E martë, 20 dhjetor 2022 – Leximet Biblike.

APOSTULLI - 2 Timotheut 3:16-4:4.

Gjithë Shkrimi është i perëndifrymëzuar, edhe i dobishëm për mësim, për qortim, për ndreqje, për arsim që është me drejtësi; që të jetë i përsosur njeriu i Perëndisë, i përgatitur për çdo punë të mirë. Të urdhëroj pra unë përpara Perëndisë edhe Zotit Jisu Krisht, që ka për të gjykuar të gjallë e të vdekur në shfaqjen e tij dhe në mbretërinë e tij: Prediko fjalën, ngulmo me kohë e pa kohë, qorto, këshillo, nxit me çdo zemërgjerësi edhe mësim. Sepse ka për të ardhur koha kur nuk do të durojnë mësimin e shëndoshë, por do të mbledhin grumbull pranë vetes së tyre mësues sipas dëshirave të tyre, për të gudulisur veshët. Edhe prej së vërtetës do të largojnë dëgjimin, edhe do të kthehen pas përrallave.

UNGJILLI - Marku 10:2-12.

Edhe si i erdhën pranë Farisenjtë, e pyetnin duke e ngarë atë: A është e udhës burri ta lërë gruan? Edhe ai u përgjigj e u tha atyre: Ç’ju ka urdhëruar Moisiu? Edhe ata thanë: Moisiu dha leje të shkruajë kartë ndarjeje dhe ta lërë. Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Për zemrën tuaj të ashpër jua shkroi juve këtë urdhërim. Po që në fillim të krijesës, mashkull e femër i bëri ata Perëndia. “Për këtë punë njeriu do të lërë të atin e të ëmën, edhe do të ngjitet pas gruas së tij, edhe do të jenë të dy në një mish”, kaq sa nuk janë më dy, po një mish. Atë pra që Perëndia e bashkoi, njeriu le të mos e ndajë. Edhe në shtëpi përsëri e pyetnin nxënësit e tij po për atë. Edhe u thotë atyre: Kush të lërë gruan e tij e të martohet me tjetër, shkel kurorën kundrejt saj. Edhe gruaja, në lëntë burrin e saj dhe të martohet me tjetër, shkel kurorën.