E shtunë, 18 mars 2023 – Leximet biblike.

APOSTULLI - Hebrenjve 10:32-38.

Sillni ndërmend ditët e para, në të cilat, pasi u ndriçuat, duruat luftë të madhe mundimesh; herë duke u bërë lojë nga bota me të shara e me shtrëngime; herë duke u bërë pjesëtarë të atyre që pësojnë të tilla. Sepse treguat dhimbje për mua në vargonjtët e mi, edhe e pritët me gëzim rrëmbimin e kamjes suaj, duke ditur se keni për veten tuaj në qiejt një pasje më të mirë e të qëndrueshme. Mos e humbni pra guximin tuaj që do të ketë shpërblim të madh. Sepse ju keni nevojë për durim, që të bëni vullnetin e Perëndisë dhe të merrni premtimin. “Sepse edhe fort pak kohë, edhe do të vijë ai që vjen, edhe nuk do të vonojë”. “Edhe i drejti do të rrojë prej besimit”; edhe “në u tërheqtë ndonjë prapa, shpirti im nuk do ta pëlqejë atë”.

UNGJILLI - Marku 2:14-17.

Edhe duke shkuar pa Levin, të birin e Alfeut, duke ndenjur në doganë; edhe i thotë: Eja pas meje. Edhe ai u ngrit e shkoi pas tij. Edhe kur po rrinte në tryezë në shtëpinë e atij, ishin ulur në tryezë edhe shumë tagrambledhës e mëkatarë bashkë me Jisuin e me nxënësit e tij; sepse ishin shumë, edhe shkuan pas tij. Edhe shkruesit e Farisenjtë, kur e panë atë duke ngrënë bashkë me tagrambledhësit e me mëkatarët, u thoshin nxënësve të tij: Përse ha e pi ai bashkë me tagrambledhësit e me mëkatarët? Edhe Jisui, kur dëgjoi, u thotë atyre: Të shëndoshët s’kanë nevojë për shërues, po ata që vuajnë; s’kam ardhur për të thirrur të drejtë, po mëkatarë në pendim.