E Diela e 5-të e Kreshmës

E Diela e 5-të e Kreshmës

Rruga drejt madhështisë

E Diela e 5-të e Kreshmës
(Mark. 10:32-45)
“S’dini se ç’lypni”.

Zoti po shkon drejt martirizimit dhe nxënësit e Tij ëndërrojnë për madhështi. Ai u parathotë vdekjen në kryq dhe ata, pa e kuptuar mirë tragjizmin e profecisë së Tij dhe të vaditur nga fryma e botës dhe etjes për pushtet, dëshirojnë pozita. Jakovi dhe Joani rendin para të tjerëve për të siguruar vendet e para. “Mësues, duam të na bësh atë që të kërkojmë”. “Ç’doni t’ju bëj unë juve?”-i pyeti Krishti. “Ja,”- iu përgjigjën ata-, “tani që do të lavdërohesh, që do të ulesh në fronin mbretëror, jepna dy vendet e para në mbretërinë tënde. Bëna nderin të ulemi njëri në të djathtë dhe tjetri në të majtën tënde”. Zoti i pa me hidhërim: “Nuk dini çfarë kërkoni”. “Unë ju flas për sakrifica dhe ju dëshironi të keni vendet e para të nderit”.
Shpresa të fajshme
Në mënyrë të përsëritur, Krishti detyrohet edhe sot të na rikujtojë po të njëjtën ankesë ndaj shumë prej besimtarëve të Tij. Sa të kota janë dëshirat dhe synimet tona! Dëshirojmë pozita të shkëlqyera, ndere, pasuri, lavdi, pushtet në këtë botë. Dhe, tragjikja është se i kërkojmë prej Atij që i përbuzi të gjitha këto dhe na zbuloi kotësinë tyre.
Por ti, vëllai im, a e kupton vallë se po i drejtohesh të Shenjtit, Perëndisë së plotfuqishëm? Shikimi i Tij depërton në thellësinë e dëshirave tona, kupton bërthamën e tyre egoiste, sado të përpiqesh t’i mbulosh duke u shtirur me lloj – lloj mënyrash, si për shembull, se po lufton për t’u bërë i shquar për hir të së mirës së të tjerëve, për të mirën e shoqërisë… Por a je menduar mirë, nëse qëllimet e tua janë në një linjë me vullnetin e Tij të shenjtë? Apo mendon se Perëndia mund të jetë shërbëtori i ëndrrave të tua materialiste dhe kërkon të bëhet bashkëpunëtor i qëllimeve të tua personale, përmbarues i planeve të tua egoiste?
Në mjaft raste, Zoti është i detyruar edhe sot të na përgjigjet shumë nga ne: “S’dini se ç’lypni!” “Më kërkoni të plotësoj ëndrrat tuaja. Por, nëse do të mundeshit të shikonit pak më qartë, përtej tymnajës që krijojnë pasionet, lakmitë për pará, lavdidashjet, inatet dhe armiqësitë tuaja, atëherë do të tmerroheshit kur ta kuptonit se sa shkatërrimtare dhe të fajshme janë planet tuaja, për të cilat kërkoni mbështetjen time. Prandaj mos t’ju duket keqdashje, që shpesh nuk iu përgjigjem kërkesave tuaja, ngaqë “s’dini se ç’lypni”.
Në vend të etjes për pushtet, dëshirë të mirë për të shërbyer
Por, sëmundja për të qenë në vendet e para nuk kishte prekur vetëm dy nxënësit. Zemërimi që shfaqën të tjerët ndaj Jakovit dhe Joanit, tregoi se i njëjti pasion i tiranizonte të gjithë. Ata vetëm u mërzitën se të tjerët i kishin kërkuar këto përpara tyre. Fenomeni është i zakonshëm. Të gjithë ata që komentojnë me hidhërim lëvizjet e të tjerëve për të fituar pushtet, zakonisht kanë vetë etje për lavdi. Ata, që në mënyrë këmbëngulëse kërkojnë të jenë të parët në pozita, por edhe ata që e kundërshtojnë këtë prirje për pushtet të të afërmve të tyre, janë pak a shumë të molepsur të gjithë nga i njëjti mikrob. Dëshirojnë të shquhen personalisht, të fitojnë famë e nderime.
Atëherë Jisui i thirri pranë dhe u tha: “E dini se ata që mbahen për të parë të kombeve me shtrëngim i zotërojnë ata dhe të mëdhenjtë e tyre me pushtet i urdhërojnë ata. Por nuk do të jetë kështu ndër ju, po kush të dojë të bëhet i madh ndër ju, do të jetë shërbëtori juaj. Edhe kush do të dojë prej jush të bëhet i parë, do të jetë shërbëtor i të gjithëve”. Madhështia e vërtetë nuk gjendet kur dikush mbahet me të madh, kur është arrogant dhe kur shtyp të tjerët. Ajo gjendet vetëm në dashurinë e përulur, në shërbimin e pastër dhe heroik ndaj të afërmit tonë. Kjo është rruga e sigurt për fitimin e madhështisë.
