Edhe kur ishte Apolloi në Korinth, Pavli, pasi shkoi nëpër anët e sipërme, erdhi në Efes; edhe si gjeti disa nxënës, u tha atyre: A morët Frymë të Shenjtë, kur besuat? Edhe ata i thanë: Por as nuk kemi dëgjuar në ka Frymë të Shenjtë. Edhe ai u tha atyre: Nëse pra u pagëzuat? Edhe ata i thanë: Në pagëzimin e Joanit.
Edhe Pavli tha: Joani pagëzoi pagëzim pendimi, duke i thënë popullit t’i besojnë atij që do të vinte pas atij, domethënë Jisu Krishtit. Edhe ata si dëgjuan, u pagëzuan në emrin e Zotit Jisu. Edhe si vuri Pavli duart mbi ata, erdhi Fryma e Shenjtë mbi ta, dhe flisnin gjuhë e profetizonin. Edhe gjithë këta ishin rreth dymbëdhjetë burra.
Edhe si hyri në sinagogë, u fliste me guxim, duke kuvenduar tre muaj me radhë e duke i bindur për punët e mbretërisë së Perëndisë.
Të nesërmen Joani sheh Jisuin duke ardhur tek ai, dhe thotë: Ja Qengji i Perëndisë, që ngre mëkatin e botës. Ky është ai, për të cilin unë thashë: Pas meje vjen një burrë, i cili është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje. Edhe unë s’e njoha; po që t’i shfaqet Izraelit, për këtë erdha unë duke pagëzuar me ujë.
Edhe Joani dëshmoi, duke thënë se pashë Frymën duke zbritur nga qielli si pëllumb, edhe ndenji mbi të. Edhe unë nuk e njoha; por ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë, ai më tha: Ai mbi të cilin të shohësh Frymën duke zbritur e duke qëndruar mbi të, ky është ai që pagëzon me Frymë të Shenjtë. Edhe unë pashë e dëshmova se ky është i Biri i Perëndisë.