E Diela e të Lidhurit të Djathit

E Diela e të Lidhurit të Djathit

Si të mbledhim thesare
E Diela e të Lidhurit të Djathit
(Matth. 6:14-21)

“Mos mblidhni thesare për veten tuaj mbi dhé”
Kjo porosi nxit një farë reagimi te ne kur e dëgjon për herë të parë. Dëshira për të mbledhur thesare e pasuri lidhet ngushtë me nevojën tonë për të pasur siguri, rehati, dinjitet. Por Zoti na e shpjegon porosinë: Këto thesare nuk mund t’jua ofrojnë sigurinë që kërkoni. Këtu në tokë ato i shkatërrojnë “tenja dhe ndryshku”, ndërsa kusarët i vjedhin.
Pasiguri dhe humbje e pasurisë në botë
Sigurisht, për sa i takon fushës së ekonomisë, gjërat kanë ndryshuar shumë që nga koha e Krishtit. Njerëzit kanë gjetur mënyra më të frytshme për të siguruar të mirat e nevojshme. Sot ekzistojnë shoqëritë e sigurimeve, depozitat nëpër banka, “investimet” në sipërmarrje të ndryshme. Por, edhe hajdutët janë bërë më me përvojë dhe kanë zbuluar sisteme e metoda të reja. Për më tepër, ende ekzistojnë “krimbi dhe ndryshku”; pra krimbi dhe prishja në një formë tjetër: vese të ndryshme, marrëdhënie të kalbura dhe lloj-lloj krimbash që të gërryejnë. Si përfundim, njeriu nuk mundet asnjëherë të jetë absolutisht i sigurt. Mjafton një luftë apo një trazirë politike dhe të gjitha gjërat përmbysen. Pas këtyre vjen kriza ekonomike dhe pasuritë e mëdha avullojnë. Në tregti ndodhin ndryshime të kushteve ekonomike dhe këto çojnë drejt rënies në borxhe.
Edhe kur nuk ndodhin katastrofa të mëdha, shpesh ky lloj pasurimi shkakton ankth dhe hipertension aq të madh, saqë vlera dhe rehatia, që gjoja të ofron, bëhen zero.
Në epokën tonë nuk janë të pakta sëmundjet e zemrës dhe ato nervore, që shkaktohen pikërisht nga rendja e ankthshme pas pasurimit.
Nga ana tjetër, ekzistojnë probleme kur thesaret tokësore nuk kanë vlerë, si në rastet e sëmundjeve të pashërueshme, dëshpërimit të thellë, depresionit e tragjedive familjare, të aksidenteve apo vdekjet e njerëzve të dashur etj. Zoti e theksoi fare qartë: “Sepse ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj”. Thesari ynë rrezikon të shkatërrohet dhe zemra jonë rreh e rënduar nga atmosfera e ndotur e ankthit dhe gjithë pasojat vdekjeprurëse të tij.
Të gjithë le të bëjmë kujdes!
Nuk duhet të mbledhim pasuri.
Nuk duhet të mendojmë se këto porosi kanë lidhje vetëm me të pasurit. Ato i vlejnë çdo njeriu që pushtohet nga mania e pasurimit dhe skllavërohet nga vesi i lakmisë. Zoti nuk i tha këto fjalë në sallonet e të pasurve – këta të fundit e kanë të vështirë t’i gëlltisin këto fjalë – por e tha në “Fjalimin e tij në mal”, kur po u fliste turmave të njerëzve, që ishin mbledhur për ta dëgjuar. Pyetja themelore është se çfarë do të thotë pasurim për ne, pavarësisht nëse arrijmë ta fitojmë ose jo? Ka shumë njerëz që e shkatërrojnë veten duke rendur me dëshirë të madhe pas të mirave materiale, duke besuar se pasuria është gjithçka. Dëshira dhe ankthi për t’u pasuruar i stërmundon ata. Dhe kur dështojnë, tronditja dhe shkatërrimi i brendshëm marrin përmasa dramatike. Ankthit të fitimit i shtohet edhe dhimbja e dëshpërimit për shkak të dëshirës së papërmbushur. Njeriu që dëshiron fort thesaret e dheut, sa më shumë që e shikon se nuk i arrin dot ato, pavarësisht nga përpjekjet e tij, aq më tepër zemërohet, urren dhe mallkon të gjithë e gjithçka.
Atëherë, a duhet ta mbysim dashurinë brenda nesh për të mira materiale, të cilat na ndihmojnë ta përmirësojmë jetën tonë? Aspak. Këtu nuk bëhet fjalë për punën aktive dhe të frytshme, me anë të së cilës sigurojmë të ardhmen e familjes apo të vendit tonë. Ky është detyrimi ynë që kemi marrë përsipër. Sigurisht, që duhet të përkujdesemi për përmirësimin, ngritjen e nivelit të jetesës, por çështja është se si do të arrihet përparimi i vërtetë. Vetë Zoti na e qartëson këtë pikë, duke na mësuar:
Mblidhni thesare!
Këtë siguri, këtë dinjitet, këtë paqe që kërkoni, do t’jua sigurojnë thesare të një lloji tjetër. “Mblidhni thesare për veten tuaj në qiell, ku nuk i prish as krimb, as ndryshk dhe ku vjedhësit nuk rrëmojnë, as vjedhin”. Mblidhni thesare shpirtërore, shtoni pasurinë e besimit, shumë- fishoni veprat e dashurisë, përkujdesuni të rritet pa pushim pastërtia e shpirtit tuaj, dëlirësia, përulësia, sinqeriteti dhe ndershmëria juaj. Mblidhni sa më shumë thesare të tilla, si: ushqeni të uriturit, strehoni të huajt, tregoni dhembshuri për të sëmurët, jepini mbështetje atij që është pa ndihmë; falini me gjithë zemër të gjithë ata që ju kanë hidhëruar, ata që ju kanë bërë padrejtësi, ata që ju kanë bërë keq. Kështu do të fitoni thesarin më të shtrenjtë: faljen, birësimin e “Atit të dhembshurive”.

