhe hare, në këto ditë festive dhe gjatë gjithë vitit të ardhshëm.
Krishtlindje të bekuara!
Me të gjithë dashurinë time më Krishtin
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.