Thirrje për solidarizim! – Nismë për Pashkë 2023

Thirrje për solidarizim!

Nismë për Pashkë 2023

KRISHTI U NGJALL!
Mbi 100 familje në nevojë dhe mbështetje për disa të rinj të cilëve ju mundësua pagesa për tarifat vjetore universitare për shkak të vështirësive financiare ishte rezultat i nismës së ndërmarrë së fundi nga vet të rinjtë aktivë të Kishës sonë. Me rastin e Pashkës, festës më të gëzueshme të të Krishterëve, të rinjtë e kishës nën drejtimin e At Grigorit ndërmorën iniciativën për tu ardhur në ndihmë familjeve në nevojë të cilët ata vet i kanë identifikuar si edhe për herë të parë ndihmohen financiarisht për të mundësuar pagesat e tarifave vjetore universitare të disa të rinjve bashkëmoshatarë që vijnë nga familje me vështirësi ekonomike. Ishin vet të rinjtë të cilët e ndërmorën këtë iniciativë të mbështetur nga stafi i rinisë sipas porosisë që vet Kryepiskopi Anastas u la të rinjve të cilët duhet të përfshihen më tepër në veprat sociale, në takimin e fundit që ai vet zhvilloi me të rinjtë. Pavarësisht kohës që kishim në dispozicion, kjo nismë arriti të përmbushë qëllimin e saj. Do të ishin miqtë e rinisë, ish antarë të rinisë orthodhokse, besimtarë vullnetmirë, enoria e Shën Prokopit, diplomatë të huaj që punojnë në vendin tonë që bënë të mundur në një kohë shumë të shkurtër të ndihmonin rreth 100 familje që u identifikuan nga vet të rinjtë si edhe për herë të parë u siguruan pagesat vjetore universitare për disa të rinj që vijnë nga familje në nevojë. Rinia Orthodhokse e Tiranës do të vazhdojë të ndërmarrë sërish në të ardhmen nisma sociale për tu ardhur në ndihmë vëllezërve dhe motrave në nevojë duke përmbushur kështu porosinë që Kryebariu ynë Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit edhe i Gjithë Shqipërisë Imzot Anastasi u besoi të rinjve orthodhoksë të Tiranës: “Ajo që kërkoj nga ju, është të ruani sensibilitetin tuaj social. Kjo gjë është e zbehtë dhe mungon brenda shoqërisë sonë dhe është plagë e njerëzimit në kohën dhe botën tonë moderne. Ndërmerrni nisma sociale! Qëndrojuni pranë me dashuri dhe vepra konkrete vëllezërve dhe motrave në nevojë….” Mirënjohje për të gjithë ata që mbështesin nismat tona! Lavdi Perëndisë për të gjitha!