Po të ngrënët nuk na afron tek Perëndia; sepse edhe sikur të hamë, nuk do të kemi gjë më shumë; as sikur të mos hamë, nuk do të kemi gjë më pak. Po shikoni se mos pushteti juaj bëhet pengesë për të dobëtit. Sepse në të paftë ndonjë ty që ke dituri, se rri në tryezë në tempull idhujsh, ndërgjegja e atij që është i dobët, a nuk do të marrë guxim të hajë therorët e idhujve?
Edhe kështu për diturinë tënde do të humbasë vëllai i dobët, për të cilin Krishti vdiq. Edhe kur mëkatoni ju kështu ndaj vëllezërve, dhe plagosni ndërgjegjen e tyre të dobët, në Krishtin keni mëkatuar. Prandaj në qoftë se ngrënia ime skandalizon tim vëlla, s’kam për të ngrënë mish për gjithë jetën, që të mos skandalizoj tim vëlla.
A nuk jam unë apostull? A nuk jam unë i lirë? A nuk e pashë unë Jisu Krishtin, Zotin tonë? A nuk jeni ju vepra ime në Zotin? Në mos jam apostull në të tjerë, po së paku në ju jam; sepse në Zotin vula e apostolisë sime jeni ju.
Edhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, edhe gjithë engjëjt e shenjtë bashkë me të, atëherë do të rrijë mbi fronin e lavdisë së tij. Edhe do të mblidhen përpara tij gjithë kombet; edhe do t’i ndajë ata njërin nga tjetri, siç ndan bariu dhentë nga dhitë. Edhe do të vërë dhentë në të djathtë e dhitë në të majtë.
Atëherë mbreti do t’u thotë atyre që rrinë në të djathtë të tij: Ejani të bekuarit e tim Eti, trashëgoni mbretërinë që është bërë gati për ju që kurse është themeluar bota. Sepse pata uri e më dhatë të ha; pata etje, e më dhatë të pi; i huaj isha, e më morët brenda; i zhveshur, e më veshët; u sëmura, edhe erdhët të më shihni; isha në burg, edhe erdhët tek unë.
Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen, duke thënë: Zot, kur të pamë ty duke pasur uri e të ushqyem? Apo duke pasur etje, e të dhamë të pish? Edhe kur të pamë të huaj, e të morëm brenda? Apo të zhveshur, e të veshëm? Edhe kur të pamë të sëmurë ose në burg, edhe erdhëm tek ti? Edhe mbreti do të përgjigjet e do t’u thotë atyre: Me të vërtetë po ju them juve, gjithë sa i bëtë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma keni bërë mua.
Atëherë do t’u thotë edhe atyre që rrinë në të majtë: Ikni prej meje, të mallkuar, në zjarr të pasosur, që është bërë gati për djallin e për engjëjt e tij. Sepse pata uri, e s’më dhatë të ha; pata etje, e s’më dhatë të pi; isha i huaj, e nuk më morët brenda; i zhveshur, edhe nuk më veshët; i sëmurë e në burg, edhe nuk erdhët të më shihni. Atëherë do t’i përgjigjen edhe ata, duke thënë: Zot, kur të pamë ty duke pasur uri, a duke pasur etje, a të huaj, a të zhveshur, a të sëmurë, a në burg, e nuk të shërbyem? Atëherë do t’u përgjigjet e do t’u thotë atyre: Me të vërtetë po ju them juve, gjithë sa nuk i bëtë njërit prej këtyre më të vegjëlve, as mua nuk ma keni bërë.
Edhe këta do të shkojnë në dënim të përjetshëm; edhe të drejtët në jetë të përjetshme.