Edhe ne, o vëllezër, jemi si Isaaku, bij të premtimit. Po sikurse atëherë ai që lindi sipas mishit përndiqte atë që kishte lindur sipas frymës, kështu edhe tani. Po ç’thotë shkrimi? “Dëboje shërbëtoren dhe birin e saj; sepse s’ka për të trashëguar biri i shërbëtores bashkë me birin e së lirës”.
Nuk jemi pra, vëllezër, bij të shërbëtores, por të së lirës.
Qëndroni pra në lirinë, me të cilën na çliroi Krishti dhe mos hyni përsëri në zgjedhën e skllavërisë.
Ja unë Pavli po ju them juve se po të rrethpriteni, Krishti nuk do t’ju sjellë fare dobi. Edhe përsëri dëshmoj për çdo njeri që rrethpritet, se është i detyruar të zbatojë gjithë ligjin. U ndatë nga Krishti ju që drejtësoheni me anë të ligjit, ratë nga hiri. Sepse ne me anë të Frymës prej besimi presim për shpresën e drejtësisë prej besimit. Sepse në Krishtin Jisu as rrethprerja nuk ka ndonjë fuqi, as parrethprerja, po besimi që bëhet me anë dashurie.
Ju rendnit mirë; kush ju pengoi të mos i bindeni së vërtetës? Kjo bindje nuk është prej atij që ju thërret juve. Pakëz brumë mbrun gjithë mbrujtjen. Unë kam shpresë tek ju me anë të Zotit, se nuk do të mendoni asgjë tjetër; po ai që ju turbullon ju, do të mbajë dënimin, cilido qoftë ai.
Edhe kur dolën nga lundra, ata e njohën menjëherë, edhe vrapuan nga gjithë ato vende përreth e zunë të sillnin mbi shtretër ata që kishin keq atje ku dëgjonin se është. Edhe kudo që hynte në fshatra ose në qytete ose në ara, vinin të sëmurët nëpër tregje dhe i luteshin të preknin qoftë edhe cepin e rrobës së tij; edhe gjithë sa e preknin, shëroheshin.
Edhe mblidhen tek ai Farisenjtë dhe disa nga shkruesit, që kishin ardhur nga Jerusalemi. Edhe kur panë se disa nga nxënësit e tij hanin bukë me duar të papastra, domethënë të palara, i fajësuan.
Sepse Farisenjtë dhe gjithë Judenjtë, në mos lafshin duart sipas zakonit, nuk hanë, se mbajnë traditën e pleqve; Edhe kur kthehen nga tregu, në mos lafshin gjithë trupin, nuk hanë; edhe ka shumë të tjera zakone të cilat i kanë marrë për t’i mbajtur, si të lara kupash, e brokash, e enësh të bakërta, e shtretërish.
Pastaj Farisenjtë e shkruesit e pyesin: Përse nxënësit e tu nuk ecin sipas traditës së pleqve, po me duar të palara hanë bukën?
Po ai u përgjigj e u tha atyre se mirë profetizoi Isaia për ju hipokritët, sikundër është shkruar: “Ky popull me buzët më nderon, po zemra e tyre është larg prej meje. Edhe kot më nderojnë, duke mësuar si mësime urdhërimet e njerëzve”.
Sepse keni lënë urdhërimin e Perëndisë, e mbani traditën e njerëzve, të lara enësh e kupash, dhe bëni shumë të tjera të tilla si këto.