Duke pasur pra një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jisuin, të Birin e Perëndisë, le të mbajmë rrëfimin tonë. Sepse s’kemi kryeprift që të mos mund t’i vijë keq për dobësitë tona, po një që u nga në të gjitha si ne, por pa mëkatuar.
Le t’i afrohemi pra me guxim fronit të hirit, që të marrim përdëllim dhe të gjejmë hir për ndihmë në kohë nevoje. Sepse çdo kryeprift që merret prej njerëzve, vihet për njerëzit në gjërat që kanë të bëjnë me Perëndinë, për të blatuar dhurata dhe flijime për mëkatet; të cilit mund t’i vijë keq për ata që janë të paditur e të gënjyer; sepse edhe ai vetë është veshur me dobësi.
Edhe prandaj ka detyrë, si për popullin, kështu dhe për veten e tij, të blatoj theror për mëkatet. Edhe asnjë nuk e merr këtë nder prej vetes së tij, po ai që thirret nga Perëndia, si Aroni. Kështu edhe Krishti nuk e lavdëroi veten e tij që të bëhet kryeprift, po ai që i foli: “Ti je Biri im, unë sot të kam lindur”. Sikurse edhe në tjetër vend thotë: “Ti je prift për gjithë jetën sipas urdhërit të Melkisedekut”.
Edhe si thirri pranë turmën bashkë me nxënësit e tij, u tha atyre: Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij, edhe le të ngrejë kryqin e tij, edhe le të më vijë pas. Sepse kush të dojë të shpëtojë jetën e tij, do ta humbasë; po kush të humbasë jetën e tij për hirin tim dhe të ungjillit, ky do ta shpëtojë.
Sepse ç’dobi do të ketë njeriu, në fitoftë gjithë botën, edhe të dëmtojë shpirtin e tij? Apo ç’do të japë njeriu në këmbim të shpirtit të tij? Sepse cilitdo që t’i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në këtë brez kurorë shkelës e mëkatar, edhe Birit të njeriut do t’i vijë turp për atë, kur të vijë në lavdinë e Atit të tij bashkë me engjëjt e shenjtë.
Edhe u thoshte atyre: Me të vërtetë po ju them juve, se janë disa prej këtyre që rrinë këtu, që nuk do të ngjërojnë vdekje, deri sa të shohin mbretërinë e Perëndisë të ardhur me fuqi.