Edhe unë, o vëllezër, në qoftë se predikoj ende rrethprerjen, pse përndiqem ende? Atëherë u hoq skandali i kryqit. Do të doja që ata që ju turbullojnë u copëtofshin. Sepse ju, o vëllezër, u thirrët në liri; vetëm mos e përdorni lirinë për t’i shërbyer mishit, po me anë të dashurisë t’i shërbeni njëri-tjetrit. Sepse gjithë ligji përmbushet në një fjalë, në këtë: “Duaje të afërmin tënd si veten tënde”. Po nëse kafshoni e hani njëri-tjetrin, shikoni mos shkatërroheni nga njëri-tjetri.
Them pra: Ecni sipas Frymës, edhe nuk do të bëni dëshirimin e mishit. Sepse mishi dëshiron kundër Frymës, edhe Fryma kundër mishit; edhe këta janë njëri kundër tjetrit, që të mos bëni ato që doni. Po në qoftë se ju udhëheq Fryma, nuk jeni nën ligj.
Edhe veprat e mishit janë të dukshme, të cilat janë kurorëshkelja, kurvëria, papastërtia, shthurja, idhujtaria, magjia, armiqësitë, grindjet, zilitë, zemëratat, zënkat, mosmarrëveshjet, herezitë, smirat, vrasjet, dehjet, plangprishjet dhe të ngjashme me këto, për të cilat ju parathem, siç edhe jua parathashë, se ata që bëjnë të tilla, s’kanë për të trashëguar mbretëri Perëndie.
Pastaj Farisenjtë e shkruesit e pyesin: Përse nxënësit e tu nuk ecin sipas traditës së pleqve, po me duar të palara hanë bukën?
Po ai u përgjigj e u tha atyre se mirë profetizoi Isaia për ju hipokritët, sikundër është shkruar: “Ky popull me buzët më nderon, po zemra e tyre është larg prej meje. Edhe kot më nderojnë, duke mësuar si mësime urdhërimet e njerëzve”.
Sepse keni lënë urdhërimin e Perëndisë, e mbani traditën e njerëzve, të lara enësh e kupash, dhe bëni shumë të tjera të tilla si këto.
Edhe u thoshte atyre: Mirë e shkelni urdhërimin e Perëndisë, që të ruani traditën tuaj. Sepse Moisiu ka thënë: “Ndero atin tënd dhe nënën tënde”; edhe: “Kush flet keq për atin a për nënën të mbarojë me vdekje”.
Ndërsa ju thoni: Në i thëntë njeriu të atit ose së ëmës, atë që do të përfitosh nga unë është korban, domethënë dhuratë për Perëndinë, edhe s’e lini më atë t’i bëjë asgjë të atit ose së ëmës, edhe hidhni poshtë fjalën e Perëndisë me traditën tuaj që kini lënë pas; edhe bëni shumë gjëra të ngjashme si këto.
Edhe si thirri pranë gjithë turmën, u thoshte atyre: Dëgjomëni të gjithë, edhe merrni vesh. S’ka asgjë nga përjashta njeriut që hyn tek ai që mund ta ndyjë, po ato që dalin prej tij, ato janë që e ndyjnë njeriun.
Ai që ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.