Le të përçojmë gëzim në sofrat e familjeve në nevojë me rastin e Krishtlindjes!

Realizohet një ndër nismat më të mëdha të ndërmarra ndonjëherë nga Rinia Ortodokse Tirane përgjatë këtyre viteve:

Me bekimin e Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Anastas, Rinia Ortodokse e Tiranës nën drejtimin e At Grigor Pelushit ndërmorri nismën për të përcjellë Lajmin e gëzueshëm të Lindjes së Krishtit në zemrat dhe në sofrat e vëllezërve dhe motrave tona. Thirrjes së të rinjve ju përgjigjën besimtarë të shumtë brenda dhe jashtë vendit si edhe ish-pjestarë të Rinisë Ortodokse të Tiranës. Shembulli dhe modeli që ofron Hierarku i Kishës tonë Kryepiskopi Anastas frymëzon të rinjtë tanë të jenë të dhembshur dhe solidarë duke ndërmarrë nisma konkrete duke përçuar shpresë dhe gëzim. Kjo ishte një ndër nismat më të mëdha të ndërmarra ndonjëherë nga Rinia Ortodokse e Tiranës ku brenda një kohe të shkurtër u arrit të siguroheshin ushqime, veshmbathje, ilaçe për qindra familje. Askush nga ne nuk mund ta besonte se do të ndodhte kjo por “gjërat e pamundura për njerëzit, janë të mundura për Perëndinë”. Me plot mirënjohje dhe gëzim na mirëpritën nëpër familje, kisha, vende publike, vëllezërit dhe motrat tona në nevojë duke shprehur vlerësim dhe respekt të madh pë Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë si edhe për Hierarkun e saj Kryepiskopin Anastas i cili gjithmonë frymëzon bijtë dhe bijat e kishës të shprehin dashurinë e tyre me vepra konkrete pranë vëllezërve dhe motrave që kanë nevojë. Rinia Ortodokse e Tiranë i shpreh mirënjohje të gjithë dhuronjësve bujarë të cilët ju përgjigjën thirrjes dhe mobilizimit të tyre për të Kremten e madhe të Krishtlindjes 2022. E gjitha kjo u arrit falë një bashkëpunimi të ndërsjellë midis stafit të Rinisë Ortodokse të Tiranës dhe klerikëve përgjegjës të enorive të kryeqytetit At Viktor Bërdufit, At Ilia Maznikut, At Emanuel Lushës, At Nikolla Kodhelit si edhe drejtuesit të klinikës Orthodhokse “Ungjillëzimi” z. Vasil Kristo. Falenderojmë të gjithë miqtë tanë brenda dhe jashtë vendit për ndihmën që na ofruan për ta përmbushur këtë nismë. Së bashku mundemi! KRISHTINDJE 2022