Të gjitha më lejohen, por jo të gjitha sjellin dobi; të gjitha më lejohen, por unë nuk sundohem prej ndonjë gjëje. Gjellët janë për barkun dhe barku për gjellët; por Perëndia edhe këtë, edhe ato do t’i prishë. Po trupi nuk është për kurvërinë, por për Zotin, edhe Zoti për trupin. Dhe Perëndia edhe Zotin e ngjalli, edhe ne do të na ngjallë me anë të fuqisë së tij.
A nuk e dini se trupat tuaj janë gjymtyrë të Krishtit? Të marr pra unë gjymtyrët e Krishtit, e t’i bëj ato gjymtyrë lavireje? Qoftë larg! A nuk e dini se ai që bashkohet me laviren është një trup me të? Sepse “do të jenë, thotë, të dy në një mish”. Po ai që bashkohet me Zotin, është një shpirt me atë. Largoni kurvërinë.
Çdo mëkat që bën njeriu, është jashtë trupit; po ai që kurvëron, mëkaton në trupin e vet. Apo nuk e dini se trupi juaj është tempull i Frymës së Shenjtë që rri në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe nuk jeni të vetvetes? Sepse u bletë me çmim; lavdëroni pra Perëndinë me trupin tuaj, edhe me shpirtin tuaj, që janë të Perëndisë.
Përsëri tha: Një njeri kishte dy bij. Edhe më i vogli nga ata i tha të atit: Atë, jepmë pjesën e pasurisë që më takon. Edhe ai ua ndau pasurinë. Edhe pas pak ditësh më i vogli i mblodhi të gjitha, e mërgoi në një vend të largët; edhe atje shpërndau pasurinë e tij duke shkuar jetë në shthurje. Edhe si i prishi ai të gjitha, u bë një zi e madhe në atë vend, edhe ai filloi të mos kishte. Atëherë shkoi e u ngjit pas një qytetari të atij vendi, dhe ky e dërgoi në arat e tij të kulloste derra. Edhe dëshironte të mbushte barkun e tij me lendet që hanin derrat; po askush nuk i jepte.
Edhe si erdhi në vete, tha: Sa mëditësve të tim eti u tepron bukë, ndërsa unë po humbas nga uria! Do të ngrihem e do të shkoj tek im atë, dhe do t’i them: O atë, mëkatova në qiell dhe përpara teje, edhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Më bëj si një nga mëditësit e tu. Edhe u ngrit e erdhi tek i ati. Edhe kur ai ishte ende larg, i ati e pa edhe pati dhembshuri, edhe u sul dhe iu hodh në qafë atij, edhe e puthi fort.
Edhe i biri i tha: O atë, mëkatova në qiell dhe përpara teje, dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Po i ati u tha shërbëtorëve të tij: Nxirrni stolinë e parë dhe vishjani, edhe i vini unazë në dorën e tij dhe sandale në këmbët. Edhe sillni viçin e ushqyer dhe thereni, edhe le të hamë e të dëfrehemi. Sepse ky biri im qe i vdekur, e u ngjall përsëri; edhe qe i humbur, e u gjet. Edhe zunë të dëfreheshin.
Edhe djali më i madh ishte në arë; edhe si erdhi afër shtëpisë, dëgjoi këngë e valle. Edhe thirri një nga shërbëtorët dhe e pyeste: Ç’janë këto. Edhe ai i tha se ka ardhur yt vëlla, edhe yt atë theri viçin e ushqyer, sepse i erdhi shëndoshë. Edhe ai u zemërua dhe nuk donte të hynte brenda. I ati pra, doli e i lutej.
Edhe ai u përgjigj e i tha të atit: Ja tek po të shërbej kaq vjet, edhe kurrë nuk e shpërfilla urdhërin tënd; edhe kurrë nuk më dhe një kec, që të dëfrej bashkë me miqtë e mi. Po kur erdhi ky yt bir që hëngri pasurinë bashkë me të përdalat, i there viçin e ushqyer.
Edhe ai i tha: O djalë, ti je përherë bashkë me mua, edhe gjithë të miat janë të tuat. Dhe duhej të dëfreheshim e të ngazëlloheshim, sepse ky yt vëlla qe i vdekur, e u ngjall përsëri; edhe qe i humbur, e u gjet.