Pra, o vëllezër të mi, forcohuni në Zotin edhe në pushtetin e fuqisë së tij. Vishni gjithë armët e Perëndisë, që të mundeni t’u qëndroni kundër mjeshtërive të djallit; sepse lufta jonë nuk është kundër gjaku dhe mishi, po kundër kryesive, kundër pushteteve, kundër sunduesve të errësirës së kësaj jete, kundër frymërave të liga në vendet qiellore.
Prandaj merrni me vete gjithë armët e Perëndisë, që të mund të qëndroni kundër në ditën e keqe, edhe si t’i keni bërë gati të gjitha, të qëndroni ngritur. Qëndroni pra ngritur të ngjeshur në brezin tuaj me të vërtetën, edhe të veshur me parzmoren e drejtësisë, edhe me këmbë të mbathura me gatishmërinë për ungjillin e paqes, duke marrë mbi të gjitha mburojën e besimit, me të cilin do të mund të shuani gjithë shigjetat e zjarrta të të ligut.
Edhe merrni përkrenaren e shpëtimit, edhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë.
Atëherë Jisui u pru në shkretëtirë nga Fryma, që të ngitej prej Djallit. Edhe si agjëroi dyzet ditë e dyzet net, më pas pati uri. Edhe ai që nget erdhi tek ai e tha: Në je i biri i Perëndisë, thuaj të bëhen bukë këta gurë. Po ai u përgjigj e tha: Eshtë shkruar: “Njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë, po me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë”.
Atëherë Djalli e merr atë në qytetin e shenjtë, edhe e vuri mbi majën e tempullit, edhe i thotë atij: Në je i biri i Perëndisë, hidhu poshtë. Sepse është shkruar: “Se do të urdhërojë engjëjt e tij për ty edhe do të ngrenë ty mbi duart, që të mos përpjekësh këmbën tënde në gur”. Jisui i tha atij: Përsëri është shkruar: “Nuk do të ngasësh Zotin Perëndinë tënd”.
Përsëri Djalli e merr në një mal shumë të lartë, edhe i tregon gjithë mbretëritë e botës edhe lavdinë e tyre, e i thotë: Të gjitha këto do të t’i jap ty, në rënç përdhe të më falesh. Atëherë Jisui i thotë atij: Ik prej meje, Satana. Sepse është shkruar: “Zotit Perëndisë tënd do t’i falesh, edhe vetëm atë do të adhurosh”. Atëherë Djalli e lë atë. Edhe ja engjëjt tek erdhën pranë e i shërbenin.