E Diela e të Lidhurit të Mishit

E Diela e të Lidhurit të Mishit

Kriteri i Gjykimit Final
E Diela e të Lidhurit të Mishit
(Matth. 25:31-46)

“Gjithë sa i bëtë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua”.

Ungjilli i sotëm na sjell përpara një realitet tronditës, realitetin e fundit të historisë njerëzore. Në të njëjtën kohë na zbulon edhe marrëdhënien e këtij fundi me jetën tonë të përditshme, duke na theksuar se: a) Jeta njerëzore nuk rrjedh e pakontrolluar. Në fund do të bëhet Gjykimi. B) Asnjë njeri nuk do të përjashtohet nga ky Gjykim. Do të jetë i përgjithshëm për të gjithë. “Edhe do të mblidhen përpara tij të gjitha kombet”. C) “Biri i njeriut” do të jetë Zoti që i di të gjitha. 4) Pas vendimit të formës së prerë të Gjykatësit të Madh, njerëzit ndahen dhe drejtohen ose drejt humnerës, “në errësirën e jashtme”, ose drejt dritës qiellore.
Rëndësia e gjërave të thjeshta
Cilat janë kriteret e këtij gjykimi? Mos vallë edukimi? Apo pasuria dhe ofiqet? Në të dyja anët ekzistojnë njerëz me pushtet, njerëz të parëndësishëm, të paditur dhe të ditur. Apo mos vallë është shëndeti, bukuria, fuqia, origjina, kombësia? Asnjë prej tyre. Kriteri me të cilin do të gjykojë Gjykatësi i Madh “atë ditë të frikshme” të Gjykimit, është dashuria e natyrshme dhe pa interes. Sepse ajo është Alfa dhe Omega e ligjit të Perëndisë.
Le ta shikojmë me më shumë vëmendje këtë kriter bazë të Gjykimit: Dashuria që na tregon Krishti u referohet gjërave të përditshme, të cilat mund t’i kryejnë të gjithë, kudo dhe gjithnjë; në çfarëdolloj kushtesh të jetës, çdo lloj profesioni, moshe, edukimi apo pune që njerëzit kryejnë. Kush do të mund të justifikohet atë ditë, se nuk kishte mundësitë për të treguar dashuri? Zoti nuk e mbështet vendimin e Tij në arritje të mëdha. Nuk thotë se po ju gjykoj, ngaqë isha i sëmurë dhe nuk më shëruat, isha në burg dhe nuk më çliruat. Por Ai na thotë se, “pata uri, e s’më dhatë të ha; pata etje, e nuk më dhatë të pi…”. Për këto gjëra të vogla, që janë në dorën tuaj për t’i bërë dhe nuk i bëtë, për këto do të gjykoheni. Një pjatë gjellë, një gotë ujë, një vizitë, këto janë gjëra të lehta për t’u ofruar.
Edhe njeriu më i varfër dhe i pafuqishëm ka mijëra raste për ta ofruar dashurinë. Nga një shërbim që i bën të afërmit me dëshirë të mirë, deri në aktin e madh të sakrificës, duke ofruar mund, pará, shëndet – për hir të njerëzve të tjerë.
“Pata uri, e nuk më dhatë të ha…”. Në qendër të Gjykimit nuk shtrohet më tepër pyetja se çfarë të keqeje kanë bërë njerëzit, sesa theksohet se çfarë të mire nuk bënë për shkak të neglizhencës. Sigurisht, nëse të gjithë do të gjykohen fajtorë edhe për këto mangësi, mendoni se sa herë më i rreptë do të jetë gjykimi për ata që u kanë bërë të këqija të mëdha njerëzve të tjerë. Krishti dënon dhe i mëshon fajit të indiferencës. Këtu duhet të tregojmë kujdes; sa nga ne e kemi vënë në gjumë veten, me mendimin se nuk kemi kryer shkelje të rënda në jetën tonë! Fragmenti i sotëm i Ungjillit na zbulon se u bëjmë padrejtësi të gjithë atyre njerëzve që kishim mundësi t’i ndihmonim dhe i lamë pa ndihmë; atyre që mund t’i mbronim, por i braktisëm. Dashuria e vërtetë shprehet duke u përkujdesur realisht për tjetrin. Pra, le të tregojmë kujdes!
Mëkatet për shkak të mangësisë sonë
Ekziston një parim që ngjall një shtysë të madhe shoqërore dhe krijon solidaritet të vërtetë. Shpesh njerëzit ushqejnë shpresa të mëdha nga shteti. Shumë presin që përkujdesja e shtetit të rregullojë çdo problem. Sigurisht, rregullimet e drejta ligjore janë të nevojshme. Çdo gjë që përmirëson strukturat tona shoqërore është e domosdoshme. Por, nuk ka të munguar nevoja për iniciativën tonë personale, që të përkujdesemi edhe ne për të ofruar ndihmë e dhembshuri. Sado që të zgjidhen nevojat materiale, prapëseprapë shtohen nevojat shpirtërore. Njerëzit do të kenë gjithmonë uri dhe etje për mirëkuptim, për respekt, për dashuri të sinqertë. Të shumtë janë ata që janë të zhveshur nga shpresa dhe kanë nevojë për t’i rrethuar me ngrohtësi; të sëmurët që duan të kenë besim, ata që ndodhen “në burgun” e veseve dhe të lidhjeve të ndryshme dhe që presin nga ne mbështetje, fjalë të së vërtetës dhe dhembshuri. “Pata uri, e më dhatë të ha”.
