Lavdi dhe Fuqi
E Premtja e Madhe
Veçanti kryesore e adhurimit orthodhoks është, se ndërsa e përqendrojmë vëmendjen në një ngjarje, kurrë nuk e izolojmë atë nga tërësia e besimit. Në perspektivën e tij, ai vazhdon të ekzistojë gjithnjë si një i tërë, i GJITHI. Madje edhe brenda një detaji të vogël të jetës adhuruese, vëmendja ndaj ngjarjes konkrete ndërthuret me soditjen e mbarë planit të Perëndisë për shpëtimin. Kjo bëhet edhe më e theksuar gjatë ngjarjeve më kulmore të mbledhjeve tona adhuruese, siç është e Premtja e Madhe.
Ndërgjegjja orthodhokse, duke kundruar Kryqin, njëkohësisht shikon në antitezat e jashtme një sintezë madhështore: Ajo shikon në përulësinë e jashtme praninë e lavdisë së brendshme, nga e cila ndriçohet i Kryqëzuari. “Ai që vesh dritën porsi rrobë, qëndron i zhveshur para gjykatës”. “Sot varet mbi kryq, Ai që e vari tokën mbi ujërat…”.
Pas gjakut dhe dhimbjes së të Kryqëzuarit, besimtari dallon Perëndinë Triadik. Dhe Golgothaja bëhet Theofani. Krishti mbetet fitimtari, jo duke përjashtuar Kryqëzimin e Tij, por për shkak të këtij Kryqëzimi. Kryqëzimi – Varri i zbrazët-Ngjallja përbëjnë një njësi të pandarë. Çdo anë e saj është emblemë fitoreje. Kryqi përmbledh, në këtë mënyrë, mbarë planin e Perëndisë për të gjithë botën. Me dimensionin e tij vertikal, Kryqi bashkon tokën me qiellin. Me dimensionin e tij horizontal, përqafon mbarë njerëzimin dhe të ardhmen e tij.
1.Në jetën e adhurimit, të teologjisë dhe ndërgjegjes orthodhokse, dy janë kuptimet qendrore, rreth të cilave vërtitet i tërë misteri i Kryqit: lavdia dhe dashuria. Dhe këto, i duhen referuar pareshtur kuadrit më të gjerë të Ekonomisë Hyjnore dhe Historisë së gjithësisë.
Krijimi i botës ka qenë shprehje e lavdisë së përjetshme të Perëndisë. Megjithatë, njeriu e mohoi këtë lavdi dhe kërkoi të vendosë në vend të saj lavdinë e tij, duke adhuruar vetveten. Me largimin e tij nga Perëndia i gjallë i dashurisë, njeriu shkaktoi një katastrofë kozmike, duke sjellë vdekjen, ku hijesohet lavdia e Perëndisë. Por, Ai nuk reshti së shfaquri lavdinë e Tij ndër njerëzit dhe, në fund, dërgoi Birin e Tij, Atë, me anë të të Cilit “i krijoi të gjitha”, që t’i riformojë të gjitha dhe të lavdërohet Perëndia në atë”. Krishti, gjatë gjithë jetës së Tij, me mrekullitë e Tij, shfaqi “lavdinë e Tij”. Por, Kryqi dhe Ngjallja e Tij janë zbulesa kryesore e lavdisë së Perëndisë.
Në fjalimin e fundit të Krishtit, që përfshihet në perikopenë e parë ungjillore, nga të dymbëdhjetë ungjijtë e Mëngjesores të së Premtes së Madhe, rikthehen përsëri, me ngjyrime të larmishme kuptimore, temat e lavdisë dhe të dashurisë së Perëndisë.
Dashuria dhe lavdia përbëjnë dy pamje të jetës së Perëndisë dhe të shpëtimit të njeriut, që është paracaktuar të bëhet pjesëmarrës i kësaj jete të dashurisë “pjesëmarrës, i lavdisë hyjnore”.
Me Kryqin dhe Ngjalljen, realiteti njerëzor riformohet, krijohen marrëdhënie të reja midis njeriut dhe Perëndisë, rikrijohet bota.
Ai që bëhet gjymtyrë e Kishës, do të thotë se e pranon me besim këtë mendim të ri të Kryqit, këtë pamje të re të realitetit.
2.Kisha, këtë siguri nuk kërkoi ta imponojë me forcë, dhe as duke e detyruar njeriun me anë të logjikës. Ajo e predikoi, e psali, e kremtoi, e panegjirizoi këtë siguri. E himnon në jetën adhuruese. E pohojnë dhe e shpallin heronjtë e saj me jetën dhe martirizimin e tyre.
