Teprimi spontan që buron prej dashurisë
E Marta e Madhe
1.Faza e fundit e jetës së përmbidheshme të Krishtit zhvillohet brenda qerthullit të një sërë intrigash, armiqësish të hidhura të njerëzve me pushtet, të sistemit judaik të kohës, të frikës dekurajuese dhe të zemërvogëlsisë së të Tijve. Brenda një atmosfere vuajtjeje të papërshkrueshme, trupore dhe shpirtërore.
Brenda kësaj vorbulle, si një fashë drite, mirësie, humanizmi dhe përkushtimi, shfaqet një veprim rreth të cili vërtitet e gjithë himnografia e ditëve të para të Javës së Madhe.
Heroina e kësaj ngjarjeje nuk i takon rrethit të nxënësve të Krishtit, as besimtarëve të asaj kohe. Është një grua që, sipas normave të Ligjit të Moisiut dhe etikës mbizotëruese të kohës, kishte devijuar prej tyre.
Kjo grua, “e një gjendjeje të ulët morale” për kriteret e shoqërisë fetare rreth dinjitetit të njeriut, i afrohet Krishtit në mënyrën më tronditëse, shpresëtare dhe origjinale.
Një tropar i shërbesës së sotme e përshkruan skenën me ton dramatik dhe lirik: “Lavirja me vajtim, o i dhembshur të lutej, dhe këmbët besërisht po t’i fshinte me flokët, dhe thellësisht psherëtin dhe thërriste me lot në sy: Mos më neverit, mos më përbuz, o i Mirë, pritmë po vij, plot me pendim dhe shpëtomë, o Zot, i vetëm Njeridashës”.
Gjëja e parë që karakterizon sjelljen e saj është teprimi i besimit dhe i dashurisë për Atë që do ta çlironte nga gabimet e rënda të jetës së saj, nga abuzimet e shumëllojta të dashurisë. Ky është një veprim që tregon përkushtimin dhe nuk pyet fare për asnjë lloj konformizmi, duke ofruar spontanisht çdo gjë të vyer të saj.
Që të kuptojmë se sa e shtrenjtë ishte miroja që përdori kjo grua, mjafton të kemi parasysh se 300 dinarë të asaj kohe përbënin rrogën e një viti për një punëtor. Dashuria për Krishtin nuk llogarit shpenzime; shprehet në mënyrë të drejtpërdrejtë, dorëhapët dhe me fisnikëri. Ky veprim i kësaj gruaje përmban në vetvete dashuri të thellë për Atë dhe ajo, e shtyrë nga dashuria, ecën përpara për të dhënë gjithçka, madje edhe veten e saj. Sigurisht, logjika mikroborgjeze, që peshon çdo gjë, nuk pajtohet lehtë me këto lloj shfaqjesh dhe e shikojmë të shprehet formalisht në kundërshtimin e nxënësve. Ata nuk arrijnë dot të kuptojnë vlerën dhe sinqeritetin e dashurisë, skandalizohen dhe mbulojnë reagimin e tyre shpirtvogël, duke folur për “të varfrit” apo për çështje të tjera praktike.
Por reagimi i Krishtit ishte i drejtpërdrejtë: Lëreni dashurinë të mbetet dashuri me të gjitha këto teprime në shprehjen e saj. “Përse e shqetësoni këtë grua? Ajo bëri një vepër të mirë për mua”. Mos e përjashtoni me pretekste të varfra rreth lëmoshës. “Sepse të varfrit i keni përherë me veten tuaj, por mua nuk më keni përherë”.
Jisui ndërhyn, duke shfaqur mirëkuptim të mahnitshëm ndaj kësaj shprehjeje shpresëtarie. Ai që shtyhet nga pasuria e jashtëzakonshme e dashurisë së Tij, shkon për të dhënë çdo gjë për njerëzimin mëkatar, vetë Veten e Tij. Prandaj Ai mundet, më tepër se çdokush tjetër, të vlerësojë siç duhet shpërthimin e ndjenjave të një dashurie pa interes.
