E shtunë, 21 janar 2023 – Leximet Biblike.

APOSTULLI - 1 Thesalonikasve 5:14-23.

Edhe ju lutemi, o vëllezër, këshilloni të prapët, ngushëlloni zemërlëshuarit, ndihmoni të dobëtit, jini zemërgjerë për të gjithë. Vështroni se mos ia ktheni njëri-tjetrit të keqen me të keqe; po kërkoni përherë të mirën edhe te njëri-tjetri, edhe tek të gjithë. Përherë gëzohuni. Pa pushim lutuni. Për çdo gjë falënderoni, sepse ky është vullneti i Perëndisë për ju në Krishtin Jisu. Mos shuani Frymën. Mos hidhni poshtë profecitë. Të gjitha provojini, të mirën mbani. Hiqni dorë prej çdo lloj ligësie. Edhe vetë Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ju të tërë; edhe gjithë fryma, shpirti dhe trupi juaj u ruajttë pa qortim në ardhjen e Zotit tonë Jisu Krisht. Besnik është ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë.

UNGJILLI - Mateu 24:1-13.

Edhe pasi Jisui doli e po ikte nga tempulli, nxënësit e tij i erdhën pranë që t’i tregojnë ndërtesat e tempullit. Po Jisui u tha atyre: A nuk i shihni gjithë këto? Me të vërtetë po ju them juve: Nuk do të mbetet këtu gur mbi gur që të mos rrëzohet. Edhe ndërsa ai ishte duke ndenjur mbi Malin e Ullinjve, nxënësit iu afruan mënjanë, duke thënë: Thuajna, kur do të bëhen këto? Edhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e mbarimit të jetës? Edhe Jisui u përgjigj e u tha: Shikoni se mos ju gënjen ju ndonjë. Sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim, duke thënë: Unë jam Krishti, dhe do të gënjejnë shumë njerëz. Edhe do të dëgjoni luftëra e zëra luftërash. Shikoni, mos u turbulloni, sepse të gjitha këto duhet të bëhen; por fundi ende nuk është. Sepse do të ngrihet komb kundër kombi, edhe mbretëri kundër mbretërie; edhe do të ketë zi buke dhe murtaja, edhe tërmete në vende të ndryshme. Por të gjitha këto janë fillimi i dhimbjeve të lindjes. Atëherë do t’ju dorëzojnë ju për shtrëngim, edhe do t’ju vrasin; edhe do të urreheni nga gjithë kombet për emrin tim. Edhe atëherë do të skandalizohen shumë veta, edhe do të dorëzojnë njëri-tjetrin, edhe do të urrejnë njëri-tjetrin. Edhe shumë profetë të rremë do të ngrihen edhe do të gënjejnë shumë veta; Edhe pasi të shumohet paligjshmëria, dashuria e të shumtëve do të ftohet. Po kush të durojë deri në fund, ky do të shpëtojë.