“Ku është, o vdekje, thumbi yt? Ku është, o had, fitorja jote?”
I
ISHTE NJË EPOKË kur në këtë vend mbretëroi fryma e Ferrit. Një ateizëm i dhunshëm vriste ndërgjegjet, mbyste çdo gjë me vlerë që ka jeta njerëzore: lirinë, besimin dhe dashurinë. Të fuqishmit e asaj kohe kërkuan të vrasin Perëndi- në në zemrat e njerëzve, kryqëzuan përsëri Krish- tin për vite me radhë.
E varrosën Atë dhunshëm për dekada. Dhe e vulosën varrin me gurin e rëndë të heshtjes së the- llë. Dhe shpallën në formë panegjirike, me vendi- me kongresesh, se në Shqipëri vdiq Perëndia. Por atje ku të çmendur kërkuan të vrasin Perëndinë, shumë shpejt u zbulua se, ata vranë përfundi- misht njeriun që është shëmbëlltyra e Perëndisë; dhe për më tej, shkrinë shoqërinë njerëzore, e cila nuk mund të jetojë pa Diellin e drejtësisë: Perëndinë. Ateizmi shkatërroi marrëdhëniet individuale dhe shoqërore, u kalli frikën madje edhe luleve në ara, duke mbjellë në vend kafkat e bunkerëve, duke e mbushur atë me varre plot frikë dhe ankth.
Por kjo periudhë kaloi njëherë e mirë. “Krishti u ngjall prej së vdekurish, me vdekje vdekjen shkeli, edhe të varrosurve jetën u fali”. Ky marsh i Orthodhoksëve përmbledh atë çka po ndodh sot në Shqipëri. U ngjall Krishti, dhe bashkë me Të u ngjallën liria, shpresa dhe gëzimi në shpirtrat e njerëzve. Pashka përbën kulmin e besimit të krishterë orthodhoks dhe Ngjallja gjendet në zemrën e spiritualitetit orthodhoks, në shpirtin e besimtarëve orthodhoksë. Prandaj porsa u lejua rikrijimi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, me këtë mesazh filloi riorganizimi i saj. Me fjalët “Krishti u Ngjall!” në gojë udhëtuam nëpër qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë si i dërguar i Patrikanës Ekumenike të Konstandinopolit, të qendrës së orthodhoksisë sonë, e cila kujdeset për besimtarët orthodhoksë në mbarë botën. Siguria e Ngjalljes mbush tani plot me dritë e fuqi zemrat tona dhe kënga e ngjalljes për dashurinë e shpresën jehon në qytetet, malet dhe luginat e këtij vendi dikur të kryqëzuar.
II
Me përshëndetjen gazmore “Krishti u Ngjall!” e kremtojmë ne të krishterët Pashkën. Kjo fjalë përmbledh në vetvete kuptimin e thellë të Ngjalljes së Krishtit. Në Dhiatën e Vjetër fjala Pashkë ka kuptimin e daljes së popullit të Perëndisë nga robëria e Egjiptit drejt lirisë. Kisha e përdori këtë term për të shpallur Pashkën e re, të cilën e përuroi Krishti me Pësimin, Kryqin dhe Ngjalljen e Tij. Dhe me të Krishti vulosi Dhiatën e Re të dashurisë, duke udhëhequr popullin që do ta pasonte në një jetë të re të lirisë, të fitores përfundimtare mbi fuqitë e errësirës e të vdekjes. “Pashkë e Zotit, Pashkë” këndojmë “se prej vdekjes në jetë dhe prej dheut në qiell na shpuri Krishti Perëndia ynë duke kënduar himne fitoreje”.
Me Ngjalljen e Krishtit u krye një kalim i dyfishtë. Së pari, u plotësua kalimi i Perëndisë drejt njerëzimit, shpëtimi i gjinisë njerëzore, që nisi me lindjen e Zotit tonë Jisu Krisht. Së dyti, me Ngjalljen bëhet i mundur edhe kalimi i njeriut drejt Perëndisë, drejt një udhe të re, që përfundimisht shpie në bashkimin me Të, në Hyjnizimin e njeriut. Me Ngjalljen “lindi një jetë e re, një lloj i ri jetese, një ndryshim i vetë natyrës sonë”. Mbi këtë siguri të Ngjalljes u mbështet tërë besimi, përvoja dhe dëshmia e Kishës sonë.
