E Diela e Miroprurëseve

E Diela e Miroprurëseve

Guxim dhe përgjegjësi

E Diela e Miroprurëseve
(Mark. 15:43-16:8)

“Guxoi e hyri te Pilati dhe lypi trupin e Jisuit”

Përçapja e Josifit nuk ishte aq e thjeshtë. Përkundrazi, ishte jashtëzakonisht e rrezikshme që, në një çast aq tragjik, të shfaqej si miku i një të dënuari, i cili kishte ngjallur armiqësinë e parisë së vendit. Kjo mund t’i kushtonte pasurinë dhe pozitën e tij të nderuar, me siguri edhe vetë jetën e tij. Por Josifi largon çdo frikë dhe me guxim shkon atje ku e thërret ndërgjegjja. Më vonë e shikojmë të ndjekin shembullin e tij edhe disa figura të tjera, si gratë miroprurëse. Ato nisen natën dhe nuk i llogarisin fare rreziqet duke shkuar pranë varrit, të cilin e ruajnë ushtarë romakë të pagdhendur.
Guximi i Josifit dhe i miroprurëseve na ofron edhe ne një rast të mirë për t’i parashtruar vetes disa pyetje të thjeshta dhe praktike, por të vyera. Ne, që dëshirojmë të quhemi nxënës të Krishtit, a tregojmë sa duhet guxim në kryerjen e detyrave tona, të vogla ose të mëdha, të detyrave që kemi ndërmarrë në profesionin tonë, të atyre familjare apo shoqërore?
Dikush ndoshta do të pyesë, a nevojitet vërtet guxim për këto? Patjetër, është më se i nevojshëm. Sa shumë pengesa i dalin përpara njeriut të ndershëm në përpjekjen e tij të përditshme, që të mbetet besnik në detyrën e tij! Do të bëjë sikur nuk shikon, që të fitojë para, pozita, grada? Do t’i bindet urdhrit amoral të eprorit, për të përfituar favore, apo do t’i bindet urdhrit të ndërgjegjes së tij? Do të ulë qafën para presionit të njerëzve të fuqishëm apo do të përparojë trimërisht në vendimin për t’i qëndruar besnik parimeve të tij, pavarësisht nga sakrificat që do të duhet të bëjë? Ja ku dalin menjëherë disa dilema, të cilat, që të zgjidhen, kanë nevojë për shpatën e guximit të krishterë.
Por, nëse nevojitet guxim për të jetuar me korrektesë jetën e krishterë, atëherë kemi nevojë për shumë më tepër guxim për demaskimin dhe shkatërrimin e së keqes, që ka përmbytur shoqërinë tonë. Shpesh diskutojmë për përhapjen e kriminalitetit, për dekadencën dhe dhuni- min e parimeve morale, për mbizotërimin e padrejtësisë. Zemërohemi, ngremë tonet dhe flasim me këmbë e duar. Por, sa nga ne vendosin të protestojnë publikisht për botimet e ndryshme, që si një tufë karkalecash turren për të shkatërruar brezin e ri? Sa nga ne kanë marrë guximin të protestojnë për filmat mjeranë që transmetojnë televizionet, madje edhe ai shtetëror, i cili mbahet me taksat tona? Shumë janë ata që janë të arsimuar dhe kanë edhe pozita të larta, zëri i të cilëve ka mundësi të dëgjohet në shoqëri. Sa nga ne kanë marrë nismën për t’i dërguar një letër stacioneve televizive dhe radiofonike, për të protestuar për emisionet e shëmtuara ose për të lavdëruar ato që janë të mira? Sepse, nëse flasim për kundërshtim ndaj dekadencës, nuk flasim thjesht për mbrojtje pasive apo edhe kritikë shterpë, por për një përpjekje serioze, të vendosur, e cila dënon të keqen dhe mbështet çdo gjë të mirë. Me këtë kuptojmë një përpjekje të guximshme për të shtrirë më tej ndikimin e mbretërisë së Perëndisë; një përpjekje që bëhet pa pasur frikë, me entuziazëm dhe kthjelltësi.
Por, si do ta fuqizojmë guximin tonë?
Gjëja e parë që do të na ndihmojë është të kuptojmë se i bindemi vullnetit të Perëndisë. Nëse të tjerët janë të guximshëm në kryerjen e paligjësisë, përse kam frikë unë kur e kam të vërtetën në anën time? Përderisa e kam parë se gjykimi im është i drejtë, asgjë nuk duhet të më trazojë. A është kjo gjëja e duhur? E do këtë gjë Perëndia? Atëherë unë do të eci përpara!
Mbështetja ndaj njëri-tjetrit ofron një mbështetje të shtuar për të fuqizuar guximin tonë. Kur dikush është i izoluar, frika e pushton më lehtë. Por, kur e ndien pranë vëllanë, me të cilin ndan të njëjtat parime shpirtërore, tronditja largohet. Shembulli i miroprurëseve na e tregon edhe këtu rrugën. Ato merren vesh mes tyre, bashkërendojnë veprimet. Bashkëpunimi për të mirën e shton edhe më shumë vendosmërinë tonë dhe pikërisht këtë duhet të synojmë me çdo lloj mënyre.
Dhe një pikë e tretë: guximi ynë do të marrë fuqi duke pasur besim dhe duke u lidhur me të Ngjallurin. “Të gjitha mund t’i bëj me anë të Krishtit, që më jep fuqi” (Fil. 4:13), na thotë apostull Pavli, duke e vërtetuar këtë me përvojën e tij. Përse të shikojmë vetëm pengesat dhe sprovat? Përse të harrojmë se Perëndia ndërhyn pikërisht atje ku ne nuk e presim? Le të kujtojmë edhe një herë historinë e miroprurëseve. Ato i shqetësonte një mendim i ligjshëm dhe këmbëngulës: “Kush do të na e lëvizë gurin?”. Por kjo nuk i pengoi ta çonin deri në fund rrugën e tyre apo t’i paralizonte në vendimin që kishin marrë. Nuk thane: “Përderisa këtu gjendet ky gur i madh që vulos portën e varrit, çfarë do të bëjmë tani?”. Ato ecën drejt realizimit të planit të tyre me një shpresë të fshehtë. Dhe ja, sapo u afruan “kur ngritën sytë, panë se guri ishte lëvizur”. Ato u gjendën para një ndërhyrjeje të mrekullueshme të Perëndisë. Të gjithë sa ecin me guxim në rrugën që të frymëzon besimi dhe detyra, të mbështetur në shpresën e tyre tek i Ngjalluri, e gjejnë veten para ndërhyrjeve të ngjashme dhe të papritura.
***
Shpesh ankohemi dhe shqetësohemi për rrugën që ka marrë shoqëria jonë. Nxjerrim në pah rreziqet, konstatojmë shkaqet e tyre. Një nga arsyet kryesore të kësaj të keqeje të përgjithshme është se, zakonisht, të mirët nuk janë guximtarë, por frikacakë, ndërsa, si rregull, të guximshmit shfaqen tipa negativë, të djallëzuar e me prirje kriminale.
Këtu qëndron tërë drama jonë. Një tragjedi që duhet të marrë fund një çast. Mundemi edhe ne të ndihmojmë në këtë gjë me trimëri dhe guxim, nëse ecim me burrëri dhe kurajë atje ku detyrimi ynë i krishterë na urdhëron.
† Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë.

• Shkëputur nga libri: Rreze nga drita e Ungjillit (Vëllimi 2: Pranverë – Verë)