“Yt vëlla qe i vdekur, e u ngjall përsëri; dhe qe i humbur, e u gjet.” (Llukai 15:32)
I
Shëmbëlltyra më prekëse dhe tepër inkurajuese është, pa diskutim, shëmbëlltyra e djalit plangprishës.
E karakterizuan si Ungjillin e ungjijve, sepse në të përshkruhet rebelimi dhe mëkati i njeriut, që e çon atë në rënien përfundimtare, në poshtërim dhe në humbje. Aty shfaqet, në mënyrë të theksuar, dashuria e paanë e Perëndisë, e cila e tërheq njeriun në kthim dhe në pendim, dhe e rivendos në nderin dhe lavdinë e bijve të Tij.
Në të, në mënyrë të veçantë, Zoti paraqiti, nga njëra anë, katandisjen e vajtueshme të njeriut, i cili largohet nga Perëndia dhe, nga ana tjetër, dashurinë e thellë me të cilën Ati Qiellor pranon çdo mëkatar që pendohet sinqerisht.
***
Një njeri, tha Zoti, kishte dy djem. Një ditë, më i vogli shkon tek ati i tij dhe i kërkon pjesën e pasurisë që mendonte se i takonte. Sigurisht, babai do ta ketë këshilluar që të mos nxitohej, sepse nuk kishte moshë dhe pjekuri që të jetojë larg kujdesit atëror. Meqenëse djali nuk iu bind këshillave të të atit, ky e la që ta mençuronte pësimi, duke i dhënë pjesën e tij. Pas disa ditësh djali mblodhi gjithçka që i dha babai dhe u nis për në një vend të largët. Atje, larg përkujdesjes së atit të tij të mençur, e shpërdoroi të gjithë pasurinë prindërore, duke bërë një jetë të shthurur e mëkatare. Fjala “e shthurur” i përmbledh të gjitha: domethënë korruptimin, imoralitetin, pandershmërinë, dehjen dhe grykësinë e shfrenuar. Në vend të pavarësisë dhe lumturisë që kërkonte, gjeti skllavërinë, mjerimin, urinë, skamjen, nëpërkëmbjen. Mosbindja e tij e çoi në katastrofe materiale dhe morale. Nga princ, ruajtës derrash. Nga i lirë, i robëruar; nga pronar, shërbëtor. Kënaqësia e imagjinuar u shndërrua në dhimbje të papërshkruar.
II
Në një ditë prej ditësh u zgjua nga letargjia e gjatë e mëkatit, u përmend nga dehja dhe nga çmenduria e dëfrimeve, u kthjellua në mendime të sakta dhe mori vendime shpëtimtare. Duke folur me veten e tij tha: “Sa shërbëtorë të atit tim kanë aq shumë bukë, sa u tepron, kurse unë rrezikohem të vdes nga uria. Nuk është më jetë kjo! Do të ngrihem dhe do të kthehem tek ati im. Do t’i bie ndër këmbë dhe do t’i lutem e do t’i them“Ati im, mëkatova në qiell, ku zbatohet dëshira jote hyjnore prej engjëjve të shenjtë, por mëkatova dhe tek ti, sepse përbuza dashurinë tënde dhe nuk llogarita hidhërimin që provove kur unë ika larg teje! E ndiej dhe e pohoj se nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Nuk kam të drejtë as të pranohem në shtëpinë tënde si shërbëtor. Të lutem, të të vijë keq për mua dhe të më marrësh si një shërbëtor rrogëtar. Këto mendoi dhe vendimi shpëtimtar u vu në zbatim.
III
Por si e priti i ati djalin e tij plangprishës të penduar? Ishte ende larg plangprishësi, kur i penduar kthehej tek ati i tij. Babai e pa dhe iu dhimbs. Nuk priti të afrohej. Vrapoi vetë ta takonte. Dhe kur e takoi, e përqafoi dhe e puthi me shume dashuri. Pranoi rrëfimin dhe i dha vendin në pozitën e tij të mëparshme. Sa na mëson kjo pritje! Si e pranoi Perëndia mëkatarin!
IV
Perëndia, sigurisht, sipas dëshmisë së psalmistit, përsëri e dërgon mëshirën e Tij të pafundme dhe na ndjek për të na shpëtuar. Por sot ekzistojnë shumë njerëz që kanë mendim të gabuar dhe të çuditshëm për Perëndinë, pretendojnë se, edhe pse ekziston Perëndia, nuk është e mundur të kujdeset për njerëzit. Përgjigjen, do ta lëmë të na e japë një histori e shkurtër nga Jerondikoja.
Një bindës pyeti dikur ava Mionin, nëse në të vërtetë Perëndia e pranon pendimin. Pas shumë e shumë këshillave, jerondi i tha: “Pa më thuaj, i dashuri im, ti ç’bën nëse rastis që të të shqepet rroba jote? Do ta hedhësh në plehra?
-Jo! – u përgjigj ai, – e arnoj.
– Pra, i tha jerondi, – nëse ty të dhimbset rroba jote, Perëndisë nuk do t’i dhimbset krijesa e tij?”
Për pendimin duhet besim. Pa u thyer zemra e ashpër njerëzore, e errësuar dhe e thellë si humnerë, nga drita e besimit, nuk mund të ketë pendim. Drita e besimit ndriçon dhe tregon qartë gabimet e njeriut, plagët e shpirtit, pasionet e ndyra. Nëse nuk beson te Perëndia, atëherë nuk e ke brenda teje kriterin e palëkundur, që do të të ndihmojë të shikosh cili je në të vërtetë e kështu, sipas frazës së frikshme të Dostojevskit “të gjitha lejohen”, nuk ekziston asnjë pengesë për ligësinë e njeriut. Për gjestin e madh dhe vendimtar të pendimit, për të ardhmen tonë, nuk ekzistojnë raste dhe periudha të veçanta të jetës sonë. Çdo moment është i volitshëm dhe mund të bëhet nisja e njeriut drejt Perëndisë. Pezullimet e pendimit tonë varrosin shpirtin dhe poshtërojnë dëshirën tonë të mirë. Dhe, siç shkruante Vasili i Madh: “Vëllezërit e mi, është i zgjuar i ligu në veprimet mëkatare. E di mirë se në këtë jetë ftohemi të punojmë dhe çdo veprim i mirë bëhet në këtë jetë. Me teknikë, pra, na vjedh ditën e sotme dhe na lë shpresën për të nesërmen. A mos nuk na ofron të mëkatojmë sot, me shpresën që të pendohemi të nesërmen? Dhe kur të vijë dita e nesërme, prapë vjen këshilltari i lig dhe na detyron t’ia japim atij, kurse Zotit ditën tjetër. Dhe kështu, gjithmonë na e shkatërron të tashmen me dëfrimet mëkatare dhe të ardhmen tonë ia lë shpresës dhe, pa u kuptuar nga ana jonë, na mashtron gjatë gjithë jetës”.
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin,
Njeriu i sotëm duhet të pendohet për gabimet e shumta dhe të këqijat e tmerrshme. E ofendon Perëndinë me ligësinë djallëzore dhe, i rënë në grackë nga egoizmi i tij, humb kontaktin me Qiellin. Është koha të pajtohet. Dhe këtë pajtim shpëtimtar e krijon pendimi i sinqertë.
U bëftë!
† Ignati
Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
• Shkëputur nga libri: Buqetë lulesh shpirtërore I (Predikime 2008-2009) 24.02.2008