“Po të mos ngjallej Krishti, i kotë do të ishte besimi ynë”. Gjinia njerëzore mund të ndeshet akoma me vdekjen dhe frymërat vdekjeprurëse të padrejtësisë, të urrejtjes, të mëkatit, por vetë vdekja është mundur njëherë e mirë, ajo është shkelur me vdekjen dhe me Ngjalljen e të Tërëfuqishmit, Zotit të gjithësisë, Jisu Krishtit. Dhe ai që bashkohet me të, me anën e besimit, da- shurisë dhe hirit të mistereve të Kishës së Trupit të Tij, do ta mundë edhe ai vdekjen dhe gjithçka lidhet me të dhe do të nxjerrë erën e keqe të saj.
Ky është mesazhi qendror i ditës së sotme.
Sot “kremtojmë vdekjen e vdekjes, rrëzimin e ferrit, nisjen e një jete tjetër dhe himnojmë me ngazëllime shkaktarin”. Akoma më gjerë: “Krishti me Ngjalljen e tij mori nga Perëndia Atë çdo pushtet, në qiell e mbi dhé”, ripërtëriti gjithësinë. Dhe ne psalim sot: “U ndriçua gjithësia me Ngjalljen Tënde, o Krisht”.
III
Për çdo Pashkë, Kisha jonë na fton të çlirohemi nga atmosfera e frikës dhe turbullimit, në fushën e shpresës dhe të paqes; nga padija, në të vërtetën e Perëndisë; nga errësira e mëkatit, në dritën e jetës më Krishtin; nga izolimi i egoizmit, në dashurinë aktive, në shoqërinë më Krishtin; nga ajo çka jemi, në atë që Krishti i Ngjallur dëshiron të bëhemi: njerëz të Tij, që të bashkërendojmë vullnetin tonë me vullnetin e Tij. Me këtë kuptim, le t’i urojmë njëri-tjetrit: Gëzuar Pashkën!
Po veç kësaj, veçanërisht sivjet, bashkë me urimin e ngjalljes “Gëzuar Pashkën”, do të dëshi- roja të shtoj një thirrje, e cila përmblidhet në shprehjen: Në vend që të përshkruajmë errësi- rën, le të ndezim një llambadhe Pashke. Llambadhja e Pashkës simbolizon dritën që shkëlqen nga varri i boshatisur i Krishtit, dritën e shpresës dhe të fitores që shpërndan errësirën. “Ejani, merrni dritë nga drita që nuk perëndon”. Po, llambadhja e Pashkës lidhet dhe me një dinamikë të posaçme. Drita e saj mund dhe duhet t’u jepet dhe llambadheve të tjera të afërta, të shuara, që të ndizen edhe ato. Dhe ka akoma shumë, që, për shkaqe të ndryshme, mbajnë shpirtin e tyre larg nga drita e besimit. Akoma ka shumë nga vëllezërit dhe motrat tona, me ndjenja të holla dhe tendenca fisnike, që mbeten në errësirën e padijes, sepse i mbajnë akoma të lidhur frymët vdekjeprurëse të propagandës ateiste të së kaluarës. Le t’i afrojmë të gjithë këta me respekt, me dashuri, dhe mirëdashje të sinqertë për të kremtuar së bashku këtë të kremte të madhe. “Le t’i ndjejmë të gjithë me rastin e Ngjalljes dhe kështu le të thërresim: Krishti u ngjall prej së vdekurish…”.
Në vend që të mbetemi në errësirë, le të ndezim brenda nesh një llambadhe të Pashkës. Në vend që të përshkruajmë errësirën, le të ndezim një llambadhe për ata që kemi përreth nesh, le të ndezim shumë llambadhe Pashke në shoqërinë tonë, në mënyrë që edhe marshimi i ri përpara i popullit fisnik të Shqipërisë të bëhet një Pashkë e re gëzimi. Me këtë triptik, të dashur vëllezër, le ta panegjerizojmë Pashkën e sivjetme. Përshëndetja jo- në: Krishti u Ngjall! Urimi ynë: Gëzuar Pashkën! Le të mbajmë parasysh gjithmonë: Në vend që të përshkruajmë errësirën, le të ndezim një llambadhe Pashke.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.