E mërkurë, 8 shkurt 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - 2 Petro 3:1-17.

Po ju shkruaj tani juve, o të dashur, këtë letër të dytë, letra me të cilat zgjoj në mendjen tuaj kujtesë të kthjellët; që të kujtoni fjalët që u parafolën nga profetët e shenjtë, edhe urdhërimin e ne apostujve të Zotit dhe Shpëtimtarit. Dijeni së pari këtë, se në ditët e fundit do të vijnë përqeshës, të cilët do të ecin pas dëshirimeve të tyre, e do të thonë: Ky është premtimi i ardhjes së tij? Sepse që atë ditë që fjetën etërit, të gjitha mbeten siç ishin qysh në fillim të krijimit. Sepse me dashje nuk e dinë këtë, se me fjalën e Perëndisë u bënë qiejt qëmoti, edhe toka që është bërë prej uji e me anë uji, me anë të të cilave bota e atëhershme u mbulua me ujë dhe humbi. Edhe qiejt e sotëm dhe toka me anë të po asaj fjale janë mbajtur si thesar, duke u ruajtur për zjarr në ditën e gjyqit e të humbjes së njerëzve të pabesë. Edhe një, këtë mos e harroni, o të dashur, se pranë Zotit një ditë është si një mijë vjet, edhe një mijë vjet si një ditë. Zoti nuk e vonon premtimin e tij, sikundër disa e numërojnë për vonesë; por tregon zemërgjerësi për ne, sepse nuk do që të humbasin disa veta, por të gjithë të vijnë në pendim. Edhe dita e Zotit do të vijë si vjedhës natën; ditë në të cilën qiejt do të shkojnë me krismë, edhe elementet duke u ndezur do të treten, edhe dheu e veprat që janë në të do të digjen krejt. Kur pra këto të gjitha të treten, çfarë lloji njerëzish duhet të jeni ju në sjelljet e shenjta dhe në shpresëtaritë, duke pritur e duke dëshiruar fort ardhjen e ditës së Perëndisë, në të cilën qiejt duke u djegur në zjarr do të treten, edhe elementët duke u ndezur do të treten? Edhe sipas premtimit të atij presim qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët rri drejtësia. Prandaj, o të dashur, duke pritur këto, kujdesuni të gjendeni përpara atij në paqe, të panjollë e patëmetë. Edhe zemërgjerësinë e Zotit tonë numërojeni për shpëtim, sikurse edhe vëllai ynë i dashur Pavël ju shkroi juve sipas diturisë që iu dha atij, sikurse edhe në të gjitha letrat e tij, duke folur në ato për këto çështje, në mes të të cilave ka disa që janë të vështira për t’u kuptuar, të cilat të paditurit e të paqëndrueshmit i shtrembërojnë, sikurse edhe shkrimet e tjera, për humbjen e vetes së tyre. Ju pra, o të dashur, duke i ditur që përpara këto, ruhuni, që të mos tërhiqeni nga mashtrimi i të paligjëve, e të bini nga mbështetja juaj. Edhe shtohuni në hir e në njohjen e Zotit tonë dhe Shpëtimtarit Jisu Krisht. Atij i qoftë lavdia edhe tani edhe në ditën e përjetshme. Amin.

UNGJILLI - Marku 13:24-31.

Po në ato ditë, pas atij shtrëngimi, dielli do të erret, edhe hëna nuk do të japë dritën e saj, edhe yjet e qiellit do të bien, edhe fuqitë që janë në qiejt do të tunden. Edhe atëherë do të shohin të Birin e njeriut duke ardhur ndër re me fuqi të madhe e me lavdi. Edhe atëherë do të dërgojë engjëjt e tij, edhe do të mbledhë të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, prej këndit të dheut e deri në kënd të qiellit. Edhe prej fikut mësoni paravolinë: kur dega e tij bëhet e butë dhe nxjerr fletët, e dini se vera është afër. Kështu edhe ju, kur të shihni këto se bëhen, dijeni se është afër, në dyer. Me të vërtetë po ju them juve, se ky brez nuk do të shkojë deri sa të bëhen këto të gjitha. Qielli edhe dheu do të shkojnë, po fjalët e mia nuk do të shkojnë.