Por, duhet të keni kujdes! Atë të mirë që bëni, mos e bëni “për t’u dukur para njerëzve”. Sepse atëherë, në të vërtetë, “nuk do të pasuroheni në qiell”, por “mbi tokë”; në thellësinë tuaj doni të fitoni lavdërime në këtë botë. Përkujdesuni që çdo gjë ta bëni me thjeshtësi, pa e shfaqur veten; ta bëni vetëm për hir të dashurisë së Perëndisë, me liri të brendshme. Grumbulloni me kujdes thesare shpirtërore dhe depozitojini ato në bankën e qiellit, në duart e Perëndisë. Atëherë zemra juaj mund të jetë e qetë dhe e paqtë. “Sepse ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj”.
Me mësimin e Tij, Krishti na tregoi se nuk dëshiron të jemi të varfër e fatkeq. Ai do që të na udhëheqë drejt përzgjedhjes së thesareve të vërteta, të na tregojë se çfarë është e rreme dhe çfarë autentike; çfarë monedhe ka vlerë vetëm për një kohë dhe vetëm në një vend dhe çfarë ‘monedhe’ ka vlerë të përjetshme dhe të kudogjendur. Pra, këtu bëhet fjalë për orientimin tonë të brendshëm. Kujt do t’i themi “Perëndia im je ti”? Parasë, fuqisë materiale, lavdisë apo Zotit të gjithësisë dhe të historisë? Këtë qëllim ka periudha e Kreshmës së Madhe, që fillon nesër: të na ndihmojë të rishqyrtojmë seriozisht ecurinë e jetës sonë. Cila është zgjedhja jonë e parapëlqyer? Të pasurohemi duke mbledhur “thesare në qiell” apo “thesare mbi dhé”?
Nuk duhet të mendojmë se “thesari në qiell” është depozitë afatgjatë, që nis të japë fryte pas vdekjes. Ai që pasurohet sipas perspektivës shpirtërore, që shpjeguam më sipër, jeton qysh tani në qiell, brenda dashurisë së Perëndisë dhe të kuptuarit të vazhdueshëm të pranisë së Tij.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

• Shkëputur nga libri: Rreze nga drita e Ungjillit (Vëllimi 2: Pranverë – Verë)