Në thënçim që s’kemi mëkat, mashtrojmë veten tonë, edhe e vërteta nuk është ndër ne. Në rrëfefshim mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë, që të na ndjejë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo padrejtësi. Në thënçim që s’kemi mëkatuar, e bëjmë atë gënjeshtar, edhe fjala e atij nuk është ndër ne.
Djemthit e mi, jua shkruaj këto që të mos mëkatoni; edhe në mëkatoftë ndonjë, kemi kush të lutet tek Ati, Jisu Krishtin e drejtë. Edhe ai është shlyerja për mëkatet tona; edhe jo vetëm për tonat, po edhe për të të gjithë botës.
Edhe nga kjo e dimë se e kemi njohur atë, në ruajtshim urdhërimet e tij. Ai që thotë: E kam njohur atë, edhe nuk ruan urdhërimet e tij, është gënjeshtar, edhe e vërteta nuk është në atë. Por ai që ruan fjalën e tij, vërtet dashuria e Perëndisë është përsosur te ky. Nga kjo dimë, se jemi në atë. Ai që thotë se qëndron në atë, ka detyrë, që siç eci ai, edhe ky kështu të ecë.
Qielli edhe dheu do të shkojnë, po fjalët e mia nuk do të shkojnë.
Edhe për atë ditë a orë asnjë nuk di, as engjëjt që janë në qiell, as Biri, veç Ati.
Vini re, rrini zgjuar dhe lutuni, sepse nuk e dini kur është koha. Ashtu si një njeri i ikur, i cili la shtëpinë e tij, edhe ua dha pushtetin shërbëtorëve të tij, edhe secilit punën e tij, edhe portarin e porositi të rrijë zgjuar. Rrini zgjuar pra, sepse s’e dini kur vjen i zoti i shtëpisë, në të ngrysur, a në mes të natës, a në këndim të gjelit, a në mëngjes; se mos vijë papandehur e t’ju gjejë duke fjetur. Edhe ato që po ju them juve, ua them të gjithëve: Rrini zgjuar.
Edhe pas dy ditësh ishte pashka dhe të pabrumëtat; edhe kryepriftërinjtë e shkruesit kërkonin si ta kapin me mashtrim dhe ta vrasin. Edhe thoshin: Jo të kremten, se mos bëhet trazirë në popull.