E DIELA E TË LIDHURIT TË MISHIT

E DIELA E TË LIDHURIT TË MISHIT

GJYKIMI I FUNDIT

“Dhe këta (mëkatarët) do të shkojnë në mundim të përjetshëm dhe të drejtët në jetë të përjetshme.” (Mattheu 25:46)
Bashkë me predikimet e tjera të shumta dhe të shquara, Zoti Krisht na dha edhe një pamje madhështore e mbizotëruese të ardhjes së Tij të dytë, kur do të vijë përsëri në tokë, “të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit”, atë që sapo dëgjuam.
***
E Diela e sotme duhej të quhej e Diela e Gjykimit, në vend të e Diela e të Lidhurit të Mishit. Për gjyqin e ardhshëm na flet Ungjilli i shenjtë, po kështu na tregojnë dhe himnet e Triodit, pra, “siç është për njeriun e pashmangshme vdekja, po ashtu është i pashmangshëm gjykimi” (Heb. 9:27). Pra, kur dita e fton, Ungjilli e predikon dhe nevoja e detyron, le të studiojmë gjykatoren që na pret, dhe të përgatitemi për atë ditë të tmerrshme të gjykimit.
***
Kur do të bëhet vallë gjyqi i ardhshëm përfundimtar, mbarënjerëzor? Në ardhjen e dytë të Zotit.
Himnografi i shenjtë, me lirizëm dhe madhështi, e përshkruan këtë ditë si një koment në tekstin e Ungjillit të shenjtë: “Shkoj ndër mend atë ditë dhe orë, kur gjithë ne lakuriqtë kemi për të qëndruar përpara Gjykatësit të drejte si të dënuar; atëherë trumbeta do të oshtijë fort dhe themelitë e dheut do të tronditen, dhe të vdekurit do të ngrihen prej varreve, dhe do të bëhen të gjithë me një versë; dhe të fshehtat e të gjithëve do të qëndrojnë të shfaqura përpara teje; dhe do të qajnë e do të vajtojnë, dhe në zjarr të përjashtëm do të shkojnë ata që s’u penduan kurrë; dhe me gaz e ngazëllim pjesa e të drejtëve do të hyjë në nusëroren qiellore”.
***
Madhështia e asaj dite është e pakrahasueshme, ndërsa lavdia hyjnore edhe e pakuptueshme. Do të tronditet e gjithë bota në shfaqjen e Zotit. Do të bien yjet, do të shuhet dielli, do të përflaket dheu, do të hapen varret dhe do të ngjallen të vdekurit, që të mblidhen para fronit të Zotit Krisht, të gjallë dhe të vdekur, të gjitha kombet, sa kanë kaluar nga faqja e dheut: Të parët Adami dhe Eva dhe pas tyre gjithë gjeneratat dhe fiset njerëzore. Milionat dhe miliardat e njerëzve që nga fillimi dhe deri në mbarim të jetëve; të drejtët dhe të padrejtët; besimtarët dhe jobesimtarët; të shenjtët dhe mëkatarët. Atje do të jenë profetët dhe apostujt; dëshmorët e besimit dhe pohuesit e së vërtetës; Hierarkët e shenjtë dhe Etërit hyjmbajtës; Pararendësi i Shpëtimtarit dhe Nëna e Tij e Tërëshenjtë; tërë shenjtorët. Por dhe të gjithë mëkatarët, tiranët e pabesë dhe kriminelët e mëdhenj; blasfemuesit e Perëndisë dhe ofenduesit e të shenjtave; përndjekësit e Besimit, xhelatët e Martirëve; hajdutët, të padrejtët, shfrytëzuesit e të varfërve, sunduesit e të pafuqishmëve, zhvatësit, lakmitarët, atje do të jenë të gjithë të papenduarit dhe zverkashprit mëkatarë.
