E Diela e Dafinave (1)

E Diela e Dafinave (1)

Psikologjia e pasrënieve
E Diela e Dafinave (1)
(Jn. 12:1-8)
Si dallgë të mëdha turmat e Jerusalemit vrapojnë të pranojnë Mesian. “Hosana! Hosana!”, arrijnë deri në kupë të qiellit thirrjet miratuese të turmës. Lavdërim dhe nderim i madh për Shpëtimtarin që po mbërrin. “I bekuar është ai që vjen në emrin e Zotit”. Jisui e di mirë se sa të turbullta janë burimet e entuziazmit të turmës, sa sipërfaqësore janë ndjenjat e saj. Ngjarjet që pasuan vërtetuan me tragjizëm të jashtëzakonshëm psikologjinë e papërcaktuar të turmës. Kur e panë se gjërat nuk ecën siç shpresonin, se Jisui nuk u shpall mbret, entuziazmi i tyre u shndërrua në shkurajim dhe përbuzje. Pjesa më e madhe e braktisën, shumë të tjerë nuk mënuan të bashkojnë zërat e tyre me armiqtë e Tij fanatikë para Pilatit: “Hiqe, hiqe, kryqëzoje atë!”.
Kjo psikologji e pasrënieve nuk ka qenë vetëm veçanti e hebrenjve; ajo karakterizon edhe shumë popuj dhe individë.
Pasoja tragjike mundojnë shpirtin tonë
Në shumë faza të jetës sonë personale, janë pasrëniet ato që na mundojnë. Le të analizojmë disa shfaqje të sjelljes sonë:
Nga njëra anë, sot këtu në kishë ne bekojmë Perëndinë dhe nesër, gjatë punës sonë, shkelim vullnetin e Tij dhe u bëjmë të tjerëve padrejtësi. A nuk ecim vallë edhe ne në gjurmët e turmës judaike, që ndryshon sjellje dhe mendje? Kur sot himnojmë dashurinë e Tij dhe më vonë, kur duhet të zgjidhim çështje të ndryshme familjare, i lejojmë armiqtë e Tij – egoizmin, inatin dhe urrejtjen të mbizotërojnë, a nuk bëjmë të njëjtën gjë? Kur gjatë kësaj jave i falemi Kryqit dhe Pësimeve të Tij dhe në javët e tjera e ndotim shpirtin tonë që Krishti e pastroi me gjakun e Tij, a nuk shfaqim një pamje të frikshme të pasrënieve? Kur sot lartësojmë me përgjërim vështrimin tonë te Dhëndri dhe më vonë themi me gjakftohtësi gënjeshtra, vjedhim, nxjerrim vrer kundër vëllezërve tanë, a nuk bëjmë diçka të ngjashme? Kur nga njëra anë dora jonë mban tërë krenari dhe mburrje dafinat ose llambadhet dhe paskëtaj shpifim e hidhërojmë njerëzit tanë të afërm, a nuk imitojmë qëndrimin e mjerë të turmave hebraike? Apo mos mendoni, o vëllezër, se Zotin e dënuan vetëm thirrjet e zhurmshme të turmës së armiqve të Tij para pretoriumit? A nuk e dënojnë thirrjet e frikshme të pasioneve tona, që kërkojnë ta vrasin Zotin brenda zemrës sonë?
Por cili është shkaku i kësaj sjelljeje nga ana jonë? Këtë na e zbulon mjaft qartë psikologjia e hebrenjve të epokës së Krishtit, të cilët e kishin keqkuptuar Jisuin dhe misionin e Tij.
E panë si shërbëtor të ëndrrave të tyre
Në një çast ata besuan se, me ndihmën e Tij, do të realizonin synimet dhe dëshirat e tyre në lidhje me këtë botë. E panë si një udhëheqës të përmbidheshëm, që do të ringjallte mbretërinë e Davidit dhe që do të dërrmonte zgjedhën romake. Sigurisht, Krishti e kishte shpjeguar në shumë raste se mbretëria e Tij ishte shpirtërore. Por, hebrenjtë përzgjodhën për vete ato që u pëlqenin më tepër. Admiruan ngjalljen e Llazarit, që kishte ndodhur pak kohë më parë dhe që kishte vulosur në mënyrë panegjirike një sërë mrekullish të Jisuit. Shumë pelegrinë nga Galileja u kishin treguar për një tjetër mrekulli të madhe, se kishte ngopur me pesë bukë dhe dy peshq pesë mijë burra, pa llogaritur gratë dhe fëmijët. Një mbret i tillë u nevojitej, që të ushqente mrekullisht me bukë popullin e tij dhe të ngjallte ushtarët e rënë në luftë.
