E besueshme është fjala dhe e denjë për t’u pranuar. Sepse për këtë edhe mundohemi edhe përbuzemi, se shpresuam në Perëndinë e gjallë, i cili është shpëtimtari i gjithë njerëzve, po më fort i besimtarëve. Këto porosit edhe mëso. Askush le të mos të të përbuzë për rininë tënde, po bëhu shembull i besimtarëve në fjalë, në shoqëri, në dashuri, në frymë, në besim, në dëlirësi.
Deri sa të vij unë, jepu pas leximit, pas këshillimit, pas mësimit. Mos ji i pakujdesshëm për dhuntinë që është tek ti, e cila t’u dha me anë profecie, me vënien e duarve të pleqësisë. Për këto kujdesu, në këto qëndro, që të shfaqet mbarësia jote tek të gjithë.
Edhe Jisui hyri e shkonte nëpër Jeriko.
Edhe ja një njeri i quajtur me emrin Zakhe, i cili ishte kryetagrambledhës. Dhe ky ishte i pasur. Edhe kërkonte të shihte Jisuin se cili është; po nuk mundej nga turma, sepse ishte i vogël në shtat. Edhe u sul përpara e hipi mbi një man që ta shihte, sepse nga ajo udhë do të shkonte. Edhe Jisui, si erdhi në atë vend, ngriti sytë dhe e pa atë, edhe i tha: Zakhe, zbrit shpejt; sepse sot unë duhet të qëndroj në shtëpinë tënde. Edhe zbriti shpejt dhe e priti me gëzim.
Edhe të gjithë, kur panë, murmurisnin, duke thënë se hyri të rrijë te një njeri mëkatar.
Edhe Zakheu qëndroi e i tha Zotit: Ja, o Zot, gjysmën e pasurisë sime tek po ua jap të varfërve, edhe në i kam marrë gjë njeriu me mashtrim, ia kthej katërfish. Edhe Jisui i tha se sot u bë shpëtim në këtë shtëpi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit. Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë e të shpëtojë të humburën.