Darka Mistike
E shtrirë në kohë
E Enjtja e Madhe
Të Enjten e Madhe vëmendja e Kishës sonë përqendrohet në katër çështje kryesore: Lajtorja e Shenjtë, pra larja e këmbëve të apostujve nga Zoti Krisht; Darka Mistike, dorëzimi i mistereve të frikshme të Eukaristisë Hyjnore; lutja e Krishtit drejtuar Atit të Tij dhe tradhtia e nxënësit ndaj Tij. Në komentin e shkurtër që pason do të përqendrohemi te Darka Mistike.
1.Kjo “Darkë” ka një strukturë të dyfishtë. Së pari, ajo i referohet Pashkës që kremtonin hebrenjtë, në kujtim të daljes së tyre nga Egjipti. Së dyti, i referohet Pashkës “së re”, që Pësimi i Krishtit e përuron me Sakrificën dhe Pësimin e Tij shpëtimtar: Pashkën që do të kremtohet në të ardhmen me kryerjen e misterit të Eukaristisë Hyjnore.
Jisui, “ndërsa ata ishin duke ngrënë, mori bukën e bekoi, e theu, ua dha nxënësve dhe u tha: Merrni e hani, ky është trupi im. Edhe mori potirin, dhe si falënderoi, ua dha atyre, duke thënë: Pini të gjithë prej këtij, sepse ky është gjaku im i dhiatës së re, që derdhet për shumë veta për ndjesën e mëkateve” (Matth. 26:26-28).
Zoti, me anë të ofrimit të potirit, bëri një akt liturgjik dhe me fjalën e Tij e lidhi këtë lëvizje me ngjarjen e madhe që do të kryhej pak më vonë: me pranimin e lirë të Kryqit dhe të Vdekjes së Tij për shpëtimin e shumë njerëzve.
Referimi te gjaku i Dhiatës na e çon mendimin në Dhiatën e Vjetër të Sinait, që ishte vulosur me sakrificat e kafshëve. Gjithashtu, thekson se në Dhiatën e Re bëhet fjalë për një dhiatë të përhershme (besëlidhje) midis Perëndisë dhe njerëzve, e cila përmbyllet dhe vuloset me gjakun e Perëndinjeriut.
Besëlidhja e vjetër mbështetej mbi një ligj. Perëndia kishte zgjedhur një popull të caktuar për të qenë i zgjedhuri i Tij. Kushti i domosdoshëm që ajo besëlidhje të zgjaste, ishte ruajtja e Ligjit. Me ofrimin në Kryq të Perëndinjeriut, një dhiatë e re u çel për njerëzit, e cila mbështetej jo më mbi Ligjin, por mbi Dashurinë – në ofrimin e lirë dhe të painteres. Njeriu nuk mbështetet më në fuqitë e tij për ruajtjen e Ligjit, për përsosmërinë dhe sigurinë e tij, por i dorëzohet mëshirës, hirit dhe dashurisë së Perëndisë.
Në regjimin e mëparshëm të Dhiatës së Vjetër, karakteristika kryesore ishte frika. Me këtë marrëveshje të re, njeriu i afrohet Perëndisë me lirshmëri dhe besim, si fëmija atit të tij që e do.
2.Sikundër ngjarjet e së shkuarës, me të cilat u krye çlirimi i Izraelit nga skllavëria e Egjiptit, duhet të përbënin pa ndërprerje qendrën e mendimit dhe të kujtesës së popullit izraelit, kështu edhe ngjarjet e Pashkës së re, me të cilat merr fuqi Dhiata e Re, do të duhet të jenë në të ardhmen pikat qendrore të kujtesës dhe të referimit të komunitetit të ri të të çliruarve, të Kishës. Tha Zoti: “Kjo kupë është dhiata e re në gjakun tim, këtë bëjeni sa herë të pini për kujtimin tim” (1Kor. 11:25).
Ky veprim, nga këtu e në vazhdim, do të kryhet brenda një ceremonie eukaristike. Dhiata do të ripërtërihet vazhdimisht nga vetë nxënësit e Krishtit.