Dëshira të ngjashme egoiste dhe koncepte jorealiste kanë ekzistuar pareshtur, të fshehura në zemrat e shumë njerëzve, që i janë afruar Krishtit. Shumë e shikojnë jo si një shpëtimtar shpirtëror, por si plotësuesin e ëndrrave të tyre të lumturisë. Këta i afrohen të shtyrë nga interesat e tyre, me një fetari primitive, njësoj si paganët në fetë e tyre, duke shpresuar se fetaria do t’u sigurojë suksesin në punë, shëndetin dhe të mirat materiale. Pra, ky është një botëkuptim krejtësisht tregtar. “Jap, që të më japësh”. U pëlqen fjala e Krishtit kur thotë se do t’i mbështesë në hidhërime, me paqe dhe shpresë. Por, krijon reagime në shpirtin e tyre, kur Ai u kërkon ndershmëri, drejtësi, pastërti, mosmbajtje të së keqes në shpirt, apo që të falin të tjerët.
Sigurisht, Zoti nuk e mohoi se do të na mbështesë në jetën tonë të përditshme. “Kërkoni së pari mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij, dhe të gjitha këto do t’ju shtohen juve” (Matth. 6:33) – na siguroi Ai. Por të shumtë janë ata që nuk e pranojnë këtë fjalë. Ata thonë me veten e tyre: “Mjaft dëgjuam për të mira shpirtërore. Ne jemi realistë, duam privilegje, para, pozita. Meqë ti nuk na i jep këto, nuk je Mesia ynë, ai që presim dhe duam. Pilat, zotëria ynë, hiqe, hiqe, vrite atë!”.
Mos vallë po tregohemi shumë të ashpër me natyrën njerëzore? A mund të jetë dikush gjithmonë i vendosur në përkushtimin e tij, pa u lëkundur dhe pa u tërhequr kurrë prapa? Varet. Ekzistojnë lloje të ndryshme pasrëniesh. Madje edhe ata që e ndoqën Krishtin me besnikëri, nxënësit e Tij, përjetuan rënie. Dhe këto javë do të na kujtojnë shumë çaste dramatike të tyre (të Petros, të Judës, të Thomait). Por, të tjera janë pasrëniet tek ata, që në thellësinë e tyre e duan Krishtin dhe të tjera tek ata që, në thellësi, duan veten dhe e shikojnë Krishtin thjesht si një faktor ndihmës për të realizuar planet e tyre. Të parët, edhe pse mund të kalojnë nëpër një fazë zhgënjimesh dhe dobësie, do ta rigjejnë me anë të Hirit të Tij Personin e Krishtit – madje, ndonjëherë, në mënyrë edhe më domethënëse. Të dytët, e humbasin përfundimisht, sepse mendojnë se Krishti nuk u duhet më, meqë nuk u shërben interesave të tyre.
Kur pasrëniet tona bëjnë pjesë në rastin e parë, nuk duhet të rrëzohemi dhe të biem moralisht. Para nesh, këto pasrënie i përjetuan nxënësit e përkushtuar të Krishtit, si Petroja dhe Thomai. Ata u lëkundën për një çast, por pasrëniet e tyre nuk u kthyen në rënie të përhershme. Në çastet kritike, Krishti i ndihmoi për të kuptuar, për të ardhur në vete. Ai do të na ndihmojë edhe ne, për sa kohë që në thellësinë tonë dashuria dhe besimi ynë do të kthehen te Krishti dhe jo tek ëndrrat e vetes sonë të papjekur.

† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

• Shkëputur nga libri: Rreze nga drita e Ungjillit (Vëllimi 2: Pranverë – Verë)