Edhe Simoni kur pa se me vënien e duarve të apostujve jepet Fryma e Shenjtë, u pruri atyre pará, duke thënë: Jepmani dhe mua këtë pushtet, që mbi cilindo që të vë duart, të marrë Frymë të Shenjtë.
Po Pjetri i tha atij: Argjendi yt humbtë bashkë me ty, sepse pandehe se dhurata e Perëndisë fitohet me pará. Ti s’ke pjesë as short në këtë fjalë; sepse zemra jote s’është e drejtë përpara Perëndisë.
Pendohu pra nga kjo ligësia jote, edhe lutju Perëndisë, mbase të ndjehet kjo shpikje e zemrës sate; sepse po të shoh se je në vrer hidhërimi dhe në lidhje paudhësie.
Atëherë Simoni u përgjigj e tha: Lutjuni ju Zotit për mua, që të mos vijë mbi mua asnjë nga ato që thatë.
Ata pra, pasi dhanë dëshmi dhe folën fjalën e Zotit, u kthyen në Jerusalem, edhe dhanë lajmin e mirë nëpër shumë fshatra të Samaritanëve.
Edhe Jisui u tha atyre: Unë jam buka e jetës. Ai që vjen tek unë, nuk do të ketë uri; edhe ai që më beson, nuk do të ketë kurrë etje.
Por ju thashë juve se edhe më patë edhe nuk besoni. Gjithë ç’më jep Ati, do të vijë tek unë; edhe atë që të vijë tek unë, nuk do ta nxjerr jashtë. Sepse kam zbritur nga qielli, jo për të bërë dëshirën time, po dëshirën e atij që më ka dërguar.
Edhe kjo është dëshira e Atit që më ka dërguar, nga gjithë ç’më ka dhënë të mos humbas asgjë, po ta ngjall në ditën e fundit.