Në epokën tonë, shpesh e zhveshur nga spontaniteti dhe dashuria shpresëtare, shumica do të mbante – nëse do hidhej në votë – anën e nxënësve. Shumica, me përjashtim të atyre që kuptojnë se ka një ndryshim midis teknicienëve të tregut dhe të logjikës së zemrës.
Çdo gjë e bukur e jetës dhe historisë buron nga valët e dashurisë së fuqishme. Këtë na e vërteton jeta e miliona shenjtorëve, heronjve, asketëve, martirëve. Edhe në jetën tonë, çastet më të forta dhe më të thella, sigurisht, kanë qenë orët e dashurisë dhe të kontributit të vërtetë. Si të veprojmë ndryshe? Teprimi bën pjesë në esencën e Dashurisë. Kjo thirrje vjen nga Kryqi, nga simboli i skajshëm i Pësimit, për hir të Dashurisë. Në epokën tonë, nuk mendoj se rrezikohemi nga teprimet e dashurisë për hir të Krishtit. Le ta lejojmë në mënyrë spontane shpresëtarinë tonë të bëjë disa teprime të tilla, veçanërisht gjatë Javës së Madhe.
2. Nëse kjo grua nuk do të vepronte ashtu në ato momente, kurrë më vonë nuk do t’i jepej mundësia ta kryente atë akt. “Sepse kjo, kur derdhi këtë vaj ere mbi trupin tim, e bëri këtë për futjen time në varr”.
Disa gjëra të mëdha mund të bëhen vetëm në një çast të caktuar. Shumë njerëz preken për momentin, por e shtyjnë për më vonë veprimin, sipas nxitjes që ofron dashuria e painteres. Shumë gjëra mund të bëhen në çdo kohë, por ka disa gjëra që ose realizohen në një çast të caktuar, ose kurrë. Personi konkret, rasti konkret, nuk kthehen përsëri në të njëjtat kushte. Prandaj duhet ta kultivojmë këtë ndjeshmëri ndaj detyrimit, që duhet shprehur konkretisht në një çast të caktuar dhe të dëftejmë më tej gatishmërinë tonë për t’iu përgjigjur. Tragjedia e shumë njerëzve është se jeta e tyre kalon e mbushur me dëshira për të kryer vepra dashurie, por që mbeten të parealizuara për shkak të mendimit për t’i bërë ato më vonë, në një çast tjetër.
3. Aroma e mirë e një veprimi që tregon përkushtim dhe dashuri zgjat përgjithmonë. “Me të vërtetë po ju them juve, kudo që të predikohet ky ungjill në gjithë botën, do të flitet edhe ç’punë bëri kjo, që të mbahet mend”- na tha Zoti.
Historia njerëzore është e mbushur me ngjarje të mëdha, befasuese, të frikshme, të pabesueshme që shpesh e tronditin aktualitetin. Por, brenda tyre, ato e fshehin elementin e rënies, sipas shkallës së mungesës, në vetvete, të dashurisë. Ajo është e mbushur me të dhëna historike për pushtime dhe arritje të ndryshme, që i ka mbuluar harresa dhe nuk emocionojnë më. Ato që i kanë rezistuar kohës dhe mbeten ende fort të vyera – si brenda historisë së përgjithshme, ashtu edhe për jetën personale të secilit nga ne – janë veprat e dashurisë së sinqertë. Kur i afrohemi Krishtit, Dashurisë së mishëruar, duke mbajtur në dorë alabastrin me miron e përkushtimit tonë, jetojmë çaste që nuk humbasin kurrë, sepse ato mbartin përjetësinë brenda tyre. Ato na hapin dyert e “jetës së përjetshme”.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
• Shkëputur nga libri: Rreze nga drita e Ungjillit (Vëllimi 2: Pranverë – Verë)