Njësimi i Krishtit me të vuajturit
Pika më tronditëse e ikonës së Gjykimit dhe qendra e saj jetike mbetet njësimi i Gjykatësit me të përbuzurit, me “vëllezërit më të vegjël”, me ata që vuajnë; veçanërisht me ata që lëngojnë dhe vuajnë: të sëmurët, të huajt, të zhveshurit dhe ata që janë nëpër burgje. “Me të vërtetë po ju them juve, gjithë sa i bëtë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua”. Në shumë fe flitet për lëmoshë, fisnikëri, dhembshuri ndaj tjetrit. Por, në asnjë prej tyre nuk i është kushtuar aq shumë rëndësi veprave të thjeshta të mirësisë, që burojnë spontanisht prej shpirtit. Krishti, Biri i Perëndisë, na thekson se çdo gjë e thjeshtë, që bëhet për vëllezërit e Tij më të vegjël, është një vepër shërbimi ndaj atij vetë. E fshehta e dashurisë së krishterë mbështetet në lidhjen e saj të drejtpërdrejtë me Krishtin. Kështu, përmes kryerjes së veprave të mira u mbyllim rrugët dhe i neutralizojmë të gjitha shtysat e tjera jo pozitive, të cilat do ta njollosnin pastërtinë e veprës, siç janë dëshira për ta treguar veten tonë apo një qëllim që lidhet me interesa të tjera etj.
Elementi kryesor i njësimit tonë me Krishtin është ora e sprovës, e pësimit: Pjesëmarrja jonë në Pësimin e Krishtit. Fakti se Krishti vepron si Kreu i njerëzimit, ka një rëndësi themelore në termin mesianik “Biri i Njeriut”, i përdorur në këtë perikope të Ungjillit. Ndihma konkrete ndaj një njeriu që vuan, në thelb është takim me Zotin, i Cili vuan për hirin tonë. Do të jemi të krishterë të vërtetë, nëse do të mësojmë të shikojmë në fytyrën e çdo njeriu të vuajtur Vetë Krishtin, duke pasur jo vetëm dhembshuri, por edhe respekt. Në një epokë që kërkon të identifikojë secilin nga ne me anë të një numri që përpunohet në kompjuter, Krishti këmbëngul ta shikojmë çdo njeri, edhe atë më të parëndësishmin, si një person që e identifikojmë me Atë Vetë. Kjo është kërkesa më e fortë që bën Kisha në këtë epokë të egër që jetojmë sot.
***
“Pata uri, e nuk më dhatë të ha…”. Ungjilli i sotëm, vëllezërit e mi, na vendos përpara fundit të këtij realiteti tokësor tronditës, si edhe përpara fundit të historisë sonë personale. Kjo nuk do të thotë që të bëjmë një arratisje melankolike në të fundmet, por që të ripozicionohemi saktë në të tashmen dhe në të ardhmen. Çdo ditë që kalon pa shprehur dashuri, është një ditë e humbur për të ardhmen tonë. Ata që e privojnë tjetrin prej dashurisë së tyre, rrezikojnë të privohen edhe vetë nga gjëja më e vyer që ekziston: të privohen nga Perëndia, që është Dashuri. Nga kjo pikë fillon ferri – pra, nga çasti që reshtim së dashuri dhe së se të tjerët na duan. Për këtë arsye, shumë njerëz jetojnë në ferr para se të vdesin dhe të largohen nga kjo botë.
Në këtë çast, jetën e kemi ndër duar, por nuk e dimë ende edhe për sa vjet do të jemi në këtë botë. “Derisa të kemi kohë”- që të kujtojmë fjalët e shën Grigor Theologut: “Krishtin le të vizitojmë, Krishtin të shërojmë, Krishtin të ushqejmë, Krishtin të veshim, Krishtin ta bashkojmë, Krishtin ta nderojmë”, duke E zbuluar nën formën e përulur të çdo njeriu të hidhëruar dhe të vuajtur. Dhimbja na rrethon kudo, ndaj le ta mposhtim me dashurinë tonë.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

• Shkëputur nga libri: Rreze nga drita e Ungjillit (Vëllimi 2: Pranverë – Verë)