“Oh, sa e tmerrshme do të jetë ora dhe dita atëherë,- vazhdon himnografi i hirshëm – kur të rrijë Gjykatësi mbi një fron të frikshëm! Librat hapen, dhe veprat kallëzohen, dhe të fshehtat e errësirës botohen. Engjëj rendin rrotull, duke përmbledhur gjithë kombet. Ejani dëgjoni mbretër dhe krerë, robër dhe të lirë, mëkatarë dhe të drejtë, të pasur dhe të varfër, se vjen ai që ka për të gjykuar gjithë botën; dhe cili do të durojë faqen e tij, kur t’i rrinë pranë engjëjt duke kallëzuar punët, qëllimet, mendimet e natës e të ditës? Oh, cfarë ore do të jetë ajo atëherë! Por, para se të arrijë fundi, nxito e thirr, o shpirt: O Perëndi, kthemë dhe shpëtomë si i vetëm i mëshirshëm”
“Oh sa e tmerrshme do të jetë ora dhe dita atëherë”! Do të jetë e frikshme për të paudhët që do të shporren në ferr, ku krimbi nuk ngordh dhe zjarri nuk shuhet, “atje do të jetë të qarët dhe të kërcëlliturit e dhëmbëve” (Matth. 8:12).
Por kjo orë dhe ditë do të jetë e ngazëllueshme për të drejtët. Të krishterët shpresëtarë do të dëgjojnë zërin e Zotit Krisht t’i ftojë në Mbretërinë e Qiejve, për të shijuar të mirat, “Ato që sy s’i pa, e vesh s’i dëgjoi, e në zemër njeriu nuk u ngjitën, këto Perëndia i bëri gati për ata që e duan atë” (1 Kor. 2:9). E përjetshme dhe mbretërore, e lavdishme dhe e lumtur jeta e të drejtëve. I përjetshëm dhe i pafund ferri, ku jeta e mëkatarëve është e frikshme, e tmerrshme dhe e neveritshme, e meqenëse atje nuk ekziston pendimi, kështu dhe vendimi është i pandryshueshëm dhe i parevokueshëm.
***
Kriteri bazë në gjyqin përfundimtar është dashuria, me të cilën janë pajisur të drejtët, sipas fjalëve të Zotit: “Ejani të bekuarit e tim Eti, trashëgoni mbretërinë që është bërë gati për ju që kur është themeluar bota. Sepse pata uri e më dhate të ha….” Edhe të tjerat që më poshtë i përmend Ungjilli –
“Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen, duke thënë: “Zot, kur të pamë ty duke pasur uri e të ushqyem?” Dhe të tjerat në vazhdim. Edhe Mbreti do të përgjigjet e do t’u thotë atyre: “Me të vërtetë po ju them juve, gjithë sa i bëtë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua”. Pra, e mira që i bëhet të afërmit tonë, i referohet Zotit Krisht.
Ndërsa mungesa e dashurisë, ashpërsia dhe pashpirtësia që treguan mëkatarët ndaj të afërmve të tyre, përsëri i adresohen gjithashtu Zotit Krisht.
***
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin,
Gjykimi i të gjithë botës do të bëhet nga Gjykatësi i drejtë. Na pret një ditë të gjithëve. Ata, që dëshirojnë t’i shmangen vendimit dënues të Gjykatësit të drejtë, le të pendohen dhe të kërkojnë ndjesë për mëkatet e tyre, nuk është vonë. Arka e shpëtimit, Kisha jonë e shenjtë Orthodhokse, i mirëpret. Klerikët, shërbyesit e Kryepriftit të Madh, nëpërmjet misterit të pendimit, janë në gatishmëri të plotë të rimëkëmbjes së të penduarve. Vetë Ai, Shpëtimtari-Gjykatës, vazhdon dhe tani t’u drejtohet, duke i ftuar: “Ejani tek unë gjithë sa jeni të lodhur e të ngarkuar, dhe unë do t’ju preh ju” (Matth: 11; 28), që të na thotë dhe atëherë: “Ejani të bekuarit e tim Eti, trashëgoni mbretërinë që është bërë gati për ju që kur është themeluar bota” (Matth. 25:34).
† Ignati
Mitropolit i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

• Shkëputur nga libri: Buqetë lulesh shpirtërore I (Predikime 2008-2009) 02.03.2008