Edhe si u lëshuan, erdhën tek të tyret, dhe njoftuan për gjithë sa u thanë atyre kryepriftërinjtë dhe pleqtë.
Edhe ata kur dëgjuan, me një mendje ngritën zërin tek Perëndia, dhe thanë: O Zot, ti je Perëndia, që bëre qiellin dhe tokën dhe detin, dhe gjithë sa janë në ta;Ti që ke thënë me anë të gojës së shërbëtorit tënd David: “Përse shfrynë kombet dhe shkuan ndër mend punë të kota?
Mbretërit e dheut qëndruan përpara dhe të parët u mblodhën kundër Zotit, dhe kundër të Lyerit të tij”.
Sepse me të vërtetë u mblodhën kundër birit tënd të shenjtë Jisu, të cilin e leve me vaj, edhe Irodi e Ponti Pilat bashkë me kombet e me popujt e Izraelit, që të bëjnë gjithë sa urdhëroi që përpara të bëhen dora jote dhe këshilla jote.
Edhe tani, o Zot, vështro në kërcënimet e tyre ndaj nesh, dhe jepu shërbëtorëve të tu të flasin fjalën tënde me çdo guxim, duke zgjatur dorën tënde të bëhen shërime e shenja e çudira në emër të birit tënd të shenjtë Jisu.
Edhe si u lutën ata, u tund vendi ku ishin mbledhur, dhe u mbushën që të gjithë me Shpirt të Shenjtë, dhe flisnin fjalën e Perëndisë me guxim.
Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se ai që dëgjon fjalën time, dhe i beson atij që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe në gjyq nuk vjen, por shkoi prej vdekjes në jetë.
Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, se vjen një orë, dhe tani është, kur të vdekurit kanë për të dëgjuar zërin e të Birit të Perëndisë, dhe ata që dëgjojnë do të rrojnë. Sepse sikurse Ati ka jetë në veten e tij, kështu i dha edhe të Birit të ketë jetë në veten e tij, dhe i dha pushtet të bëjë edhe gjyq, sepse është Bir njeriu.
Mos u çuditni për këtë; se vjen një orë, në të cilën të gjithë ata që janë nëpër varret do të dëgjojnë zërin e tij, edhe ata që kanë bërë të mira do të dalin në ngjallje jete; por ata që kanë bërë të liga, në ngjallje gjyqi. Unë s’mund të bëj asgjë prej vetes sime. Siç dëgjoj, gjykoj; dhe gjyqi im është i drejtë; sepse s’kërkoj dëshirën time, po dëshirën e Atit që më dërgoi.