Java e Madhe – E Mërkura e Madhe

E Mërkura e Madhe

Psikologjia e errët e tradhtarit
E Mërkura e Madhe
Si Shërbesa e mëngjesit, ashtu edhe ajo e mbrëmjes, sot me forcë na kundërvënë si antiteza dy figura ekstreme brenda Pësimit të Krishtit: Prostitutën që e leu me miro Krishtin dhe Judën. Janë dy njerëz me karaktere shpërthyese dhe me ndjenja të forta. E para përfaqëson, siç e pamë dje, një shprehje të fortë përkushtimi dhe adhurimi. I dyti, një shpërthim të fortë të dy ndjenjave të forta e të çuditshme: të dekurajimit dhe antipatisë.
Buqeta e dritës së dashurisë spontane, që shfaqi gruaja anonime ndaj Krishtit, na paraqet një shkëlqim të veçantë, por edhe tragjizëm. Kjo skenë zhvillohet paralelisht me vorbullën që përfshin shpirtin e nxënësit të zgjedhur nga Krishti, të Judës. Ajo ishte e sinqertë kur shprehte ndjenjat e saj, ndërsa nxënësi i fshihte mendimet dhe ishte utilitarist. Ajo derdhi miro shumë të shtrenjtë për të larë këmbët e Krishtit. Ai e shiti Shpëtimtarin për një shumë të papërfillshme.
Enigma e Judës mbetet një prej episodeve më tronditëse të historisë, por nuk është ky momenti i përshtatshëm për të bërë një analizë të hollësishme të saj. Do të formulojmë dy mendime, që janë si dy rreze të zbehta në këtë ngjarje të errët.
1.Mos vallë Juda nuk e pranoi kurrë Krishtin? Më e mundshmja duket të jetë se ai nuk e deshi në mënyrën e saktë. Në këtë rast, kemi një tragjedi të një marrëdhënieje personale. Fillimisht Juda e ndoqi Krishtin dhe dukshëm e pranoi si udhëheqës shpirtëror. Brenda rrethit të ngushtë të të Dymbëdhjetëve, atij iu ngarkua edhe një detyrë fort e besuar. Ai mbante arkën. Por, në thellësi të tij, e pranoi Krishtin sipas mënyrës së vet. Me sa duket, ai kishte disa shpresa, krijoi një ikonë të vetën rreth Mesisë, me tipare të theksuara pushteti dhe ndikimi të jashtëm. Juda nuk e deshi Krishtin siç ishte, por si ai do ta donte të ishte. Ai deshi idhullin që kishte krijuar rreth Mesisë. Duke pasur besim të tepruar në veten e tij, duke pasur si njësi matëse gjykimin e tij – në thelb ai deshi vizionin e tij rreth Mesisë.
Dhe, kur u duk se Krishti nuk i përshtatej kërkesave dhe preferencave të tij, atëherë shpërtheu kriza. Brenda tij u shemb çdo besim dhe ndjenjë miqësore. Ai e humbi krejtësisht ekuilibrin. Por, në vend që të shkatërronte idhullin e tij rreth Mesisë, të ngritur në shpirtin e tij, ai niset të shkatërrojë personin e vërtetë të Krishtit. E për pasojë, kjo solli shkatërrimin e vetvetes.
2.Shumë njerëz përpiqen ta duan Krishtin, por e bëjnë me mënyrën e gabuar: vendosin si etalon veten e tyre. Ata që janë më tepër teorikë, mbështeten tek idetë dhe konceptet e tyre. Ata që janë më tepër praktikë, kanë si përparësi dëshirat dhe interesat e tyre të vogla e të ngushta.
Dhe, sapo e shikojnë që Jisui i vërtetë nuk u përgjigjet vizioneve dhe planeve të tyre, sapo Ai i udhëheq drejt zonës më të thellë të Pësimit, drejt përulësisë, sakrificës dhe Kryqit, ata nisin të kundërreagojnë brenda vetes së tyre. E duke u bërë robër të shtysave të egoizmit të tyre, e braktisin Krishtin. Një përkushtim egocentrik nuk vonon të shndërrohet në zhgënjim, në antipati dhe përbuzje.
Edhe në marrëdhëniet tona me persona të tjerë shfaqet shpesh diçka nga kjo psikologji e Judës. Nuk i duam njerëzit e tjerë siç janë në të vërtetë, por siç ne do t’i donim që ata të ishin. Në përfundim të analizës, mund të themi se ne duam veten tonë dhe jo tjetrin – babanë, në- nën, bashkëshortin, bashkëpunëtorin, mikun. Ne i duam të tjerët si aksesorë të vetes sonë.
Në këtë histori tragjike na zbulohet se sa e lirë dhe jo robëruese është marrëdhënia e Krishtit me ndjekësit e Tij. Kur një nxënës i Tij bëhet skllav i ëndrrave dhe i egoizmit të tij të sëmurë, kur vendos të largojë personin e vërtetë të Jisuit, atëherë Zoti kurrsesi nuk e detyron me dashurinë e Tij. Dashuria e vërtetë nuk mund të lulëzojë pa këtë klimë të lirisë absolute.
3.Dita e sotme na kujton në mënyrë lirike, por edhe tronditëse, se në orët e Pësimit një njeri i afrohet Zotit, ndërsa tjetri i largohet përfundimisht Atij.
Sa ndodhen për momentin larg Krishtit, sa janë ende ngurrues në jetën e tyre ndaj Tij, le t’i afrohen me besim, si ajo gruaja që erdhi te Krishti me përkushtim të përulur, me një shfaqje ndjenjash të atillë, që e ruajti bukurinë në mbarë shekujt.
Nga ana tjetër, ne që jetojmë shumë pranë Tij, le të kemi kujdes që të mos vetëkënaqemi, meqenëse ndodhemi brenda rrethit të nxënësve të Krishtit, meqë e dëgjojmë dhe marrim pjesë në Darkën e Tij Mistike, apo meqë na ka ngarkuar me detyra të rëndësishme. Këto nuk për- bëjnë kurrfarë sigurie. Nëse e “duam” në mënyrën e gabuar, pra nëse duam ëndrrat tona, nëse mbetemi të fundosur brenda gjykimit tonë, egoizmit tonë, nëse nuk e ripërtërijmë vazhdimisht besimin tonë tek Ai, nëse e ndjekim me plogështi dhe dembelizëm, nuk përjashtohet mundësia që të rrëshqasim në psikologjinë e një tradhtie të dukshme ose të padukshme. “E keqe është plogështia…”.
Vetëm një dëshirë e sinqertë për pendesë dhe përulësi mund ta mposhtë dobësinë dhe pasigurinë njerëzore. Sa i takon mendimit trishtues se edhe brenda rrethit të nxënësve të Krishtit u gjet një tradhtar, ekziston një vazhdim optimist: Po, por në rrethin e të Dymbëdhjetëve, njëmbëdhjetë prej tyre u treguan të palëkundur në përkushtimin e tyre ndaj Krishtit. Dashuria e tyre u rezistoi lëkundjeve dhe peripecive.
Le të na dhurojë Perëndia që të bëjmë pjesë në këtë shumicë të bekuar për shkak të së vërtetës së jetës sonë.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
• Shkëputur nga libri: Rreze nga drita e Ungjillit (Vëllimi 2: Pranverë – Verë)