Dhe në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë të arta e të argjendta, po edhe të drunjta e prej balte; edhe disa duhen për punë të nderuar, e disa për punë të panderuar. Në pastroftë pra ndonjë veten e tij nga këto, do të jetë enë për punë të nderuar, e shenjtëruar, edhe e vlefshme për të zotin, e bërë gati për çdo punë të mirë.
Edhe largohu nga dëshirat e djalërisë edhe bjeri pas drejtësisë, besimit, dashurisë, paqes bashkë me ata që thërresin në Zotin me zemër të pastër. Edhe hiq dorë nga debatet e marra e të trasha, duke ditur se ato lindin grindje. Edhe shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet, po të jetë i butë me të gjithë, i zoti të mësojë të tjerët, që duron të ligën, që ndreq me butësi ata që kanë mendime të kundërta, se mbase u jep atyre Perëndia pendim, që të njohin të vërtetën, edhe të shpëtojnë nga laku i djallit, prej të cilit janë zënë robër në dëshirën e tij.
Edhe kush të skandalizojë një nga këta të vegjlit që besojnë tek unë, është më mirë për atë, t’i vihet një gur mulliri rreth qafës së tij, edhe të hidhet në det.
Edhe në të skandalizoftë dora jote, preje; është më mirë për ty të hysh në jetë me një dorë, se duke pasur të dy duart të shkosh në gjehenë, në zjarr të pashuar, ku “krimbi i tyre s’ka të mbaruar, edhe zjarri s’ka të shuar”.
Edhe në të skandalizoftë ty këmba jote, preje; sepse është më mirë për ty të hysh në jetë me një këmbë, se duke pasur të dy këmbët të hidhesh në gjehenë, në zjarr të pashuar, ku “krimbi i tyre s’ka të mbaruar, edhe zjarri s’ka të shuar”.
Edhe në të skandalizoftë syri yt, nxirre; është më mirë për ty të hysh me një sy në mbretërinë e Perëndisë, se duke pasur dy sy të shkosh në gjehenë të zjarrit, ku “krimbi i tyre s’ka të mbaruar, edhe zjarri s’ka të shuar”.
Sepse çdo njeri me zjarr do të kripet, edhe çdo theror me kripë do të kripet. E mirë është kripa, po në u bëftë kripa e pakripë, me se do ta ndreqni? Kini kripë në veten tuaj dhe paqe njëri me tjetrin.
Edhe si u ngrit andej, vjen në kufijtë e Judesë, në anën e përtejme të Jordanit, edhe prapë turma shkojnë bashkë tek ai, edhe siç e kishte zakon, përsëri i mësonte.