E enjte, 2 shkurt 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Hebrenjve 7:7-17.

Edhe pa asnjë kundërshtim më i vogli bekohet nga më i madhi. Edhe këtu njerëz të vdekshëm marrin të dhjeta; po atje merr të dhjeta ai që dëshmohet se rron. Edhe që të them kështu, me anë të Abrahamit edhe Leviu, që merr të dhjeta, dha të dhjeta. Sepse ishte ende në mesin e të atit, kur e takoi Melkisedeku atë. Po të ishte pra përsosmëria me anë të priftërisë Levitike, sepse populli mbi atë mori ligjin, ç’nevojë ishte pra të ngrihet tjetër prift sipas urdhërit të Melkisedekut, e të mos thuhet më sipas urdhërit të Aronit? Sepse kur ndërrohet priftëria, nga nevoja bëhet edhe ndërrim ligji. Sepse ai, për të cilin thuhen këto, ishte prej tjetër fisi, prej të cilit asnjë s’i qe afruar therores. Sepse është e ditur që Zoti ynë lindi nga Juda, fis për të cilën Moisiu nuk foli asgjë për priftëri. Por është edhe shumë më tepër e qartë, nëse sipas shembëllimit të Melkisedekut ngrihet tjetër prift, i cili nuk u bë sipas ligjit të urdhërimit të mishit, por sipas fuqisë të jetës pambarim. Sepse ai dëshmon, duke thënë: “Se ti je prift përjetë sipas urdhërit të Melkisedekut”.

UNGJILLI - Llukai 2:22-40.

Edhe kur u mbushën ditët e pastrimit të tyre, sipas ligjit të Moisiut, e prunë në Jerusalem, që ta paraqitnin përpara Zotit, siç është shkruar në ligjin e Zotit “Se çdo mashkull i parëlindur, shenjt do të quhet tek Zoti”; edhe që të sillnin flijim, siç është thënë në ligjin e Zotit “Një çift turtujsh a dy zogj pëllumbash”. Edhe ja tek ishte në Jerusalem një njeri, me emrin Simeon; dhe ky njeri ishte i drejtë edhe me frikë Perëndie, duke pritur ngushëllimin e Izraelit edhe Fryma e Shenjtë ishte mbi të. Edhe ishte zbuluar tek ai prej Frymës së Shenjtë se nuk do të shihte vdekje para se të shihte Krishtin e Zotit. Edhe erdhi me anë të Frymës në tempull; edhe kur prindërit prunë brenda djalin Jisu, që të bënin për të sipas zakonit të ligjit, ai e mori në krahët e tij dhe bekoi Perëndinë e tha: Tani, o Zot, përlëshoje shërbëtorin tënd, sipas fjalës sate, me paqe; sepse sytë e mi panë shpëtimin tënd, që e bëre gati përpara faqes së të gjithë popujve, dritë për ndriçimin e kombeve dhe lavdi për popullin tënd Izrael. Edhe Josifi dhe e ëma e tij po çuditeshin për ato që fliteshin për të. Edhe Simeoni i bekoi ata, edhe i tha Mariamës, nënës së tij: Ja ky tek është vënë për rënien dhe për ngritjen e shumë vetave në Izrael, edhe për shenjë kundërshtimi. Edhe ty vetë shpirtin një shpatë ka për ta depërtuar, që të zbulohen mendimet e shumë zemrave. Edhe atje ishte Ana, një profeteshë, e bija e Fanuelit, prej fisit të Asirit. Kjo ishte shumë e shkuar në ditë, edhe kishte jetuar me burrin shtatë vjet pas virgjërisë së saj. Edhe kjo ishte një e ve rreth tetëdhjetë e katër vjeç, e cila nuk ndahej prej tempullit, duke i shërbyer Perëndisë me agjërime e me lutje natë e ditë. Edhe kjo, pasi arriti në atë orë, lavdëronte Zotin, edhe u fliste për të, gjithë atyre që pritnin çlirim në Jerusalem. Edhe si mbaruan gjithçka sipas ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre Nazaret. Edhe djali rritej e forcohej në frymë, duke u mbushur me urtësi; edhe hiri i Perëndisë ishte mbi të.