Pavli, apostull i Jisu Krishtit me anë të vullnetit të Perëndisë, sipas premtimit të jetës që është në Krishtin Jisu, Timotheut, birit të dashur, i qoftë hir, përdëllim, paqe prej Perëndisë Atë, edhe prej Krishtit Jisu, Zotit tonë.
Mos kij turp pra për dëshminë e Zotit tonë, edhe për mua të burgosurin e tij; por vuaj bashkë me mua për ungjillin sipas fuqisë së Perëndisë; i cili na shpëtoi dhe na thirri me thirrje të shenjtë, jo sipas punëve tona, po sipas vendimit dhe hirit të tij që na u dha në Krishtin Jisu që përpara kohëve të përjetshme, edhe që u zbulua tani me anë të shfaqjes së shpëtimtarit tonë Jisu Krisht, i cili prishi vdekjen, edhe nxori në dritë jetën dhe pavdekësinë me anë të ungjillit. Për këtë u vura unë predikues dhe apostull e mësues i kombeve; shkak për të cilin edhe i pësoj këto; por nuk kam turp; sepse e di kujt i kam besuar, edhe jam i bindur se ai mund të ruajë deri në atë ditë atë që mua më është besuar.
Ruaj formën e fjalëve të shëndosha që dëgjove prej meje, me besim e me dashuri që është në Krishtin Jisu. Të mirën që t’u besua ruaje me anë të Frymës së Shenjtë që rri ndër ne.
Ti e di këtë, se të gjithë ata që janë në Azi më kthyen krahët, prej të cilëve është Figjeli dhe Hermogjeni. Zoti i dhëntë përdëllim shtëpisë së Onisiforit, sepse shumë herë më dha zemër dhe s’pati turp prej hekurave të mi, po kur erdhi në Romë, më kërkoi me shumë ngulm dhe më gjeti. Zoti i dhëntë atij të gjejë përdëllim nga Zoti në atë ditë. Edhe sa më shërbeu në Efes, ti i di më mirë.
Edhe erdhi në Kapernaum; edhe kur hyri në shtëpi, i pyeste ata: Ç’mendonit udhës në mes tuaj? Po ata s’bënin zë; sepse udhës flisnin në mes tyre, cili është më i madh. Edhe si ndenji, thirri të dymbëdhjetët, edhe u thotë atyre: Kush të dojë të jetë i parë, do të jetë i fundit i të gjithëve, edhe shërbëtor i të gjithëve.
Edhe mori një fëmijë të vogël dhe e vuri në mes tyre, edhe si e mori në krahë, u tha atyre: Kush të presë një nga të këtillët fëmijë të vegjël në emrin tim, më pret mua; edhe kush të më presë mua, s’më pret mua, po atë që më ka dërguar.
Edhe Joani iu përgjigj, duke thënë: Mësues, pamë dikë që nxirrte demonë në emrin tënd, i cili nuk na vjen pas; edhe e ndalëm sepse nuk na vjen pas. Po Jisui tha: Mos e pengoni, sepse s’ka asnjë që do të bëjë çudi në emrin tim, edhe do të mundë menjëherë të flasë keq për mua.
Sepse kush nuk është kundër nesh, është me ne. Sepse kush t’ju japë juve një gotë ujë në emrin tim, se jeni të Krishtit, me të vërtetë po ju them juve, nuk do ta humbasë pagën e tij.