Java e Madhe – E Shtuna e Madhe

E Shtuna e Madhe

Në paqen e së Shtunës së Madhe
E Shtuna e Madhe
Ndërsa po mbyllet dita e paqme e së Shtunës së Madhe dhe mbërrijmë në mesnatë, i tërë vendi do të ushtojë nga panairi paskal. “Ejani merrni dritë!”. “Krishti u ngjall!”. Madje edhe ata që nuk munden fizikisht të jenë të pranishëm, edhe këta do të gjenden në një lloj mbledhjeje paskale: me një llambadhe mistike të ndezur në zemrën e tyre do të urojnë të afërmin dhe veten: “Gëzuar Pashkën!”.
Kur kjo fjalë mbërrin brenda nesh, ka kaq shumë fuqi, saqë e trondit tërë qenien tonë. Sa më thellë që ta mendojë besimtari, aq më shumë ndien se Pashka rrezaton mesazhe të reja dhe zbulon horizonte të pafund shprese dhe optimizmi për jetën personale, për të ardhmen e botës.
Pashkë do të thotë kalim, dalje shpëtimtare. Në Dhiatën e Vjetër Pashka shënjonte daljen çlirimtare të popullit të Perëndisë nga skllavëria e Faraonit. Mesazhi i krishterë e shndërroi në qendër të tij, duke psalur Pashkën e re, që Krishti e përuroi me Pësimin, Kryqin dhe Ngjalljen e Tij. Me këtë, Ai vulosi dhiatën e re të dashurisë, duke e udhëhequr popullin e ri, që do ta pasonte në një jetë të re lirie dhe fitoreje përfundimtare mbi fuqitë e errësirës dhe të vdekjes. “Ditë e Ngjalljes”, do të psalim pas pak, “le te ndriçohemi, o popuj, Pashka e Zotit, Pashka. Se prej vdekjes në jetë dhe prej dheut në qiell na shpuri Krishti, Perëndia ynë, duke kënduar këngë fitoreje”.
Për ndërgjegjen orthodhokse, Krishti, me Ngjalljen e Tij, jo vetëm dërrmoi intrigën e atyre që e kryqëzuan dhe planet e sistemit politik dhe fetar, por ripërtëriu mbarë gjithësinë.
Ngjallja e Tij ishte një kalim, një “pashkë” drejt një forme tjetër jete, fuqie, lavdie që rrezaton në gjithësi, që ndriçon gjithçka me shpresë. Kisha psal në mënyrë panegjirike këtë siguri: “Tani të gjitha mbushen me dritë në ngjalljen tënde, o Krisht”. “Kremtojmë vrasjen e vdekjes, rrëzimin e Ferrit, nisjen e një jete tjetër të amshuar; dhe, duke kërcyer himnojmë shkaktarin, Perëndinë e Etërve tanë, të vetmin Perëndi të etërve të bekuar dhe të përmbi- lavdëruar”.
1.Që njeriu ta kremtojë Pashkën me të vërtetë, nuk duhet të mbyllet në guaskën, qoftë edhe e gëzueshme, e një feste që është kthyer në traditë, në anën e jashtme të së kremtes – vezët, vallëzimet, këngët – por duhet të ndërmarrë një kalim, të depërtojë brenda thelbit dhe kuptimit të kremtimit orthodhoks. Është e nevojshme të meditojmë dhe të asimilojmë me shpirtin tonë kuptimin e thellë të Pashkës së krishterë dhe simbolikën e çdo shprehjeje, që tradita na e ka sjellë deri në ditët tona, “duke u gëzuar fort” dhe me urtësi;- ashtu si besimtarët e çojnë me kujdes dritën e Pashkës në shtëpinë e tyre, me anë të llambadheve. Është koha për ta kremtuar Pashkën në mënyrë thelbësore, duke marrë pjesë edhe personalisht përmes një kalimi nga një kuptim sipërfaqësor i Pashkës drejt një ripërtëritjeje shpirtërore, sipas traditës orthodhokse.
2. Përpos kësaj daljeje të parë, shpëtimtare të frymës sonë, e kremtja paskale na detyron të kryejmë edhe një dalje të dytë, që ka lidhje me ndjenjat tona, nga zona e frikës, e shqetësimit dhe e dekurajimit në atë të shpresës. Java e Madhe na kujtoi smirën, intrigat, kurthet, vogël- sitë e pakuptueshme të shumë personave, që u ndodhën pranë personit qendror të Krishtit, si p.sh. të farisenjve, të pushtetarëve, të sistemit social-politik të kohës, madje edhe të vetë nxënësve të Tij. Ajo hodhi dritë me një mënyrë të veçantë në diçka që është kaq familjare për jetën tonë personale: në zonën e hidhërimeve, të persekutimeve, të dhimbjes, të padrejtësive.
