Me anë të besimit Abrahami, kur provohej, pruri Isakun për theror; dhe ai që pati pritur premtimet pruri për theror birin e tij të vetëmlindur, për të cilin qe folur: “Se në Isakun do të quhet fara jote”; duke menduar se Perëndia mund të ngjallë edhe prej së vdekurish, prej të cilëve edhe e mori atë prapë simbolikisht.
Me anë të besimit Isaku bekoi Jakovin dhe Esaun për punët që do të vinin. Me anë të besimit Jakovi duke vdekur bekoi secilin prej bijve të Josifit, “edhe u fal duke u mbështetur mbi majën e shkopit të tij”. Me anë të besimit Josifi duke vdekur përmendi për daljen e bijve të Izraelit nga Egjipti, edhe porositi për eshtrat e tij.
Me anë të besimit Moisiu, si lindi, u fsheh tre muaj prej prindërve të tij, sepse panë se djali ishte i bukur; edhe nuk u trembën nga urdhri i mbretit. Me anë të besimit Moisiu, si u bë i madh, mohoi të quhej i biri i së bijës së Faraonit; sepse zgjodhi më tepër të heqë keq bashkë me popullin e Perëndisë, se të ketë kënaqësi mëkati për pak kohë; duke numëruar poshtërimin e Krishtit për pasuri më të madhe se thesarët në Egjipt; sepse shikonte në shpërblimin.
Me anë të besimit la Egjiptin pa pasur frikë për zemërimin e mbretit; sepse qëndroi si duke parë atë që është i padukshëm. Me anë të besimit bëri pashkën dhe spërkatjen e gjakut, që të mos i prekte ata ai që vriste të parëlindurit. Me anë të besimit shkuan nëpër Detin e Kuq si nëpër tokë, veprim të cilin kur e provuan Egjiptianët, u mbytën.
Me anë të besimit ranë muret e Jerikosë, si u qerthëlluan shtatë ditë. Me anë të besimit e pa moralshmja Rahab nuk humbi bashkë me ata që s’bindeshin, pasi priti zbuluesit me paqe.
Edhe në ato ditë erdhi Jisui nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua nga Joani në Jordan.
Edhe menjëherë, duke dalë nga uji, pa qiejt duke u hapur dhe Frymën e Shenjtë si pëllumb duke zbritur mbi të.
Edhe erdhi një zë nga qiejt: Ti je Biri im i dashur që e kam pëlqyer.
Edhe menjëherë Fryma e nxjerr Jisuin në shkretëtirë.
Edhe ishte atje në shkretëtirë dyzet ditë dhe ngitej nga Satanai. Edhe ishte bashkë me egërsirat. Edhe engjëjt i shërbenin.
Edhe pasi u dorëzua Joani, Jisui erdhi në Galile, duke predikuar Ungjillin e mbretërisë së Perëndisë, edhe duke thënë se u plotësua koha, edhe u afrua mbretëria e Perëndisë; pendohuni, edhe i besoni ungjillit.