Kisha nuk u shqetësua nga qëndrimi i kundërshtarëve të saj. Ajo predikoi realitetin e pashoq, vullnetin e çuditshëm të Perëndisë, mbi të cilin mbështeti qenien e saj. “Fjala e kryqit për ata që humbasin është marrëzi, por për ne që shpëtojmë është fuqi Perëndie” (1Kor. 1:18). Apostull Pavli vërente se dëgjuesit e Ungjillit ndaheshin në dy grupe. Për njërin grup mesazhi i tij nënkuptonte marrëzi. Ata shpresonin se urtësia do të ishte e ndryshme. Kësaj urtësie i kundërvihet fuqia e botës. Për sytë e botës, Kryqi ishte një simbol pafuqie dhe disfate, por fuqia e Perëndisë matet ndryshe. Të krishterët nuk shpëtohen me anë të një të vërtete intelektuale, por duke u familjarizuar me një fuqi të re, me fuqinë, e cila buron nga Kryqi, “që të mos jetë besimi juaj me anë të diturisë së njerëzve, por me anë të fuqisë së Perëndisë” (1 Kor. 2:5).
3.Ungjilli rreth Kryqit nuk është parakonceptuar për të qenë një dije teorike dhe urtësi bote. E fshehta e përbën fuqinë, që është në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me jetën e të krishterit. Kryqi mbetet veçoria dalluese e besimtarit. Ai e ndau periudhën e Dhiatës së Vjetër, të Ligjit, nga e reja, e Dhiatës së Re të besimit. Kjo përbën, brenda zemrës së besimtarit të krishterë, kufirin midis mendësisë së mishit dhe jetës së frymës. Marrja e kryqit në realitetin e përditshëm dhe përballja me përndjekjen, persekutimin, pësimet për hir të dashurisë për të tjerët, kanë qenë kushti kryesor, që Zoti ua vendosi të Vetëve. Kush pason Krishtin, duhet të vdesë për veten e tij, të pranojë vuajtjen, përulësinë, sakrificën, por lirisht. “Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij dhe le të ngrejë kryqin e tij, dhe le të vijë pas meje” (Matth. 16:24).
Në jetën e përditshme, i krishteri bën shenjën e Kryqit si simbol të lirisë nga skllavëria e kërkesave të botës. Ai e di dhe beson se durimi dhe dashuria e Kryqit mund të duken marrëzi për mendësinë e botës, por në fund, brenda tyre, fshihet fuqia për një ndryshim thelbësor të brendshëm, për një cilësi tjetër jete.
Të krishterët besimtarë nuk janë aspak romantikë, që shmangin vështrimin nga sa ndodh në botën tonë. Para syve të tyre qëndron përherë realiteti i pësimit, i dështimit të jashtëm. Ndjesia e tragjikes, që përshkon zhvillimin e historisë, përqendrohet në simbolin e Kryqit. Pranimi i tij, i shoqëruar nga durimi, përbën përqafimin e mbarë dhimbjes njerëzore.
Realiteti i së keqes mishërohet në forca të errëta e të shumëllojta, që veprojnë në shpirtrat njerëzorë dhe në strukturat shoqërore. Këtë e di mirë i krishteri. Por, dimensionet tragjike të realitetit të egër, që hijesojnë jetët tona, ndriçohen pareshtur nga shpresa e qëndrueshme e Pranisë së të Dashurit, që është e mbushur me jetë mistike dhe nga fuqia e Ngjalljes, e cila e fuqizon përpjekjen krijuese.
Një siguri të qëndrueshme ofron fakti që Kryqi ka brenda tij Ngjalljen. Kjo ndjesi vë në lëvizje shpresën e besimtarit. E armatos me fuqi dhe rezistencë për t’u përballur edhe me kushtet më të ashpra dhe më të dhimbshme, për të bërë një betejë paqësore, por të pareshtur, për një ndryshim thelbësor. Kultivon një realizëm dinamik dhe një pritje aktive që ecën me pozitivitet dhe korrektesë drejt kryerjes së detyrimit dhe mrekullisë. Në këtë mënyrë, ia del mbanë të shndërrojë të pamundurat në të mundura dhe të veprojë me vendosmëri, për të transformuar historinë – si atë mbarënjerëzore, ashtu edhe të tijën, atë personale.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
• Shkëputur nga libri: Rreze nga drita e Ungjillit (Vëllimi 2: Pranverë – Verë)