Mërgimi – Krishtlindje 2007

Mërgimi – Krishtlindje 2007

Drejtuar klerit dhe popullit shpresëtar Orthodhoks
Bij të shtrenjtë më Zotin,
Fjala e Perëndisë mori natyrën e njeriut dhe u përfshi në historinë njerëzore. Këtë Ngjarje tronditëse kremtojmë gjatë Krishtlindjeve. Perëndia i përjetshëm, “Ai që ka qenë, u bë për ne ajo që nuk ishte, dhe ndërsa nuk iu largua natyrës, mori nga brumi ynë”.
Por, krahas kuptimit qendror theologjik dhe antropologjik, kjo Ngjarje ka të bëjë me hollësi të veçanta tipike që hedhin dritë mbi aspekte të ndryshme të jetës njerëzore, siç është edhe përvoja e mërgimit. Që në vitet e Tij të para, Jisu Krishti, Nëna e Tij e Përmbishenjtë dhe Josifi i drejtë, morën rrugën e gjatë për në Egjipt (Matth. 2:14), të pajisur me besimin absolut ndaj providencës dhe mbrojtjes së Perëndisë. Pra, Jisui, ende foshnjë, ka jetuar si i huaj në vend të huaj. Ai përjetoi dhe shenjtëroi këtë formë jete, që njerëz të panumërt përjetojnë edhe sot e kësaj dite.
Më vonë, gjatë veprimtarisë së Tij publike, Krishti theksoi detyrën e respektit dhe interesit ndaj të huajve. Madje, duke folur për fundin e historisë, Ai u identifikua me ta. Në Gjykimin përfundimtar gjatë Ardhjes së Tij të Dytë, si kriter bazë që do të ndikojë përfundimisht në vlerësimin e njerëzve, Ai përcaktoi qëndrimin e tyre ndaj të huajve: “Isha i huaj dhe ju më morët në shtëpi”, ose për ata që qëndruan indiferentë në këtë detyrim: “isha i huaj dhe ju nuk më morët brenda” (Matth. 25:35,43).
Jisui u gjend në pozitën e “të huajit” si në fillim ashtu dhe në fund të jetës së Tij në tokë. Një himn paraqet Këshilltarin e nderuar Josif, duke i kërkuar Pontit Pilat Trupin e Krishtit të kryqëzuar, me këto fjalë: “Jepmë këtë të huaj që u bë i huaj qëkurse ishte foshnjë”, të cilin “hebrenjtë” dhe armiqtë e Tij të herëpashershëm “e bënë të huaj për shkak të smirës”.

* *
Jetesa në dhé të huaj, mërgimi, ka plagosur botën e sotme. Kulmon me emigrimin e zgjerohet më tepër nga të qenët i huaj, gjë që e ndiejnë shumë njerëz në një mjedis shoqëror indiferent. Të gjithë ata që gjatë këtyre të kremteve rrojnë në mërgim apo në forma të ndryshme mërgimi, le të sjellin ndër mend me besë Mërgimtarin e madh, i Cili përjetoi edhe këtë përvojë njerëzore dhe është i gatshëm t’u gjendet pranë në vuajtjet, privimet dhe vetminë e tyre, kudo që ata ndodhen.
Ato familje që kanë pjesëtarë të tyre në dhé të huaj, ndërsa mendjen e tyre e kanë të drejtuar tek të mërguarit, dashurinë e tyre le t’ia bëjnë lutje të thellë Atij “që di të përkujdeset për të varfrit dhe të huajt”. Çdo njeri merr mbështetje, kur ndien se disa njerëz e duan me të vërtetë dhe mendojnë për të, qoftë edhe nëse ndodhen larg tij.
Shumë takojnë në vendin e tyre njerëz që kanë lënë atdheun të shtyrë nga nevoja të ndryshme mbijetese. Frika, dyshime dhe shqetësime ndaj atij që është ndryshe dhe i huaj, synojnë t’u mbyllin zemrat. Të gjithë ne që I besojmë vërtet Krishtit, le të mos harrojmë se respekti ynë për të huajin, pasqyrohet në Vetë Krishtin, i Cili u identifikua aq qartë me të.
* *
Por, përveç atyre që janë formalisht të “huaj”, në epokën e sotme shpesh vendosim në kategorinë e të huajit edhe njerëz të njohur dhe të afërt. I largojmë dhe i izolojmë ata; dhe arrijmë derisa të shohim si të “huaj” madje dhe njeriun që kemi pranë. Tendenca e distancimit e shkreton jetën tonë. Ashtu si ndryshimet klimaterike në planet zgjerojnë gjithnjë e më shumë shkretëtirat, në të njëjtën mënyrë edhe ndryshimet e sotme sociale shkretojnë marrëdhëniet njerëzore, sidomos në qytete. Ndaj, njerëzit e përballojnë njëri-tjetrin në mënyrë patetike, indiferente, si të huaj, dhe e lënë veten e tyre të zhytet në vetmi.
Ky izolim i individit, i egos, shpesh arrin në pikën tragjike të largimit, madje dhe nga elementi më i çmuar i personalitetit tonë: nga thellësia e vetes sonë, nga nevojat dhe kërkimet tona ekzistenciale. Shumë nga ne i shmangemi të merremi me “qenien” tonë të vërtetë, me personin tonë të vërtetë. Përfundimisht ne e kalojmë atë si të ishte “i huaj”.
Shkaku? Sa më shumë largohemi nga “Qenia e Qenësishme”, Zoti i gjithësisë, Perëndia Triadik, aq më shumë bëhemi të huaj me veten tonë dhe me të tjerët; jo vetëm me ata që janë formalisht të huaj, pra të ardhur, por edhe me njerëzit tanë më të afërt.
Mishërimi i Fjalës Hyjnore dhe mënyra e Ardhjes së Saj në tokë ka rëndësi të madhe dhe unikale për secilin nga ne. Një himnshkrues i Kishës sonë, duke iu drejtuar Perëndinjeriut, thotë shprehimisht: “I huaj u bë në të tijat, për të thirrur të kthehej në qiell, atë që kishte mërguar mjerueshëm larg nga Parajsa” (Ode I, 24 dhjetor). Me Trupëzimin e Tij, me jetën, veprën dhe sakrificën e Tij, Krishti na çliroi nga “mërgimi” më tragjik, largimi nga Perëndia. Të bashkuar me Të, nuk jemi më “të huaj dhe të jashtëm”, por “pjesëtarë të familjes” së Perëndisë (Efes. 2:19).
* *
Duke festuar Krishtlindjet, ftohemi të ndërgjegjësohemi se respekti ynë dhe interesimi për tjetrin, “të huajin”, është shprehje e besimit dhe e dashurisë për Vetë Krishtin, i Cili me Lindjen e Tij veshi të gjithë natyrën njerëzore.
Le të urojmë dhe të përpiqemi, në vitin që po vjen, për të rritur interesimin dhe dashurinë tonë për Fjalën e Perëndisë të bërë njeri, Krishtin, dhe për vëllezërit tanë – si për ata që ne i quajmë “tanët” ashtu dhe për ata që i konsiderojmë “të huaj”.

Gëzuar Krishtlindjet dhe Vit të Ri të bekuar!
Me të gjithë dashurinë më Krishtin Jisu, Zotin tonë,
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.