Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë edhe ju bashkë me të do të shfaqeni në lavdi. Bëni pra të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi dhe, imoralitetin, papastërtinë, dëshirimin, dëshirën e keqe dhe lakmimin, që është idhujtari, për të cilat vjen zemërata e Perëndisë përmbi bijtë e pabindjes.
Në këto edhe ju ecët dikur, kur rronit në to. Po tani hidhini tej edhe ju të gjitha këto, zemëratën, mërinë, ligësinë, blasfeminë, fjalët e ndyra prej gojës suaj. Mos gënjeni njëri-tjetrit, pasi zhveshët njeriun e vjetër bashkë me punët e tij, edhe veshët të riun që përtërihet në njohje sipas shembëllesës së atij që e ka krijuar; ku s’ka Grek e Jude, rrethprerje e parrethprerje, barbar, Skit, shërbëtor, të lirë, por të gjitha e mbi të gjitha është Krishti.
Edhe kur po hynte në një fshat, e takuan atë dhjetë burra lebrozë, të cilët qëndruan nga larg. Edhe ata ngritën zërin, duke thënë: Jisu, mjeshtër, përdëllena. Edhe kur i pa, u tha atyre: Shkoni e rrëfeni veten tuaj tek priftërinjtë.
Edhe ata duke shkuar u pastruan. Edhe një nga ata, kur pa se u shërua, u kthye duke lavdëruar Perëndinë me zë të madh, edhe ra përmbys në këmbët e tij, dhe e falënderoi; edhe ai ishte samaritan.
Edhe Jisui u përgjigj e tha: A nuk u pastruan që të dhjetë? Po nëntë ku janë? Si nuk u gjetën të tjerë të kthehen që t’i japin lavdi Perëndisë, veç këtij të huaji?
Edhe i tha: Ngrihu, e shko; besimi yt të shpëtoi.