Kjo është një përmbysje e plotë e ligjeve të kthyera në sistem. Më parë, madhështia matej me numrin e njerëzve që ka dikush nën pushtetin e tij. Pas Krishtit, matet me numrin e njerëzve të cilëve u shërben dikush. Kriteri i madhështisë nuk është fuqia, por shërbimi i sinqertë.
Se sa radikale është kjo ide, duket nga fakti që, megjithëse kanë kaluar kaq shumë shekuj, pjesa më e madhe e të krishterëve ende nuk e ka përqafuar këtë kriter. Sa më shumë që e dëgjon, aq më tepër duket se e ka harruar. Por, fatmirësisht, rreshtat e panumërt të shenjtorëve, të njohur dhe të panjohur, e kanë bërë realitet këtë revolucion të dashurisë, duke i kundërvënë etjes për pushtet shërbesën ndaj të tjerëve dhe duke zbukuruar me vërtetësi jetën e krishterë. Nuk ka një njeri me të vërtetë të madh brenda në krishterim, që nuk e ka jetuar këtë parim, duke u bërë “shërbëtor” dhe “skllav i të gjithëve”.
Në kohën tonë, kur mentaliteti i botës ka arritur majat, njerëzit dëshirojnë dhe përpiqen të japin sa më pak që është e mundur dhe të marrin sa më shumë. Në punën e tyre shfrytëzojnë mundin e të tjerëve, ndërsa në shtëpi duan të urdhërojnë bashkëshortin/bashkëshorten, fëmijët, të afërmit. Kësaj prirjeje i shkon për shtat një ndryshim i plotë. Kërkesa e drejtë nuk është se çfarë të mire mund të më bëjnë të tjerët, por se si mund t’i ndihmoj unë ata. Madhështia që kërkojmë, duke pritur raste të jashtëzakonshme, gjendet në dorën tonë, atëherë kur tregohemi të gatshëm t’u shërbejmë të tjerëve, pa pritur aspak që kjo të na njihet nga ata, dhe duke mos shpresuar për shpërblim. Mendoni pak, se sa shumë ndihmojnë në lartësimin e shoqërisë sonë njerëzit e pastër, që u shërbejnë të tjerëve pa shumë fjalë dhe reklamim të vetes së tyre.
Ikonë e Kishës në rrugëtim
Rrëfimi i Ungjillit të sotëm na paraqet një ikonë interesante të Kishës, të tërësisë së nxënësve dhe besimtarëve të Zotit. Na shpalos komunitetin e nxënësve në rrugëtimin drejt Pësimit, me të gjitha veçoritë pozitive e negative. Nga njëra anë, kemi lavdidashjen dhe konfliktet, nga ana tjetër, bindjen te Mësuesi, dashurinë dhe, mbi të gjitha, vendimin për ta ndjekur kudo ku “Ai shkon”.
Është ngushëllim, që të kemi kuptim të drejtë për Kishën dhe të mos fantazojmë se kemi të bëjmë me një bashkësi njerëzish të pamëkatshëm. Përkundrazi, Ajo përbëhet nga njerëz të pafuqishëm, të penduar dhe mëkatarë, që vazhdimisht pendohen, të cilët, me gjithë gabimet e tyre, e ndjekin Krishtin pa u ndalur.
Në të njëjtën kohë, në çdo Liturgji Hyjnore përjetësohet mesazhi i kësaj perikopeje ungjillore dhe na fton të gjithë – sa duam të jemi nxënës të vërtetë të Jisuit – të bëjmë dy përpjekje të mëdha: Së pari, të tejkalojmë ambiciet e tyre, duke pranuar vuajtjen dhe kryqin, potirin e sprovave. Dhe së dyti, të lëmë pas çdo lloj dëshire për pushtet dhe imponim ndaj të tjerëve, duke vendosur të shërbejmë me përulësi. Ky është morali i vërtetë i krishterë. Ky është morali i Orthodhoksisë sonë. “Kush të dojë të bëhet i madh ndër ju, do të jetë shërbëtori juaj”. Ky është përkufizimi më i mirë i krishterë për madhështinë. Shërbimi është karakteristikë e madhështisë. “Kush të dojë prej jush të bëhet i parë, do të jetë shërbëtor i të gjithëve. Sepse dhe i Biri injeriut nuk erdhi t’i shërbehet, po të shërbejë, dhe të japë jetën e tij shpërblim për shumë veta” (Mark. 10:43-45).
Shembulli ynë mbetet Krishti. Njeriu i përsosur është shërbëtori i vërtetë.
***
Kjo është madhështia e brendshme. Sepse, kështu,ndjekim “Shërbëtorin” e madh të njerëzve, Atë që “nuk erdhi t’i shërbehet, por të shërbejë dhe të japë jetën e Tij shpërblim për shumë veta”. Ky është transformimi i jetës sonë sipas jetës së Tij, për ta lartësuar drejt qëllimit final të Saj, drejt hyjnizimit.

† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

• Shkëputur nga libri: Rreze nga drita e Ungjillit (Vëllimi 2: Pranverë – Verë)