Me ofrimin e sakrificës së Trupit dhe të Gjakut të Tij, Krishti jo vetëm përuroi Dhiatën e Re, por i bëri Trup të Tij njerëzit që e pranuan. Të gjithë sa kungohen me këtë Trup dhe Gjak të Tij, marrin pjesë në jetën e Tij. Ata përbëjnë Kishën. Kisha nuk është thjesht një mbledhje besimtarësh, por Trupi mistik i Krishtit, “plotësimi i atij që i plotëson të gjitha në të gjithë” (Efes. 1:23).
Këto të vërteta të mëdha, që u zbuluan me ngjarjet e Pësimit, të Pashkës së re, Kisha i rijeton në çdo Liturgji Hyjnore. Me kujtimin eukaristik përjetojmë Darkën Mistike, Kryqëzimin, Pashkën; marrim pjesë në to, duke u kunguar në dashuri. Pra, bashkëtrupëzohemi me Krishtin. Dhiata duhet të ripërtërihet vazhdimisht në nivelin e lirisë sonë personale.
3.Natyrisht, për të gjitha këto nevojitet pranim i sinqertë dhe i vërtetë i besimit dhe i dashurisë. “Njeriu, pra, le të provojë veten e tij, e kështu le të hajë nga ajo bukë dhe le të pijë nga ajo kupë. Se ai që ha e pi padenjësisht, ha e pi dënim për veten e tij, sepse nuk dallon trupin e Zotit” (1Kor. 11:28-29). Padenjësia qëndron kryesisht në faktin se njeriu nuk dallon Trupin e Zotit.
Kjo do të thotë se ai që ha e pi në mënyrë të padenjë, nuk e kupton saktësisht se çfarë janë këto të shenjta të cilave iu afrohet, se nuk ka shpresëtarinë dhe përgjëratën që krijon besimi. Për këtë arsye Kisha, në çastin e Kungimit të Shenjtë, i fton besimtarët të afrohen “me frikë Perëndie, besë dhe dashuri”.
Porosia e Apostullit, që e ndalon një njeri të hajë dhe të pijë në mënyrë të padenjë Trupin dhe Gjakun e Krishtit, nuk do të thotë se përjashton mëkatarin, i cili e kupton dhe e ndjen gjendjen e tij. Sepse, kështu, duhet të përjashtonte të gjithë njerëzit. Krishti i fton pranë Vetes mëkatarët e penduar. Ai mbetet “Perëndia i të penduarve”. Kushti i Tij kryesor është pendimi i vazhdueshëm, që shprehet me përulësi dhe me prirje pajtimi e dashurie për të gjithë njerëzit.
Nga ana tjetër, ndërgjegjja e Kishës sonë nuk na lë t’i afrohemi misterit pa e ndjerë se jemi mëkatarë. Lutja që lexojmë para Kungimit Hyjnor vendos në gojën dhe në ndërgjegjen e besimtarit këtë pohim: “Besoj, o Zot, dhe pohoj se Ti je me të vërtetë Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë, që erdhi në botë të shpëtojë mëkatarët, nga të cilët i pari jam unë”. Pra, nuk është mungesa e mëkatit – kush do të mund ta fantazonte veten e tij të tillë – por është ndërgjegjësimi për varfërinë tonë shpirtërore, ai që na e hap rrugën për t’iu afruar misterit të Falënderimit Hyjnor.
Himni që psalet të Enjten e Madhe dhe përsëritet çdo herë para Kungimit Hyjnor, përcakton moralin e besimtarit orthodhoks. Na flet për vendimin e besnikërisë, të shmangies së çdo veprimi, që përbën tradhti dhe njëkohësisht për një kuptim të thellë të jetës sonë mëkatare, e cila dorëzohet në duart e Krishtit, duke kundruar me qetësi Mbretërinë e Perëndisë, Mbretërinë e faljes dhe të dashurisë. “Në Darkën tënde Mistike, o Biri i Perëndisë, merrmë sot pjesëtar, se nuk do t’ua them armiqve të tu misterin, nuk do të të jap të puthur si Juda, por si kusari po të thërres: kujtomë o Zot, në mbretërinë tënde”.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
• Shkëputur nga libri: Rreze nga drita e Ungjillit (Vëllimi 2: Pranverë – Verë)