E hënë, 12 dhjetor 2022 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Efesianëve 5:8-19.

Sepse dikur ishit errësirë, po tani jeni dritë në Zotin. Ecni si bij drite, sepse fryti i Frymës është në çdo mirësi, e drejtësi, e të vërtetë; duke provuar ç’është e pëlqyeshme për Zotin. Edhe mos u shoqëroni në punët e pafrytshme të errësirës, por më tepër t’i qortoni. Sepse ato që bëhen fshehurazi nga ata, është turp edhe të thuhen. Po gjithë sa qortohen nga drita bëhen të dukshme; sepse çdo gjë që bëhet e dukshme është dritë. Prandaj thotë: Ngrihu ti që fle, edhe ngjallu prej së vdekurish, edhe Krishti do të të ndriçojë. Shikoni pra si të ecni me kujdes; jo si të marrë, po si të urtë, duke shfrytëzuar kohën, sepse ditët janë të këqija. Prandaj mos u bëni të pamend, po nga ata që kuptojnë ç’është dëshira e Zotit. Edhe mos u dehni me verë, në të cilën ka plangprishje; por mbushuni me Frymë të Shenjtë, duke folur midis jush me psalme e me himne dhe me këngë shpirtërore, duke i kënduar e duke i psalur Zotit me zemrën tuaj.

UNGJILLI - Joani 10:9-16.

Unë jam dera. Në hyftë ndonjë me anën time, do të shpëtojë, edhe do të hyjë, edhe do të dalë, edhe do të gjejë kullotë. Vjedhësi nuk vjen, veçse për të vjedhur e për të therur e për të prishur. Unë erdha që të kenë jetë, edhe ta kenë me të tepërt. Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë vë jetën e tij për dhentë. Po ai që është rrogëtar, edhe që s’është bari, i cili nuk i ka dhentë të tijat, sheh ujkun duke ardhur, edhe lë dhentë e ikën, edhe ujku i rrëmben ato, edhe shpërndan dhentë. Edhe rrogëtari ikën, sepse është rrogëtar, edhe s’do t’ia dijë për dhentë. Unë jam bariu i mirë, edhe njoh të miat, edhe njihem prej të miave. Siç më njeh Ati, edhe unë e njoh Atin; edhe vë jetën time për dhentë. Kam edhe të tjera dhen, të cilat s’janë prej këtij oborri; duhet t’i mbledh edhe ato; edhe do të dëgjojnë zërin tim; edhe do të bëhet një tufë, një bari.