Sepse u shfaq hiri i Perëndisë që sjell shpëtim në gjithë njerëzit, i cili na mëson të mohojmë pabesinë dhe dëshirat e botës, e të rrojmë me urtësi e me drejtësi e me shprestari në këtë jetë, duke pritur shpresën e lumur dhe shfaqjen e lavdisë së të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht; i cili dha veten e tij për ne, që të na shpërblejë prej çdo paudhësie, edhe të pastrojë për veten e tij një popull të zgjedhur, të zellshëm për punë të mira.
Po kur u shfaq për njerëzit mirësia dhe dashuria e Shpëtimtarit tonë Perëndi, jo prej veprash drejtësie që kryem ne, po sipas përdëllimit të tij na shpëtoi, me anë të larjes së rilindjes, edhe me anë të përtëritjes së Frymës së Shenjtë, që e derdhi me dorë të hapët mbi ne me anë të Jisu Krishtit, Shpëtimtarit tonë; që, pasi të dalim të drejtë me anë të hirit të tij, të bëhemi trashëgimtarë sipas shpresës së jetës së përjetshme.
Atëherë Jisui vjen nga Galilea në Jordan tek Joani, që të pagëzohet prej tij. Po Joani e ndalonte me ngulm atë, duke thënë: Unë kam nevojë të pagëzohem prej teje, e ti vjen tek unë? Edhe Jisui u përgjigj e i tha: Lëre tani, sepse kështu ne duhet të përmbushim çdo drejtësi. Atëherë e la atë.
Edhe Jisui, si u pagëzua, u ngrit menjëherë nga uji. Edhe ja tek iu hapën qiejt edhe pa Frymën e Perëndisë duke zbritur si pëllumb e duke ardhur mbi të. Edhe ja një zë nga qiejt që thoshte: Ky është biri im i dashur, që e kam pëlqyer.