Unë plaku zonjës së zgjedhur dhe bijve të saj, të cilët unë i dua me të vërtetë, edhe jo vetëm unë, por edhe të gjithë ata që kanë njohur të vërtetën, për të vërtetën që mbetet ndër ne dhe do të jetë bashkë me ne për gjithë jetën; qoftë bashkë me ju hir, përdëllim, paqe prej Perëndisë Atë dhe prej Zotit Jisu Krisht, Birit të Atit, në të vërtetë e në dashuri.
U gëzova shumë se gjeta disa nga bijtë e tu duke ecur në të vërtetën, sikundër morëm urdhërim prej Atit.
Edhe tani të lutem ty, zonjë, jo sikur po të shkruaj ndonjë urdhërim të ri, por atë që kishim që në fillim, të duam njëri-tjetrin.
Edhe kjo është dashuria, të ecim sipas urdhërimeve të atij. Ky është urdhërimi, sikundër e dëgjuat që në fillim, që të ecni në atë.
Sepse shumë mashtrues hynë në botë, të cilët nuk rrëfejnë se Jisu Krishti erdhi në mish; i tillë është mashtruesi dhe antikrishti.
Vështroni veten tuaj, që të mos humbasim ato që punuam, por të marrim pagë të plotë.
Kushdo që bën shkelje dhe nuk mbetet në mësimin e Krishtit, ky nuk ka Perëndi; ai që mbetet në mësimin e Krishtit, ky ka edhe Atin edhe Birin.
Në qoftë se vjen ndonjë te ju edhe nuk sjell këtë mësim, mos e merrni në shtëpi, edhe mos i thoni atij: Përshëndetje.
Sepse ai që i thotë atij: Përshëndetje, bëhet pjesëtar në veprat e tij të liga.
Ndonëse pata shumë për t’ju shkruar juve, nuk desha me letër e me bojë; po shpresoj të vij tek ju, edhe të flas gojë më gojë, që të jetë i plotë gëzimi ynë.
Të përshëndesin djemtë e motrës tënde të zgjedhur. Amin.
Edhe si e përqeshën, i zhveshën rrobën e kuqe, dhe i veshën rrobat e tij, dhe e çuan jashtë, që ta kryqëzojnë. Edhe e sjellin në vendin Golgota, që e përkthyer do të thotë “Vendi i kafkës”. Edhe ishte ora e tretë, dhe e kryqëzuan.
Edhe kur u bë ora e gjashtë, u bë një errësirë mbi gjithë dheun, deri në orën e nëntë. Edhe në të nëntën orë Jisui bërtiti me zë të madh, duke thënë:“Eloí, Eloí, lamá Sabakthaní?”, që e përkthyer do të thotë “Perëndia im, Perëndia im, pse hoqe dorë prej meje?”. Edhe disa nga ata që ishin duke ndenjur atje, kur dëgjuan, thoshin: Ja tek po thërret Ilian. Edhe njëri u sul e mbushi një sfungjer me uthull, dhe e vuri mbi një kallam, e i dha të pijë, duke thënë: Lëreni, le të shohim nëse vjen Ilia ta zbresë. Edhe Jisui nxori zë të madh e dha shpirt. Edhe kurtina e tempullit u ça më dysh, prej së larti deri poshtë. Edhe kryeqindëshi, që rrinte përballë atij, kur pa se duke bërtitur kështu dha shpirt, tha: Me të vërtetë ky njeri paska qenë Bir Perëndie.
Ishin edhe gra duke vëzhguar prej së largu; ndër ato ishte edhe Maria Magdalena, dhe Maria, e ëma e Jakovit të vogël dhe e Josiut, dhe Saloma, të cilat, edhe kur ishte në Galile, i vinin pas, dhe i shërbenin; si dhe shumë të tjera që qenë ngjitur bashkë me të në Jerusalem.