E martë, 13 dhjetor 2022 – Leximet Biblike.

APOSTULLI - 1Timotheut 5:11-21.

Por hiq dorë nga të vejat më të reja; sepse si të mërziten nga Krishti, duan të martohen; duke u bërë mëkatare, sepse shkelën besimin e parë. Edhe në të njëjtën kohë mësohen të jenë përtace duke shkuar shtëpi më shtëpi; edhe jo vetëm përtace, po edhe fjalëshumta e kureshtare, duke folur ato që s’duhen. Dua pra të rejat të martohen, të bëjnë fëmijë, të bëhen zonja shtëpie, të mos i japin asnjë shkak armikut për të folur keq. Sepse disa nga ato tani janë kthyer pas satanait. Në qoftë se ndonjë besimtar a besimtare ka të veja, le t’u japë atyre të nevojshmet, edhe le të mos ngarkohet kisha, që të mundë t’u ndihmojë atyre që janë me të vërtetë të veja. Pleqtë e kishës që drejtojnë mirë punën, le të nderohen dy herë më tepër, më fort ata që mundohen me fjalë e me mësim. Sepse shkrimi thotë: “Nuk do të mbyllësh gojën e kaut që shin”, dhe “I denjë është punëtori për pagën e tij”. Mos prano kallëzim kundër plakut, veç përpara dy a tre dëshmitarëve. Ata që mëkatojnë qortoi përpara të gjithëve, që të kenë frikë dhe të tjerët. Të urdhëroj përpara Perëndisë edhe Zotit Jisu Krisht, edhe engjëjve të zgjedhur, t’i ruash këto pa bërë dallim në mes njerëzve, e asgjë të mos bësh duke mbajtur anë.

UNGJILLI - Marku 8:22-26.

Edhe vjen në Betsaida; edhe i sjellin një të verbër, edhe i luten ta prekë. Edhe si i zuri dorën të vërbërit, e nxori jashtë fshatit; edhe si pështyu në sytë e tij, vuri duart mbi të, edhe e pyeste në sheh gjë. Edhe ai si ngriti sytë, tha: Shoh njerëzit që ecin si drurë. Pastaj përsëri vuri duart mbi sytë e atij dhe e bëri atë të shikojë qartë, edhe u shërua, edhe i shihte kthjellët të gjitha. Edhe e dërgoi në shtëpinë e tij, duke thënë: As në fshat të mos hysh, as të mos ia thuash këtë njeriu në fshat.