E enjte, 5 janar 2023 – Leximet biblike

APOSTULLI - 1Korinthianëve 9:19-27.

Sepse duke qenë i lirë nga të gjitha, e bëra veten shërbëtor të të gjithëve, që të fitoj më të shumtët. Edhe u bëra tek Judenjtë si Jude, që të fitoj Judenjtë; tek ata që janë nën ligj u bëra si nën ligj, që të fitoj ata që janë nën ligj. Tek ata pa ligj u bëra pa ligj, ndonëse nuk isha pa ligj tek Perëndia, po me ligj në Krishtin, që të fitoj ata pa ligj. Tek të dobëtit u bëra si i dobët, që të fitoj të dobëtit; tek të gjithë u bëra të gjitha, që me çdo mënyrë të shpëtoj disa veta. Edhe këtë e bëj për ungjillin, që të bëhem bashkëpjesëmarrës i atij. A nuk e dini se vrapuesit në stadium që të gjithë vrapojnë, po një e merr çmimin; kështu, vraponi që ta merrni. Edhe çdo vrapues e përmban veten nga të gjitha; ata praqë të marrin një kurorë që prishet, kurse ne një kurorë që s’prishet. Unë pra kështu vrapoj, jo sikur jam në dyshim; kështu luftoj me grusht, jo sikur rrah erën, po mundoj trupin tim dhe e bëj skllav, se mos, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, unë hidhem poshtë.

UNGJILLI - Llukai 3:1-18.

Edhe në të pesëmbëdhjetin vit të mbretërimit të Tiber Cezarit, kur Pont Pilati ishte qeveritar i Judesë, edhe Herodi tetrark i Galilesë, edhe Filipi, vëllai i tij, tetrark i Ituresë dhe i vendit të Trakonitidës, edhe Lisania tetrark i Abilenës, në kohën e kryepriftërinjve Ana e Kaiafa, erdhi fjala e Perëndisë mbi Joanin, të birin e Zaharisë në shkretëtirë. Edhe ai erdhi në gjithë viset rreth Jordanit, duke predikuar pagëzim pendimi për ndjesën e mëkateve, siç është shkruar në librin e fjalëve të profetit Isaia, që thotë: “Zëri i atij që thërret në shkretëtirë: Bëni gati udhën e Zotit, bëni të drejta rrugët e tij. Çdo luginë e thellë do të mbushet, dhe çdo mal e kodër do të ulet, edhe të shtrembërat do të bëhen të drejta, edhe udhët e ashpra të sheshta; edhe çdo mish do të shohë shpëtimin e Perëndisë”. U thoshte pra turmave që dilnin për t’u pagëzuar prej tij: Pjellë nepërkash, kush ju tregoi juve të ikni prej zemërimit që ka për të ardhur? Bëni pra fryte të vlefshme për pendim, edhe mos filloni të thoni me veten tuaj: Atë kemi Abrahamin; sepse po ju them juve, se Perëndia mundet prej këtyre gurëve t’i ngrerë djem Abrahamit. Dhe tashmë edhe sëpata gjendet në rrënjët e drurëve; çdo dru pra që nuk bën fryt të mirë, pritet dhe hidhet në zjarr. Edhe turmat e pyetnin, duke thënë: Ç’të bëjmë pra? Edhe ai u përgjigj e u thotë atyre: Kush ka dy këmisha le t’i japë atij që s’ka; edhe kush ka të ngrëna, po ashtu le të bëjë. Erdhën edhe tagrambledhës që të pagëzoheshin, edhe i thanë: Mësues, ç’të bëjmë? Edhe ai u thotë atyre: Mos merrni gjë më tepër veç asaj që ju është urdhëruar. Edhe e pyetnin atë edhe ushtarë, duke thënë: Po ne ç’të bëjmë? Edhe u tha atyre: Mos përfitoni duke shpifur e duke kërcënuar; dhe mjaftohuni me pagat tuaja. Edhe ndërsa populli ishte duke pritur, dhe të gjithë mendoheshin në zemrat e tyre për Joanin, vallë, mos është ai Krishti, Joani iu përgjigj të gjithëve, duke thënë: Unë ju pagëzoj me ujë; por vjen më i forti se unë, të cilit s’jam i zoti t’i zgjidh rripin e sandaleve të tij; ai do t’ju pagëzojë me Frymë të Shenjtë e me zjarr; ai mban lopatën në dorën e tij dhe do të pastrojë krejt lëmin e tij, edhe do të mbledhë grurin në grunarin e tij, edhe kashtën do ta djegë në zjarr të pashuar. Edhe duke nxitur popullin me shumë të tjera, i jepte atij lajmin e mirë.