Kjo Javë na bëri që të kujtojmë përsëri se Krishti nuk u ka premtuar të Tijve një jetë komode, të lehtë dhe pa kryq. Ai premtoi një jetë me kryq, të mbushur me kërkesa, ideale dhe sprova – një jetë në të cilën kryqi shndërrohet në ngjallje. E reja që solli Jisui në botë nuk ishte kryqi. Ai ekzistonte edhe më parë. Në Golgotha u ngritën edhe dy kryqe të tjerë përveç kryqit të Tij. E reja është transformimi i kryqit, me anë të dashurisë, në ngjallje. Krishti i ngjallur është pranë nesh, që të na ndihmojë në daljen tonë nga zona e dhimbjes pa shpresë drejt zonës së pranimit paqësor të dhimbjes me shpresë.
3.Do të shtoja edhe nevojën për një dalje të tretë. Mendoj se kjo varet nga vullneti i çdo njeriu: duhet të dalim nga çdo lloj vetmie jona, nga çdo lloj izolimi ynë, i vogël ose i madh, drejt një shoqërie dashurie me të gjithë ata që janë pranë nesh, me të gjithë sa i deshi Krishti. Lodhja, mosbesimi, shija e hidhur e jetës na shtyjnë drejt izolimit. Zakonisht, teksa rritemi, besimi ynë te njerëzit pakësohet dhe, si përfundim, shumë bëhen si ishuj të shkretë, të izoluar në valët e melankolisë së tyre. Ne vërtitemi përreth vetes, problemeve, interesave, cilësive ose dobësive të saj. Duke pasur armaturën e shpresës, që na fal Pashka, nevojitet të bëjmë një dalje shpëtimtare nga kulla e egoizmit tonë, drejt rigjetjes së personave tanë të afërm, për të krijuar marrëdhënie mirëbesimi, për të krijuar një shoqëri dashurie.
Dyshimi ndaj të tjerëve, që shpesh na e helmon jetën, duhet të mposhtet me anë të gëzimit ngjallësor. Në këto ditë të gëzuara paskale, është urgjente nevoja për të ndihmuar zemrat që të çelen në mënyrë ngjallësore brenda mjedisit tonë familjar dhe në mjediset tona të punës. Me flladin e erës paskale të faljes dhe të mirësisë le të shpërbëhen retë e pakënaqësisë, që errësojnë marrëdhëniet njerëzore dhe le të ndodhë një transformim nga një bashkëjetesë e thjeshtë drejt një shoqërie dashurie.
“Ejani merrni dritë” – dritë të shkëlqyer të shpresës, të kuptimit të jetës dhe të vdekjes, dritë ngazëllimi, – “dritë prej dritës që nuk perëndon”, që mundi vuajtjen, padrejtësinë, vdekjen. “Dhe lavdërojeni Krishtin, që u ngjall së vdekurish”, Çdo Pashkë përbën një rast të madh, një ftesë të fuqishme të Perëndisë për një dalje, për një kalim shpëtimtar nga çdo lloj indiferentizmi apo konformizmi, drejt një marrëdhënieje personale me Perëndinë e gjallë, Perëndinë e dashurisë, Krishtin e ngjallur. Një kalim nga zona e vdekjes shumëformëshe drejt truallit të jetës.
Çdo Pashkë është një thirrje për një kalim shpëtimtar nga atmosfera e frikës dhe e dekurajimit në zonën e shpresës; nga izolimi i individualizmit, në dashurinë aktive, në shoqërinë më Krishtin.
“Le të ndriçohemi nga panairi dhe le të përqafojmë njëri-tjetrin”. Kjo është një dalje çlirimtare nga ajo çka jemi në atë që Krishti i ngjallur do që ne të bëhemi: njerëz me ndërgjegje dhe dëshirë të mirë paskale.
Pra, me këtë frymë, le të urojmë: Pashkë të mbarë! Me Ngjalljen përherë brenda zemrës sonë.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.
• Shkëputur nga libri: Rreze nga drita e Ungjillit (Vëllimi 2: Pranverë – Verë)