Të cilët me anë të besimit mundën mbretëri, punuan drejtësi, fituan premtime, mbyllën gojë luanësh, shuan fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i thikës, morën fuqi nga dobësitë, u bënë të fortë në luftë, thyen ushtritë e të huajve.
Gra morën të vdekurit e tyre të ngjallur; edhe të tjerë u munduan, sepse nuk pranuan shpëtimin, që të fitonin një ngjallje më të mirë. Edhe të tjerë u provuan me të përqeshura e me të rrahura, po edhe me të lidhura e me burgime.
U vranë me gurë, u sharruan më dysh, u nganë, vdiqën të vrarë prej shpate; endeshin lart e poshtë veshur me lëkurë dhensh, e me lëkurë dhish, në nevojë, në shtrëngime, në keqtrajtime, ata për të cilët bota nuk ishte e denjë; duke u endur nëpër shkretëtira e nëpër male e nëpër shpella e nëpër vrimat e dheut.
Edhe këta të gjithë, ndonëse morën dëshmi të mirë me anë të besimit, nuk morën premtimin, sepse Perëndia pati urdhëruar që përpara një gjë më të mirë për ne, që të mos bëhen të përsosur pa ne.
Prandaj dhe ne, të rrethuar prej një reje kaq të madhe dëshmitarësh, le të hedhim tej çdo barrë dhe mëkatin që na pushton lehtë, edhe me durim le të vrapojmë në rrugën që është përpara nesh, duke shikuar tek Jisui që është kryet dhe fundi i besimit, i cili për gëzimin që ishte përpara tij duroi kryqin, duke përbuzur turpin, edhe ndenji në të djathtë të fronit të Perëndisë.
Edhe pas dy ditësh ishte pashka dhe të pabrumëtat; edhe kryepriftërinjtë e shkruesit kërkonin si ta kapin me mashtrim dhe ta vrasin.
Edhe thoshin: Jo të kremten, se mos bëhet trazirë në popull.
Edhe ndërsa ai ishte në Betani, në shtëpinë e Simon lebrozit, duke ndenjur në tryezë, erdhi një grua që kishte një alabastër me miro nardi të pastër shumë të shtrenjtë; edhe si e theu alabastrin, e derdhi mbi kryet e tij.
Edhe ishin disa që zemëroheshin në veten e tyre e thoshin: Pse të humbasë kjo miro?
Sepse kjo miro mund të shitej mbi treqind dinarë dhe t’u jepeshin të varfërve; edhe e qortonin ashpër atë.
Po Jisui tha: Lëreni; pse e mundoni? Punë të mirë bën për mua.
Sepse të varfërit i keni gjithnjë me vete, edhe kur të doni, mund t’u bëni mirë atyre; po mua nuk më keni gjithnjë.
Atë që mundi, ajo e bëri; arriti që përpara të lyejë me miro trupin tim për varrimin.
Me të vërtetë po ju them juve: Kudo që të predikohet ky ungjill në gjithë botën, edhe ç’bëri kjo do të flitet për kujtim të saj.
Edhe Juda Iskarioti, një nga të dymbëdhjetët, shkoi te kryepriftërinjtë që t’ua dorëzojë atë atyre.
Edhe ata kur dëgjuan, u gëzuan; edhe iu zotuan t’i japin argjende. Edhe ai kërkonte sesi në kohën e duhur ta dorëzojë atë.